Kryeprokurori Olsian Çela paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë trajtuar 61,167 materiale, ç’ka përbën një rritje prej 10.5% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave, numrin më të madh të procedimeve penale e ka pasur Prokuroria e Tiranës, ndërsa Dibra dhe Kukësi janë qarqet me përqindjen më të ulët.
Rritet kriminaliteti
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara në shkallë vendi ka arritur në 1,037 për 100 mijë banorë. Qarqet me nivelin më të ulët të kriminalitetit rezultojnë Berati, ndërsa me më të lartin Saranda.
“Gjatë vitit 2024, në organin e prokurorisë janë trajtuar 61167 materiale në shqyrtim që përbën një rritje prej 10,52 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur gjithsej 47576 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,79 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat: 24956 janë procedime penale të regjistruara, 22441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 janë procedime penale të rifilluara.
Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me rreth 35,5% të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi;
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2024 është 1037, ndërsa në vitin 2023 koeficienti i kriminalitetit ka qenë 872. Në vitin 2024, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Sarandë.
Sa i përket tendencave të kriminalitetit, procedimet për veprat penale kundër pastrimit të parave, tregojnë rritjen më të lartë prej gati 59 %, ato për falsifikim të monedhave dhe letrave me vlerë 48 %, krimet në fushën e doganave afër 40 % si dhe veprat penale në lidhje me veprimtaritë bankare dhe financiare mbi 33 %. Këto të dhëna, nisur nga karakteristikat e veprave penale, evidentojnë forcim të ndjekjes penale ndaj veprimtarive kriminale që prekin sigurinë ekonomike të vendit, si dhe forcim të bashkëpunimit institucional dhe të sistemit të mbikëqyrjes e kontrollit.
Ndërkohë ka një rritje të procedimeve të regjistruara edhe për krimet kundër jetës të kryera me dashje me 21,72 %, për veprat kundër lirisë së personit 30,59 %, për krimet seksuale gati 30%, për veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit pothuaj 29 %, për veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes rreth 18 %. Rritja e numrit të procedimeve në këto fusha, dikton nevojën për ndërhyrje të koordinuara për forcimin e mekanizmave ligjorë dhe socialë të parandalimit, si dhe nevojën për të garantuar mbrojtjen efektive të kategorive vulnerabël të shoqërisë.”- tha Çela.
A u përdor administrata për zgjedhjet?
Referuar raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit, deputeti Agron Gjekmarkaj kërkoi llogari për mungesën e veprimeve konkrete nga organet e drejtësisë, veçanërisht për përdorimin e administratës publike dhe fondeve shtetërore në fushatë.
Në përgjigje, Kryeprokurori Çela tha se janë marrë masa për të adresuar krimet zgjedhore, duke ngritur seksione të posaçme për periudhën e zgjedhjeve.
Ai shtoi se janë hapur disa çështje penale në lidhje me përdorimin e administratës dhe fondeve publike, por nuk dha një numër të saktë të tyre, duke theksuar se hetimet janë në vijim dhe se kontrolli realizohet nga pushteti gjyqësor.
“Janë marrë disa masa për krime zgjedhore, nga ana jonë u ndërtuan seksione të posaçme për periudhën zgjedhore me qëllim që këta prokurorë në prioritet të kishin hetimin e këtij krimi.
Ka një sërë çështjes penale që ka nisur hetime, nga 2025 rezulton se janë disa çështje penale, nuk e them dot numrin e saktë, por janë në gjithë territorit, që lidhet me përdorimin e administratës apo fondeve publike në fushatë. Mbetet për t’u parë në vijim. Kontrolli realizohet nga pushteti gjyqësor.” – tha ai.
Agron Gjekmarkaj kritikoi dështimin e task-forcës së posaçme të ngritur për të luftuar manipulimin zgjedhor. Task-forca, e përbërë nga drejtuesit më të lartë të institucioneve të drejtësisë dhe rendit Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, KQZ dhe Policia e Shtetit sipas Gjekmarkajt, rezultoi tërësisht e pafuqishme për të ndalur shkeljet në zgjedhjet vendore të 11 majit.
“Ne që ishim në terren e kuptuam që e tmerrshmja ndodhi dhe ata nuk patën mundësi të bënin asgjë,” deklaroi Gjekmarkaj, duke e cilësuar reagimin institucional si “postum”, pra të ardhur vetëm pasi dëmi ishte bërë.
Deputeti demokrat hodhi akuza të rënda mbi legjitimitetin e procesit zgjedhor, duke thënë se shumë mandate u përcaktuan jo nga vullneti i lirë i qytetarëve, por nga “vota e krimit, e patronazhimit dhe e partisë-shtet”.
