Deputetja e Partisë Demokratike dhe drejtuesja e Forumit të Gruas në PD, Albana Vokshi, është rizgjedhur për një mandat të dytë si zv/presidente e forumit EPP Women, pjesë e Partive Popullore Europiane.
Zgjedhja u bë gjatë mbledhjes së përgjithshme të mbajtur sot në Bruksel, ku presidente e re e forumit u zgjodh Mariya Gabriel, ish-zv/kryeministre dhe ish-ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Në fjalën e saj pas rizgjedhjes, Vokshi u shpreh mirënjohëse për besimin e dhënë dhe theksoi rëndësinë që ky rol ka për gratë shqiptare.
“Është një nder i madh të qëndroj sot para jush dhe të kërkoj mbështetjen tuaj për të shërbyer përsëri si Zv/Presidente. Jam thellësisht mirënjohëse për besimin që më keni dhënë gjatë këtyre dy viteve të fundit. Ju falënderoj që më lejuat të punoj me ju dhe të përfaqësoj besimin tonë të përbashkët në fuqinë dhe potencialin e grave në Europë. Për mua, si një grua shqiptare, kjo rol ka një kuptim të veçantë. Shërbimi si zv/presidentja juaj është një nga pozicionet më të larta që një grua shqiptare ka mbajtur ndonjëherë në politikën ndërkombëtare. Shumë gra në partinë time, dhe shumë gra në të gjithë Shqipërinë, kanë ndjerë krenari dhe frymëzim nga besimi që ju vendosët tek një prej tyre. Besimi juaj ka dhënë forcë mijëra grave që ëndërrojnë të gjejnë vendin e tyre në udhëheqje.”, tha Vokshi.














