Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren, Belinda Balluku si dhe i ndaloi asaj daljen jashtë vendit.
Sipas gazetares Klodiana Lala, gjykata ka vendosur masat ndaj Ballukut, pasi kjo e fundit duke qenë numri 2 i qeverisë, rrezikonte të cënonte provat.
“GJKKO ka vlerësuar se influenca e Belinda Ballukut si numri 2 i qeverisë, pozicioni që e mban ndër vite, fakti që ka drejtuar Ministrinë me portofolin më të madh buxhetor, ka të gjitha mundësitë për të deformuar provat dhe intimiduar dëshmitarët. Sipas GJKKO, mbajtja larg zyrës së zv/kryeministres dhe ministres së Transporteve e Energjisë, bën që ajo të mos dëmtojë provat dhe të mos ushtrojë presion mbi dëshmitarët”, është shprehur Lala.
Sipas vendimit të Gjykatës, Balluku mund të dalë jashtë vendit vetëm me një leje të veçantë që prek rastet e familjarëve dhe raste të rënda shëndetësore.














