Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, deklaroi se hetimi ndaj ministres Belinda Balluku dhe dosjet e tenderave që ajo ka menaxhuar mund të shkojë deri tek kryeministri Edi Rama. Ai tha se socialistët duhet të fillojnë të mendojnë për një kryeministër tjetër dhe për një qeveri teknike.
Sipas Çollakut, hetimi përfshin shumë raste ku dyshohet për përfitime dhe keqpërdorime të lidhura me tendera dhe aktivitete të tjera të menaxhuara nga Balluku dhe drejtues të tjerë të administratës.
Ai nënvizoi se struktura e posaçme po shqyrton çdo material dhe komunikim të koduar që lidhet me këto çështje dhe se, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur apo manipuluar informacionin, personat e përfshirë do të jenë të pandehur.
Gazetari shtoi se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të kërkesës së kryeministrit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit mund të vendosë arrest me burg për Ballukun dhe të kërkojë heqjen e imunitetit të saj.
‘Shikoni, nga të dhënat e deritanishme theksohet që kryeministri nuk ka biseduar vetëm me zonjën Balluku, por dhe me drejtorët të cilët janë pjesë e këtij ekipi dhe ajo çfarë mungon, unë them ende, po jam i bindur që do vijmë tek ai moment ku struktura e posaçme, është hera e parë që po hetohet në fakt pa ndërprerje një tender dhe një punë e madhe e plaçkitur, e vjedhur.
Një, janë shumë të tilla, që shkojnë tek kryeministri. Nuk po hetojmë për gardëroba më, nuk po hetojmë për këpucë, nuk po hetojmë për bankete dhe për tapete. Dhe jam i bindur që do të vijmë tek akuza e organizatës kriminale.
Do të shkohet te kjo akuzë dhe në krye të kësaj organizate kriminale nuk mund të jetë zëvendësi, është eprori i zëvendësit. Ta shndërrosh Shqipërinë në një fuqi narkotike siç është bërë tani, dhe të vish akoma të lexosh përralla nëpër Evropë, ky i pandehur do të jetë modeli dhe shembulli për t’u dhënë leksione kujtdo pretenduesi tjetër që t’i ngjajë, që të merret i pandehur edhe në detyrë, ose të largohet diku tjetër nga detyra.
Socialistët do të mendojnë për një kryeministër tjetër në një qeveri teknike.
Nuk besoj se Gjykata Kushtetuese do shkojë sipas oreksit të stomakut të kryeministrit të vendit, por nëse ndodh, të jemi të bindur se struktura e posaçme do kërkojë arrest me burg për ministren Balluku dhe kërkesë për heqje të imunitetit të saj. Edhe nëse Gjykata shprehet pro asaj kërkese, këto masa janë drejt asaj rruge.
Kryeministri këtë është duke bërë, duke u përpjekur të krijojë vetëmbrojtje, të krijojë mbrojtjen e vetvetes, nuk do të mbrojë Ballukun. Ndonëse ata kanë në materialet e shkëmbyera dhe favore dhe ndere dhe porosi të kryera ndaj njëri-tjetrit, kanë materiale dhe lëndë penale të shumta dhe të pafundme, e cila është e grumbulluar nga struktura e posaçme.
Çdo lloj telefoni sado që të përpiqet ta fshehë, ta pastrojë, ta sistemojë, të gjithë materialet, të gjithë lëndën. Unë nuk po them për telefonat që ata kanë zyrtarisht, do flas dhe për telefonat e tjera që ata sot mendojnë se struktura nuk i di, por partnerët dhe Prokuroria e Posaçme i ka nëpër duar dhe komunikimet e tyre të koduara të mëparshme, kushdo qofshin këta, ministra apo në adresë të kryeministrit.
Ky material është tek porta e tyre dhe ata mund të jenë duke negociuar se si do të sillen. Por që do të jenë të pandehur, këtë nuk e kanë në dorë më as Rama, as Balluku.
Gjykata Kushtetuese ka në dorë ta ndihmojë strukturën e posaçme duke vendosur edhe rastin ku ankesat e tjera të mos mbërrijnë tek ajo’, tha ndër të tjera Çollaku.














