Kreu në detyrë i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Gjatë fjalës së tij, Dumani u shpreh se presionet politike mbi çështje të caktuara nuk kanë ndikuar në punën hetimore të SPAK. Ai bëri me dije gjithashtu se mbi 50% e çështjeve që përfshijnë zyrtarë të lartë kanë marrë vendim të formës së prerë.
Dumani vuri në dukje edhe si mangësi mosrikandidimin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit, duke theksuar se largimi i tyre krijon “anomali” pavarësisht investimit në formimin profesional.
“Shqipëria nuk ka luksin të humbasë prokurorë profesionistë. Duhet t’u jepet mundësia e rikandidimit atyre që dëshirojnë të vazhdojnë”, tha ai.














