SPAK ka goditur disa grupe kriminale, bashkë me 5 drejtues të tyre që dyshohet se 5 vitet e fundit kanë trafikuar drogë në vlera miliona euro nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, 10 prej të cilave janë ekzekutuar. Tre prej këtyre janë aktualisht në burg dhe masa e arrestit iu është komunikuar në qeli. Ndërkohë janë shpallur në kërkim 4 të tjerë.
Në pranga kanë rënë:
- Rexhep Rraja,
- Përparim Rraja,
- Gazmir Rraja,
- Aldo Gjini alias Aldo Iamandi,
- Jani Çavo,
- Islam Sefa alias Islam Xaka,
- Agim Nina alias Lorenc Selmani,
- Zamir Aliaj alias Zamir Çoku,
- Sokol Qaja
- Marvin Bushati alias Marvin Kopliku.
Në kërkim janë shpallur:
- Bujar Sefa
- Hajdar Sefa
- Vildan Baroku (të cilët kanë qenë të shpallur më parë në kërkim apo të dënuar në mungesë për konsumimin e veprave të tjera penale)
- Ervis Shuli (i cili ndodhet jashtë shtetit).
Ata akuzohen për veprat penale të kryera gjatë viteve 2020-2021: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës. Policia gjyqësore ka ekzekutuar 11 (njëmbëdhjetë) vendimet e Gjykatës, si dhe janë realizuar kontrolle (banesash, automjetesh, dhe personash).
Pas kontrolleve të ushtruara deri në këto momente, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
- 415.000 Euro
- 7000 Dollarë Amerikanë
- 1.000.000 Lekë
- 11 aparate telefonash celularë
- 3(tre) automjete të markave të ndryshme si (BMW X-5, Range Rover, Volkswagen golf 6),
- 1(një) armë zjarri model Glock me 9 fishekë
- 1(një) jelek antiplumb
- 1(një) palë dylbi
- 1(një) orë ROLEX
- 1(një) DVR, si dhe dokumente të ndryshme.
Çfarë zbuluan hetimet
Nga hetimet e deritanishme kanë rezultuar dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se personat e dyshuar janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian. Gjatë veprimtarisë së tyre, të dyshuarit kanë komunikuar gjithashtu mes tyre përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”. Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike.
Nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 14 (katërmbëdhjetë) shtetasve shqiptarë nën hetim: Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini alias Aldo Iamandi, Jani Çavo, Islam Sefa alias Islam Xaka, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Zamir Aliaj alias Zamir Çoku, Sokol Qaja, Marvin Bushati alias Marvin Kopliku, Bujar Sefa, Hajdar Sefa, Vildan Baroku dhe Ervis Shuli, të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, si dhe nga ekzekutimi i letërporosive nga autoritetet malazeze, holandeze dhe turke, janë zbardhur rrethana të rëndësishme të kryerjes së veprave penale, duke u evidentuar rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në këtë veprimtari kriminale, sipas episodeve të paraqitura më poshtë.
Episodet e trafikut të drogës
– Episodi i parë, i përket datës 3.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kg, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.
– Episodi i dytë, i përket datës 23.11.2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.
– Episodi i tretë, i përket datës 26.1.2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.
Gjithashtu, të hetuarit Marvin Bushati, më datë 10.12.2025, iu sekuestrua, ndër të tjera, një armë zjarri model “Glock”, dhe është arrestuar në flagrancë për veprën penale;“Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në banesë (neni 278/4 i Kodit Penal), gjatë ekzekutimit të masës së sigurimit personal.
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.
PAMJE nga operacioni
Kush janë të arrestuarit dhe ata në kërkim
Rexhep Rraja, djali i ish deputetit Rrahman Rraja, dhe kushëriri Përparim Rraja ishin në kërkim nga policia e Fushë Krujës për dhunën në guroren e këtij të fundit në Borizanë, ngjarje e ndodhur më 6 korrik 2023. Dhuna barbare ndodhi pasi dy kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Përparim Rrajës po u prishte shtëpitë në Borizanë. Anëtarët e fisit Rraja i bënë për spital pasi i dhunuan me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda. Rexhep Rraja, përveç dhunës barbare ndaj kushërinjve Maja, njihet për historinë e bujshme me Xhisiela Malokun, vajzën nga Fushë-Kruja, e cila në 2018-ën, denoncoi se u dhunua nga partneri pas ndarjes, por 4 orë më pas tërhoqi denoncimin.

Tre personat që janë në burg për të njëjtin aktivitet kriminal.Islam Sefa u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge. Ai akuzohet si drejtues dhe financues i një grupi që trafikoi 912 kg marijuanë në vlerë 3.3 milionë euro drejt Gjermanisë. Më 18 dhjetor të këtij viti, GJKKO e dënoi me 11.4 vite burg për trafik droge në 9 episode. Vëllai i tij, Bujar Sefa, në kërkim për këtë operacion, u dënua në mungesë me 10 vite burg më 1 korrik të vitit 2024 si drejtues i një grupi kriminal që kultivonte parcela me kanabis në disa zona të Krujës. Të dy vëllezërit, Islam dhe Bujar Sefa, sipas shkrimeve të kohës, rezultojnë të dënuar në vitin 2021 në Itali me nga 9 dhe 12 vjet burg, si pjesë e një organizate që merrej me trafikun e drogës nga Holanda në Venezia, gjatë viteve 2016-2017.
Jani Çavo, të cilit masa iu komunikua në burg, u arrestua në qershor 2023 si pjesë e një grupi që trafikonte kanabis nga Siria dhe heroinë që vinte nga Turqia, me vlerë deri në 2.7 milionë euro. Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO e dënoi grupin e tij në total mëe 107 vite burg, ndërsa Çavo u dënua me 8.8 vite burg.
Aldo Gjini po ashtu është arrestuar më herët. Në korrik 2021, u përfshi në një plagosje në Tiranë. Gjini rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për akuzat tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake. Dyshohet edhe si autor i një plagosjeje në 2020 në Luksemburg. Në vitin 2016, u arrestua në Itali për shpërndarje droge.
Hajdar Sefa dhe Vildan Baraku kanë qenë bashkëpunëtorë, në grupin kriminal të drejtuar nga Islam Sefa, të 3.3 mln euro marijuanë të trafikuar në Gjermani.















