Ambasada gjermane në Tiranë ka reaguar pas zgjedhjes së Klodian Brahos në krye të SPAK, duke e përshëndetur procesin dhe duke theksuar rëndësinë që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka për rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Në një reagim në rrjetet sociale, ambasadori Guido Bergner theksoi se angazhimi i vendosur në luftën kundër korrupsionit është një nga prioritetet kryesore që Gjermania sheh në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Reagimi i ambasadës gjermane:
Urime drejtuesit të ri të zgjedhur sot të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho. Lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka një rëndësi të jashtëzakonshme nga këndvështrimi i Gjermanisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të cilin ne e mbështesim. Për punën e rëndësishme të SPAK-ut mbeten thelbësore integriteti, pavarësia dhe respektimi i standardeve më të larta të shtetit të së drejtës.
I uroj shumë sukses Klodian Brahos dhe të gjithë punonjëseve e punonjësve të SPAK-ut në detyrën e tyre ambicioze, si dhe një bashkëpunim të frytshëm me institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare. Mirënjohja ime sot shkon edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për procesin transparent të zgjedhjes dhe për të gjitha institucionet e drejtësisë në Shqipëri, të cilat çdo ditë kontribuojnë për shtetin e së drejtës.














