Familja e 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili, i cili u vra në Greqi ka reaguar në lidhje me lajmet se nëna e këtij të fundit ka ndërruar jetë pasi mori vesh lajmin.
Familja ka mohuar kategorikisht publikimin, duke theksuar se nëna e të riut është mirë me shëndet.
“Gjithçka është mirë, gruaja është mirë, çfarë budallallëqesh janë këto që po shkruajnë? E di që i shkruajnë kudo, por fola me të. “Duam të dimë kush e publikoi i pari”, ka deklaruar tezja e 27-vjeçarit, duke i dhënë fund dyshimeve.
27-vjeçari shqiptar Sulo Halili nga Tepeleni u gjet i vrarë dhe i djegur brenda makinës së tij në rajonin Skourta të Viotias në Greqi më 8 nëntor.
Sipas raportimeve i riu dyshohet se është joshur në Vilia për të takuar një grua që e kishte njohur përmes një aplikacioni takimesh. Megjithatë, në vend të një takimi, duket se ishte ngritur një kurth i mirëorganizuar.
Sipas informacioneve të deritanishme, autorët e mbajtën peng Halilin për rreth 24 orë, ku e torturuan dhe më pas e qëlluan. Më vonë, thuhet se ata e transportuan trupin e tij në Skourta dhe i vunë flakën brenda makinës.
Autoritetet greke vazhdojnë hetimet për të identifikuar autorët dhe për të sqaruar plotësisht rastin.