Ai vuri në dukje edhe kontrastin mes konstatimeve të misionit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR dhe mungesës së veprimit nga institucionet shqiptare të drejtësisë: “Është paradoksale që vëzhguesit ndërkombëtarë konstatojnë fshirjen e kufirit mes partisë dhe shtetit, ndërsa organet tona nuk shohin asgjë.”
Sipas Gjekmarkajt, presioni i ushtruar nga administrata publike, drejtuesit vendorë dhe patronazhistët mbi votuesit ishte i dukshëm dhe i dokumentuar, por task-forca e ngritur për të parandaluar këto fenomene nuk arriti të ndërhynte në kohë.
‘Po verifikojmë nëse gjyqtarja Irena Gjoka është dënuar nga Greqia’
Çela u pyet më tej nga deputeti demokrat Ivi Kaso për gjyqtaren Irena Gjoka, e cila është dënuar nga Greqia për falsifikim dokumentesh, por ua ka fshehur dënimin insitucioneve shqiptare. Ivi Kaso kërkoi të dinte nëse, sipas Çelës, gjyqtarja kishte kryer vepër penale duke mos deklaruar dënimin.
“Po, është vepër penale. Ia kemi referuar dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku ka pasur 13 raste për deklarime të rreme. Ka sanksione penale sa i përket kësaj çështje”– tha Çela.
I pyetur se pse po zgjat kaq shumë hetimi dhe nëse është e jashtëligjshme kalimi i afateve prej 6 muajsh, Çela tha se “ky process nuk ka afat për tu verifikuar plotësisht. Ne verifikimet ja dërgojmë më pas institucioneve që e kanë kërkuar. Ne kemi kërkuar që të dhënat për hetimin të jenë të plota. Në rastin në fjalë çështja lidhet me kthimin e përgjigjeve ndaj letërporosive, që nuk janë në dorën tonë”.
I pyetur se cilat institucione kanë kërkuar verifikim për dënimin e Irena Gjokës, Prokurori i Përgjithshëm tha se “verifikim u është kërkuar nga KLGJ, kemi komunikuar dhe me SPAK për materialet që na duhen për rastin”.
Në fjalën e tij, deputeti Ivi Kaso, theksoi se një shtet që nuk jep drejtësi mbetet vetëm një strukturë mafioze. Ai tha se PD është e përkushtuar për një reformë të vërtetë në drejtësi, ku sipas tij, ndëshkon kapjen dhe përdorimin politik.
“Ne vijojmë të jemi për përkushtuar në një reformë të vërtet në drejtësi. Të bazuar tek përgjegjësi, meritokracia, balancimi i pushteteve. Dhe jo tek kapja dhe përdorimi politik.
Ne besojmë që një shtet që nuk jep drejtësi nuk është shtet ai mbetet një strukturë mafioze.” tha Kaso.
Tenderat e përfituara nga persona me rekorde kriminale
I pyetur nga Jorida Tabaku lidhur me përfitimin e tenderave publikë nga persona me rekorde kriminale dhe mungesën e hetimeve ndaj zyrtarëve përgjegjës, Çela deklaroi se Prokuroria nuk disponon të dhëna specifike për raste të tilla, duke theksuar se informacionet aktuale janë të natyrës statistikore dhe se çdo rast duhet trajtuar individualisht.
“Nuk mund të them se kam një të dhënë specifike, ku mund të jenë mbyllur sytë. Të dhënat janë të natyrës statistikore. Kjo e dhënë që doni ju është shumë specifike dhe duhet parë rast pas rasti. Pyetjen tuaj mund të na i referoni me qëllim që ne ta marrim dhe t’ia përcjellim të gjitha prokurorive për të na dhënë ndonjë rast specifik.”
Jorida Tabaku tha se nuk mori përgjigje për pyetjet e saj dhe shtoi se shifrat që u dhanë janë vetëm statistika.
Tabaku i rikujtoi kryeprokurorit deklartën e tij në Komisionin e Ligjeve se ka një shqetësim të madh përsa u përket parave të dyshimta në ndërtim, duke ju referuar kullave në Tiranë ku, sipastij, Prokuroria e Tiranës ka 7 prokurorë në seksionin e pastrimit të parave që nuk bëjnë asgjë. Tabaku tha se në gjykimin e PD, kjo është përkeqësuar.
