Të tjera detaje janë zbardhur nga seanca me dyer të mbylluara e mbajtur këtë të shtunë në Gjykatën e Posacme për Belinda Ballukun dhe dy drejtorët e saj Gentjan Gjyli dhe Erald Elezi.
Prokurori Dritan Prençi ka kërkuar që masat për Ballukun të qëndrojnë në fuqi, sepse ekziston mundësia që të arratiset, të intimidojë dëshmitarët, të prishë provat dhe të ripërsërisë veprën penale për shkak të pozicioneve që mban.
Por Balluku e ka kundërshtuar pezullimin nga detyra, pasi sipas saj është e zgjedhur.
“Jam e hapur për hetimin, por nuk pranoj pezullimin sepse jam e zgjedhur”,- raportohet të ketë thënë Balluku.
Gjithashtu masën e kanë kundërshtuar dhe vartësit e saj që janë në “arrest shtëpie”.
Pas pretendimeve të tyre, trupa gjykuese është tërhequr për vendimin.
Belinda Balluku u pezullua nga detyra e Zv/kryeministres dhe Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, dy ditë më parë me vendim të GJKKO-së dhe iu ndalua dalja jashtë vendit.














