Forca të shumta të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policisë Bashkiake rrethuan më 3 nëntor një kantier ndërtimi me objekte 2-3 katëshe, që rezultonte në shkelje flagrante të lejes së ndërtimit në zonën e Farkës.
Burime të Boldnews.al raportuan pak ditë më parë se vilat po ndërtoheshin nga Vladimir Kosta, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe i “përkëdheluri me leje” nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Ditën e sotme, policia njofton se ka arrestuar 5 inspektorë të IMT Tiranë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi lejuan ndërtimin pa leje të tri objekteve në një zonë rezidenciale në Sauk. Po ashtu në pranga ranë drejtuesja teknike dhe inxhinieri i subjektit për llogari të të cilit janë ndërtuar tri objektet.
Në operacionin policor “Wrong Project” u ndaluan 5 inspektorët:
- Gjergji Male,
- Krenar Rexhepi,
- Aldo Dubi,
- Odise Cenaj,
- Endri Dervishi,
- Drejtuesja teknike Bianka Xhumari,
- Inxhinieri i subjektit Ritvan Gjikolaj.
Në kërkim janë shpallur inspektorët e IMT: Xh. M., 32 vjeç, K. D., 37 vjeç dhe A. N., 46 vjeç. Po ashtu në kërkim u shpallën edhe shtetasit E. K., 55 vjeçe dhe S. S., 67 vjeç, bashkadministratorë të subjektit ndërtues, dhe shtetasja E. Sh.(Ç.), 45 vjeçe, arkitekte në këtë subjekt. Veprimet operacionale për këta shtetas u kryen për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Blendi Sula, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe Drejtoresha e Përgjithshme e IMT-së, Dallëndyshe Bici, e ndoqën nga afër show-n e IMT-së pak ditë më parë si për të treguar se po punojnë kundër paligjshmërive! A thua se po të ishte në interesin e tyre do të ndërhynin…!
Albana Koçiu u habit me ndërtimet pa leje shumë kohë pasi ato janë ndërtuar, a thua se ishin kasolle në periferi të Tiranës që s’ia kish zënë syri askujt, e jo vila disa katëshe që do shiteshin me qindra mijëra euro dhe do mbushnin plot xhepat e ish kolegut të saj.
Pyetja tashmë është: Çfarë mase do merret ndaj Vladimir Kostës pasi u kap në paligjshmëri? Apo si gjithmonë, pasojat do i “hajnë cironkat” dhe Vladimir Kosta do vijojë të ndërtojë tjetërkund?!
PAMJET:
“Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve intensive në terren, të kryera së fundi, në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Hapësira publike”, me objektiv konstatimin dhe ndëshkimin e rasteve të pushtimit të hapësirave publike, me ndërtime të paligjshme dhe/ose me aktivitete fitimprurëse, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Wrong Project”, në kuadër të të cilit evidentuan 3 raste në fushën e ndërtimeve të paligjshme, në një zonë rezidenciale në Sauk.
Për këto raste:
-u ndaluan me iniciativë shtetasit Gj. M., 38 vjeç, K. R., 48 vjeç, A. D., 35 vjeç, O. C., 41 vjeç dhe E. D., 32 vjeç; u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. D., 35 vjeçe, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Xh. M., 32 vjeç, K. D., 37 vjeç dhe A. N., 46 vjeç, të gjithë me detyrën Inspektor i IMT Tiranë, pasi dyshohet se me mosveprimet/veprimet e kryera duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar ndërtimin pa leje, të 3 banesave, në zonën rezidenciale. Veprimet operacionale për këta shtetas u kryen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
-u ndaluan shtetasit B. Xh., 35 vjeçe dhe R. Gj., 36 vjeç, me detyra përkatëse drejtuese teknike dhe inxhinier i subjektit për llogari të të cilit janë ndërtuar tri objektet, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. K., 55 vjeçe dhe S. S., 67 vjeç, bashkadministratorë të subjektit ndërtues, dhe shtetasja E. Sh.(Ç.), 45 vjeçe, arkitekte në këtë subjekt. Veprimet operacionale për këta shtetas u kryen për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale individuale të 14 shtetasve të implikuar në këtë rast.
Ndërkaq, kontrollet dhe verifikimet në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Hapësira publike”, vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”- njofton policia në reagimin zyrtar.
LEXO EDHE:
Policia rrethon vilat pa leje të ish-deputetit të PS në Farkë, Koçiu dhe Proda pjesë e Show-ut