“Dua t ‘iu rikutoj atë që vetë keni thënë më parë në Komisionin e Ligjeve: ka një shqetësim të madh përsa u përket parave të dyshimta në ndërtim, duke ju referuar kullave në Tiranë. Sipas jush, Prokuroria e Tiranës ka 7 prokurorë në seksionin e pastrimit të parave që nuk bëjnë asgjë, ndërkohë që në gjykimin tonë kjo është përkeqësuar.
Në Tiranë janë dhënë 1.9 milionë metra katrot leje ndërtimi, shifër e papërballueshme për kompanitë dhe sektorin bankar.
Në raportin e SPAK-ut të 2023 thuhej që grupet kriminale po përdorin ndërtmin, koncesione dhe PPP për të pastruar paratë.
Sot ka kompani ndërtimi që marrin leje ndetimi për kulla 200 milionë euro me 0 bilanc. A ka ndonjë hapësirë ligjore që ne mund të ndryshojmë, çfarë mund të bëjmë për të stopuar këtë . Sepse të ngremë duart dhe të them është e pamundur për mua nuk është përgjigjje e mjaftueshme. Euro ësjtë ulur drastikisht dhe kjo është këmbanë arlami për ekonominë shqiptare.
A mund të krijojmë një qark të mbyllur se ku shkojnë paratë, nga vijnë paratë që ndërtohet në Tiranë?
Shifra që ju jepni janë statistika.”– tha Tabaku.
Çela i pakënaqur me punën e Drejtorisë së Tatimeve
Çela iu përgjigj sërish deputetes Jorida Tabaku, lidhur me numrin e referimeve nga Drejtoria e Tatimeve dhe institucioneve të tjera të inteligjencës financiare për veprat penale të pastrimit të parave.
Çela tha se ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë fushë, teksa theksoi se situata është e pakënaqshme. Ai tha se pret më shumë kontribute nga Drejtoria e Tatimeve sa i përket referimit të veprave penale që lidhen me pastrimin e parave.
“Ka edhe shumë për të bërë në këtë drejtim. Nuk mendoj se situata është e kënaqshme. Presim më shumë kontribute nga Drejtoria e Tatimeve sa i përket referimit të veprave penale që lidhen me pastrimin e parave.’- tha ai.
Çela kundër propozimeve për ashpërsimin e Kodit të ri Penal
Kryeprokurori i Përgjithshëm ka shprehur kundërshtinë e tij ndaj propozimeve për ashpërsimin e Kodit të ri Penal, duke theksuar se legjislacioni aktual është mjaftueshëm i rreptë dhe në përputhje me standardet evropiane.
Sipas tij, shtimi i dënimeve dhe kriminalizimi i masave administrative nuk janë qasje efektive për një shoqëri demokratike. Ai nënvizoi se përpara se të mendohet për burgun, duhet të forcohen mekanizmat parandalues dhe socialë.
Çela shtoi se çdo tendencë për të rritur ndëshkimet tregon një drejtim të kundërt me parimet e humanizmit, të cilat qëndrojnë në themel të Bashkimit Evropian dhe duhet të udhëheqin edhe reformimin e sistemit penal shqiptar.
“Në momentin që shkojmë drejt ashpërsimit të dënimeve, po largohemi nga parimet e humanizmit. Humanizmi është thelbi i qasjes që duhet të ketë kodi penal. Shtimi i ndëshkimeve dhe kriminalizimi i veprimeve administrative nuk i bëjnë mirë shoqërisë – përkundrazi, e përkeqësojnë,” theksoi Kryeprokurori i Përgjithshëm.
“Është një çështje komplekse. Unë kam një opinion të fortë, e kam theksuar se kodi që kemi është mjaftueshëm i ashpër. Në disa propozimi që na është dashur të japim, ne jemi shprehur për mungesën e domosdoshmërisë së dënimeve që janë mjaftueshëm të ashpra në nivelin evropian.
Nuk mund të jetë burgu zgjidhja e vetëm e problemeve të shoqërisë. Para se të shkojmë te burgu duhet të vihen edhe mekanizma të tjerë që e bëjnë shoqërinë më humane. Në momentin që kemi shkuar tek ashpërsimi i dënimeve do të thotë se jemi duke ecur në drejtim të kundërt me parimet e humanizmit. BE është në radhë të parë parimi i humanizmit. Ne duhet të shkojmë drejt asaj.
Humanizmi është thelbi, qasja që duhet të kishte kodi penal. Fakti që ne shtojmë, ndëshkojmë më shumë, masat administrative i bëjmë krime, apo edhe ashpërsojmë sanksionet nuk mendoj se është qasja e duhur dhe i bën mirë shoqërisë. Ajo agravon më shumë problemet që ka shoqëria.”- tha Çela.













