Pas dorëheqjes së Elsa Toskës nga detyra e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, do të hapet zyrtarisht procedura për plotësimin e vendit vakant në këtë institucion. Komisioni i Ligjeve do të nisë nesër procedurat për hapjen e garës, ndërsa mandati i gjyqtarit të ri do të jetë i plotë, me kohëzgjatje nëntëvjeçare.
Kandidatët që duan të aplikojnë për këtë pozicion do të kenë një muaj kohë për të dorëzuar dokumentet e nevojshme. Më pas, aplikimet do të vlerësohen dhe renditen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED).
Sipas procedurës, nëse në votim arrihen 84 vota, zgjidhet një nga tre kandidatët me më shumë pikë, ndërsa në rast të kundërt, automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese shpallet kandidati i renditur i pari nga KED.
KED e kishte pezulluar më herët procesin, për shkak se pas verifikimit të dokumenteve numri i kandidatëve kishte rënë nën tre
Ndërkohë kujtojmë që Gjyqtarja Elsa Toska paraqiti dorëheqjen më 19 shtator 2024, duke e argumentuar me “arsye personale”, pa dhënë asnjë shpjegim publik apo institucional.
LEXO EDHE:
Dorëheqja e habitshme e Elsa Toskës shton njollat e errëta mbi Gjykatën Kushtetuese













