Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arapaj të Durrësit, ku një 55-vjeçar ka ndërruar jetë pas një konflikti me një 18-vjeçar.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Durrësit, ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, kur viktima është përfshirë në një sherr me bashkëfshatarin e tij të mitur.
Konflikti dyshohet se ka nisur pasi 55-vjeçari kishte sharë një fëmijë të vogël, i cili më pas ia kishte treguar ngjarjen vëllait të tij 18-vjeçar.
I revoltuar, adoleshenti është përballur me të rriturin dhe e ka goditur disa herë me grushta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. 55-vjeçari është dërguar menjëherë në spital në gjendje kritike, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë dy ditë më parë.
Policia e Durrësit ka arrestuar 18-vjeçarin, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike që i mori jetën një personi dhe çoi një të mitur përpara drejtësisë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.11.2025, në lidhje me procedimin penal të 18-vjeçarit, shtetasit L. Ç., pasi dyshohej se për motive të dobëta, kishte goditur me grusht, shtetasin S. F., 52 vjeç, njoftojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kryen ndalimin me iniciativë të shtetasit L. Ç., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se si pasojë e goditjes me grusht, 52-vjeçari ka rënë me kokë, në tokë, në një rrugë në fshatin Arapaj, dhe pavarësisht ndihmës mjekësore, ka humbur jetën më datë 10.11.2025, rreth orës 22:00, në Spitalin e Traumës.














