Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Imer Krrashin alias Uka që shkaktoi kaos dhe dëme teksa tentoi t’i arratisej policisë me armë në makinë.
Ai u arrestua në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë për armëmbajtje pa leje pas një ndjekje nga policia ku për pasojë u përplasën disa automjete dhe një motor, drejtuesi dhe pasagjeri i këtij të fundit mbetën të lënduar, të cilët rezultuan të ishin një efektiv policie jashtë orarit të punës me bashkëshorten e tij.
Sapo efektivët e pyetën nëse kishte armë apo sende të tjera të paligjshme dhe e urdhërojnë të zbresë për kontroll fizik, 31-vjeçari, person me precedentë kriminal, i jep gaz makinës në Zonën e Liqenit të Thatë duke u larguar me shpejtësi.
Në pamjet e publikuara nga Policia, shihet momenti kur efektivët i vihen të riut në ndjekje duke e arrestuar dhe duke i sekuestruar edhe pistoletën që kishte me vete. Para togave të zeza ai ka kërkuar falje dhe gatishmëri për të kompensuar dëmet materiale.
“Jam penduar për ngjarjen. Kam qenë në gjendje paniku dhe ankthi, nëna më vuan nga kanceri, ndërsa babai më ka ndërruar jetë pak kohë më parë të cilën e kam përjetuar keq. Kam qenë në gjendje ankthi dhe paniku.
Marr mjekime për ankthin dhe depresionin. Kam qenë në gjendje të rënduar. Marr përsipër të dëmshpërblej pasojat e veprimeve të mia, të paguaj dëmet ndaj personave që janë lënduar apo dëmtuar mjetet”.