Ish-kryeparlamentarja dhe deputetja e PD-së, Jozefina Topalli akuzoi qeverinë për skandalet abuzive dhe korrupsionin, duke bërë edhe ironi me mazhorancën, për të cilën tha se “anija po fundoset dhe timonieri ka humbur drejtimin”.
“Zoti kryetar, në kushte normale do të thoja se në rendin e ditës mund të futen 15-20 pika, kjo është normale. Por kjo sot ka kaluar në vend të dytë, sepse janë shmangur pikat kryesore për diskutim. Kjo qeveri është e zhytur kokë e këmbë në skandale. Treçereku i qeverisë që keni këtu është i zhytur në skandal. Drejtoni një qeveri që është si një anije që ka marrë ujë dhe timonieri e ka humbur drejtimin – dhe timonieri është kryeministri”, tha Topalli mes të tjerash.
Ajo shtoi se qeveria tashmë është e rënë, në krizë, pasi gjithçka është e shkatërruar dhe situata ku ndodhet vendi është e rëndë.
“Të jemi të përgjegjshëm për situatën ku ne ndodhemi. Për tre muaj është përmbytur e përmbysur çdo gjë. Ndaj kërkojmë të jeni të përgjegjshëm për situatën në të cilën ndodhemi, pasi nuk keni më mazhorancë. Nuk është përmbysur si disa qytete nga uji, por nga pesha e jashtëzakonshme e korrupsionit të këtij pushteti. Është shkatërruar gjithçka e këtij pushteti”, tha ish-kryeparlamentarja.














