Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka dorëzuar një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi dënimin e Apelit me 1 vit burg për veprën penale “kallëzim i rremë publik”.
Relatore e çështjes është gjyqtarja Mariana Semini. Salianji ka deklaruar më herët se dënimi i tij ishte i motivuar politikisht, duke theksuar se denoncimet e tij po faktohen një e nga një.
Vendimi i Apelit e dënoi ish-deputetin me 1 vit burg, por ai u lirua pas 9 muajsh. Në zbatim të masës së shërbimit të provës, Salianji u paraqit për herë të fundit më 26 shtator, sipas vendimit të GJKKO.
Në një deklaratë për mediat, ai paralajmëroi se beteja e tij me drejtësinë nuk mbyllet këtu, por do të vijojë në Gjykatën Kushtetuese, ku tashmë ka depozituar kërkesën për shqyrtim.














