Detaje të reja janë zbuluar nga ekzekutimi i 44-vjeçarit Artur Bushi në Ekuador, krim i cili dyshohet se u krye nga vrasës me pagesë.
Raportohet se shqiptari mbante dokumente ekuadoriane, ndërsa një grua që ndodhej nën shoqërinë e tij u plagos nga të shtënat me armë zjarri dhe u dërgua në spital.
Vrasja me pagesë ndodhi pasditen e së dielës një rrugën El Poblado, ngjitur me qendrën tregtare Santa Fe, në Medellín.
Sipas mediave të huaja autori fillimisht e pyeti për emrin më pas e qëlloi. Po ashtu mediat ekuadoriane raportojnë se viktima ishte trafikant droge.
Sekretari i Sigurisë së qytetit, Manuel Villa Mejía, tha se autori i dyshuar, i cili udhëtonte me motoçikletë, u arrestua në komunën Bello, në veri të Luginës së Aburrá-s. Motoçikleta dhe arma e përdorur për vrasjen u sekuestruan nga policia.
“Motivet dhe detajet e ngjarjes janë ende në verifikim si pjesë e hetimeve që po zhvillohen nga autoritetet,” tha Villa Mejía.
Hetimet e organizatës InSight Crime kanë nxjerrë në pah se rrjetet shqiptare luajnë një rol kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë strategjike për operacionet e tyre transatlantike.
Mediat kolumbiane shkruajnë se këto grupe kriminale të Ballkanit, shpesh të njohura si “mafia shqiptare”, funksionojnë në mënyrë të decentralizuar.
“Rrjete si “Kompania Bello” kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës — si disidentët e FARC-ut apo grupet Urabeños në Kolumbi — për të siguruar çmimet më të ulëta me shumicë”, thonë mediat në Kolumbi.
Këto rrjete gjithashtu përdorin kompani fasadë për pastrimin e parave, kryesisht nëpërmjet bizneseve të eksportit dhe importit, veçanërisht në portin strategjik të Guayaquil, në Ekuador.