Pas gati gjashtë vitesh, presidenti amerikan Donald Trump dhe ai kinez Xi Jinping do të takohen nesër në Seul, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC). Takimi, i pari që nga viti 2019, pritet të përcaktojë drejtimin e marrëdhënieve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Sipas burimeve nga të dyja palët, Uashingtoni dhe Pekini po punojnë për një marrëveshje që mund t’i japë fund muajve të tensioneve tregtare, të cilat kanë shkaktuar pasiguri ekonomike globale. Në qendër të bisedimeve do të jenë metalet e rralla – burime thelbësore për industrinë teknologjike dhe ushtarake – mbi të cilat Kina mban kontrollin kryesor botëror.
Trump është shprehur optimist për takimin, duke thënë se “shumë probleme do të zgjidhen”, ndërsa ka lënë të kuptohet se çështja e Tajvanit nuk do të jetë në fokus. Pekini ndërkohë ka përsëritur paralajmërimet se nuk do të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për “ribashkimin” me Tajvanin, ndërsa SHBA mbetet mbështetësja kryesore e ishullit.
Në bisedimet paraprake, Kina është shprehur e gatshme të shtyjë kontrollet e reja të eksportit të metaleve të rralla, nëse SHBA pezullon kufizimet për çipat e avancuar. Një marrëveshje e tillë mund të ulë tensionet tregtare, por kritikët në Uashington paralajmërojnë se mund të dëmtojë sigurinë afatgjatë teknologjike amerikane.
Ndërkohë, Trump ka firmosur një marrëveshje me Japoninë për sigurimin e burimeve alternative të metaleve të rralla, duke synuar të reduktojë varësinë nga Kina. Edhe Pekini, nga ana e tij, po forcon lidhjet tregtare me vendet e ASEAN-it për të ulur varësinë nga tregu amerikan.
Megjithë interesat e kundërta, analistët besojnë se të dy udhëheqësit kanë interes të shmangin një përshkallëzim të ri të luftës tregtare, e cila vitin e kaluar solli tarifa mbi 100% nga të dyja palët.
“Trump dhe Xi e shohin veten si liderë të fortë në një moment kyç, por asnjëri nuk dëshiron të rikthehet në spiralen e tarifave të larta,” tha Bonnie Glaser nga Fondi Gjerman Marshall në SHBA.














