Policia Kufitare e Portit të Durrësit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Rolet”, duke goditur një rast të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe duke arrestuar dy drejtues kamionësh që transportonin në mënyrë të fshehtë pesë shtetas shqiptarë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të imtësishme në dalje të territorit shqiptar, në dy kamionë të drejtuar nga shtetasit G. Xh., 48 vjeç dhe E. B., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë, u gjetën të fshehur pesë persona që synonin të largoheshin ilegalisht nga vendi.
Një nga personat e fshehur, Indrit Lleshi alias Ibrahim Lleshi, 34 vjeç, i lindur në Dibër, rezultoi të ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Ai ishte dënuar nga Gjykata e Ankonës në vitin 2024 me 7 vjet, 6 muaj e 9 ditë burgim për veprën penale “Vjedhja”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Lleshi u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Gjatë operacionit u sekuestruan kamionët e përdorur për trafikim, mjete identifikimi dhe aparate celularë. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.