Nga Boldnews
Në vitin 2022, ish-godina shumë-vjeçare e Universitetit Europian të Tiranës (UET), në bulevardin “Bajram Curri”, në zonën që tiranasit e njohin si “NSHRAK”, u shndërrua në një pirg gjigand inertesh. Në vend të institucionit arsimor, që u zhvendos diku në periferi të Tiranës, do të ngrihej një kompleks rezidencial, me lartësi maksimale 18-kate.
Në dhjetor të vitit 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi vendimin “Për miratimin e lejes së zhvillimit për projektin ‘Tirana Gjergj Fishta Residential Complex”.

Projekti i miratuar parashikonte ndërtimin e ambjenteve të reja me funksion residencial dhe shërbimesh, prej 2, 4, 5, 7, 9, 11, 12 dhe 18 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokësore, Tiranë.
Kompania investitore është “Forever Construction”, e cila aktualisht është në pronësi të sipërmarrësit Lefter Sota. Projekti ishte ideuar nga studio “Marco Casamonti &Partneres”, një prej zyrave më të parapëlqyera nga Edi Rama për përgatitjen e planeve për kulla të ndryshme në Tiranë.

Në dokumentat e konsultuar nga “Boldnews.al”, rezultonte se kompleksi me lartësi totale 18 kate do të kishte një sipërfaqe të përgjithshme ndërtimore ishte 102.580 m2.
Por, pas tre vjetësh, gjithçka ndryshoi. Projekti i kullës “mbeti shtatëzanë” dhe, ende pa nisur, lartësia e saj u trefishua, ndërkohë që sipërfaqja totale e ndërtimit u shtua me mbi 50 mijë metra katrorë. Të gjitha këto, falë firmës së kryeministrit Edi Rama, i cili vendosi të miratojë lejen që shton ndjeshëm parametrat e godinës, duke e shndërruar në një kullë të vërtetë.
Kulla e Sotës, nga 18, në 56 kate
Në 25 Prill 2023, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), sërish nën drejtimin e Edi Ramës, miraton vendimin “Leje zhvillimi për objektin; kompleks hoteleri, rezidencial dhe shërbime ‘Lana Riverside Residences”, me adresë bulevardi “Gjergj Fishta”, Tiranë.

Investitori është sërish “Forever Construction” e Lefter Sotës dhe projektues është sërish arkitekti Mario Casamonti.
Leja e ndërtimit u dha për kompleks “1, 2, 3, 5, 8, 56 kat mbi tokë dhe 6 kat nëntokë”. Në pamje të parë, duket se bëhet fjalë për një projekt të ri, me emërtim të panjohur më parë.
Por, në vendimin nr. 39, datë 25 Prill 2023, me të cilin është miratuar kulla 56 kate, ka edhe një shënim:
“Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit Nr. 19, datë 03.12.2020 “Për miratim e Lejes së Zhvillimit për objektin: “Zhvillim kompleks për ndërtimin e ambjenteve të reja me funksion rezidencial dhe shërbimesh me 2, 4, 5, 7, 9, 11, 12 dhe 18 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, me vendndodhje në bulevardin “Gjergj Fishta”, Bashkia Tiranë”, shfuqizohet”.

Pra, duket qartë që KKT-ja e Edi Ramës ka hedhur “në kosh” projektin paraprak 18-katësh të Lefter Sotës dhe e zëvendësoi atë me një kullë plot 56 kate.
“Boldnews.al” konsultoi të gjithë dokumentacionin shoqërues të lejes së zhvillimit për kompleksin 56-kate “Lana Riverside Residences” dhe nuk u konstatua askund se përse ishte miratuar ky ndryshim. Nuk ka asnjë relacion se për çfarë arsye u vlerësua se duhej trefishuar numri i kateve të projektit të parë. Thjesht, një firmë, ku Godina 18 kate, shndërrohet në kullë gjigande 56 kate.
Dokumentacioni teknik i lejes për kullën 56-kate është thuajse identik me atë që gjendet në lejen për 18 kate. Dhe, në këtë pikë, duket se diçka nuk shkon.

Për më tepër, projekti i dytë ka ndryshuar edhe emërtimin e projektit të parë, ndoshta në një tentativë për të mbuluar tjetërsuar tërësisht situatën e ndërtimit.
Natyrisht, rritja e ndjeshme e kateve do të shtonte në mënyrë eksponenciale edhe sipërfaqen ndërtimore.

Projekti fillestar i Lefter Sotës, në vitin 2020, i emërtuar “Tirana Gjergj Fishta Residential Complex”, parashikonte sipërfaqe ndërtimore totale 102.580 metra katrorë. Por, pasi projekti, me firmën e Edi Ramës, ndryshoi emërtimin në “Lana Riverside Residences”, sipërfaqja ndërtimore shkoi në 155.900 m2, plot 53 mijë metra katrorë më shumë.
Investitori
Shoqëria investitore, “Forever Construction” është krijuar në vitin 2018. Aksioneri themelues është Asllan Fetiu, një bashkëpunëtor i ngushtë i biznesmenit të spitaleve, Klodian Allajbeu.
Në prill të vitit 2020, Allajbeu bëhet pronar “de jure” i kompanisë, duke ia blerë Fetiut aksionet për 100 mijë lekë të reja. Administrator i shoqërisë emërohet Arbër Teqja, një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë biznesi i Allajbeut.

Gjatë kohës që “Forever Construction” ishte në pronësi të Klodian Allajbeut, kryeministri Edi Rama miratoi lejen e ndërtimit për godinën 18-katëshe Tirana Gjergj Fishta Residential Complex”.
Por, vetëm 6 muaj pasi merr këtë leje, Allajbeu vendos ta shesë të gjithë kompaninë. Blerësi është biznesmeni Lefter Sota dhe çmimi është fare minimal, vetëm 100 lekë të reja.
Nga ky moment, Lefter Sota është pronari i vetëm. Pasi mori në zotërim “Forever Construction”, ai aplikon pranë Këshillit Kombëtar të Territorit për të ndryshuar lejen, nga 18 kate, në plot 56 kate. Kërkesa e tij, gjeti tërësisht mirëkuptimin e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku.
Lefter Sota është një biznesmen prej vitesh në tregun financiar shqiptar. Ai është njohur më herët edhe si “Lefteri i çelikut”, për shkak të sipërmarrjeve të tij.
Më vonë, në treg hyri edhe i biri i tij, Orest Sota. Një sipërmarrës i ri, Orest Sota u bë një personazh shumë i njohur, për shkak të raporteve të tij të ngushta me Saimir Tahirin, në kohën kur ky i fundit ishte Ministër i Brendshëm.
Emri i Orest Sotës gjendej në një pjesë të konsiderueshme të fashikujve të ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila e hetoi Saimir Tahirin për përfshirje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Megjithatë, ndërkohë që Tahiri u dënua me 3 vjet burgim vetëm për “shpërdorim detyre”, Orest Sota i mbylli problemet e asaj kohe me drejtësinë. Ai u arrestua fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit, pasi në automjetin e tij iu gjendën 853 mijë euro, si edhe patentat e lundrimit të ish-ministrit Tahiri.
Megjithatë, gjykata e Elbasanit vendosi në mars 2021 pushimin e çështjes penale ndaj tij për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.














