Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi qeverinë se e ka kthyer vendin në një narkoshtet, të parin në Evropë dhe kjo sipas tij faktohet nga rezolutat e deritanishme që ka bërë faktori ndërkombëtar për Shqipërinë, para dhe pas zgjedhjeve të 11 majit.
Berisha foli edhe për situatën ekonomike, paranë e zezë dhe shpopullimin e vendit.
“Të gjitha rezolutat faktojnë para të gjitha partive politike realitetin dramatik të Shqipërisë nën regjimin e Edi Ramës. Rezolutat mbështesin fuqimisht opozitën shqiptare dhe popullin opozitar që përballen me regjimin kriminal dhe përjetojnë momentet e vështira, shtypjen e pluralizmit dhe shtypjen e të drejtave themelore të qytetarëve. Rezolutat janë kambana alarmi se në Shqipërinë e vogël që dikur Enver Hoxha e quante kështjella e pamposhtur nga imperializmi, Edi Rama ndërtoi kështjellën e drogës. Rezolutat nxjerrin në ditën e diellit keqpërdorimin e drejtësisë dhe reformës në drejtësi nga narkoregjimi”, tha Berisha.
Kreu i opozitës nuk kurseu as drejtësinë, që tha se i shërben pushtetit, duke arrestuar liderët e opozitës, ndërsa shprehu bindjen për ndërkombëtarët se kryeministri ka ngritur narkoshtetin e parë në Evropë.
“Drejtësia vuri nën arrest apo arrest shtëpie liderët e tre partive kryesore të opozitës. Rezolutat janë dëshmi serioze e narkoshtetit të parë në Evropë. Armik më të egër se narkoshtetin e Edi Ramës nuk kanë pasur. Shpopullimi i vendit, largimi masiv i shqiptarëve dhe rënien e popullsisë në këtë narkoshtet në mënyrë dramatike. Lexoni të dhënat e fundit të INSTAT-it, paralajmërojnë katastrofë në çdo aspekt. Nga 2013 e deri sot vdekjet dominojnë mbi lindjet. Kemi lindshmërinë më të ulët në botë”, tha Berisha.
Më tej ai, duke iu referuar përsëri shifrave zyrtare, deklaroi se vdekjet po mbizotërojnë mbi lindshmërinë.
“Po ky institut tregon se mbizotëron paraja e pistë dhe ekonomia është në rënie të lirë. Ekonomia kontribuon vetëm 49% në rritjen ekonomike. Thonë për rritjen ekonomike, kur ajo është me taksa neto, pra një rritje false. Narkoshteti dhe narkodiktatura nuk kanë të ardhme”, u shpreh kryetari i PD-së para gazetarëve.
Duke iu rikthyer zgjedhjeve të 11 Majit, Berisha lexoi pjesë nga raporti i OSBE-ODIHR, ku vuri në dukje se zgjedhjet ishin farsë, u përdor partia-shtet, grupet kriminale dhe ndikimi në rezultatin zgjedhor, ku u kandiduan edhe figura të lidhura me organizata kriminale apo u shantazhuan kandidatët.














