• Kontakt
Monday, October 6, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Dy “urat” e Shijakut/ Vrasje për hakmarrje nga Avdylajt dhe tjetërsim pronash nga “Rrumi”

21:21 : 05/10/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Një program i koduar mesazhesh që kriminelët besonin se ishte i padepërtueshëm, që prej vitit 2023 po rezulton të jetë çelësi për të goditur grupe të rrezikshme kriminale.

Për të arrestuar persona që konsideroheshin të paprekshëm. E për të zbardhur vrasje, dosjet e të cilave ishin pluhurosur në arkivat e Policisë, me siglën “pa autor”.

Planifikimi i krimeve, nga trafiku i drogës te atentatet, të gjitha nën iluzionin e fshehtësisë së plotë, tashmë po rezulton fundi i disa prej bosëve të krimit.

Por para vitit 2021 ata nuk e dinin këtë dhe favori i agjencive të zbatimit të ligjit ishte se këtë herë ishin një hap para tyre. Autoritetet belge dhe ato ndërkombëtare bashkëpunuan në mënyrë perfektë për të goditur klanet e rrezikshme. Ata arritën të deshifrojnë mesazhet në SKY dhe ajo që gjetën ishte një thesar për drejtësinë, njësoj si hapja e kutisë së Pandorës.

Këto mesazhe përmbanin plane të detajuara, lista krimesh që po përgatiteshin, madje edhe foto e video. E ashtu si ndërkombëtarëve, zbërthimi i SKY po i vjen në ndihmë edhe drejtësisë Shqiptare.

Lexo edhe:

Ekzekutohen armë zjarri dy persona jashtë një lokali në Greqi, njëri prej tyre është shqiptar

“Duhet të vdesin njerëz ti zej paniku”, si Avdylajt vendosnin gjoba e terrorizonin durrsakët

Ashtu si në vitin 2023 me operacionin “Metamorfoza” e më tej në vitin 2024 me operacionin “Revanshi”, që në fakt zbuloi edhe aleancat e 7 grupeve kriminale. Zbuloi fijet që lidhin krimin në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Shijak e Rrëshen.

Në një kohë që për personazhet e botës së krimit nuk kishte nevojë për prova shkencore që të marrin vendimin e të dënojnë me vdekje përgjegjësit, për Policinë e Prokurorinë vetëm indiciet duket se nuk kishin mjaftuar për kaq vite që ato dosje flinin nëpër sirtarë.

Sot, pas këtyre indicieve të fundit, dalë nga bisedat e botës së errët të krimit të organizuar në SKY, SPAK po hedh dritë mbi shumë krime të rënda.

Të paktën për ato që kanë ndodhur deri në fund të muajit shkurt të vitit 2021, kohë kur SKY u çkodua e më pas doli nga funksioni. Për krime të tjera, tashmë mund t’i vijë në ndihmë tjetra platformë e enkriptuar, Matrix, që është përdorur edhe pas mbylljes së SKY.

E pikërisht bisedat e zhvilluara në SKY, i shërbyen procedimit penal nr. 235/1, të regjistruar më datë 30 qershor 2023 nga Prokuroria e Posaçme, që po zhvillonte hetime të thelluara në lidhje me disa vepra penale me rrezikshmëri të lartë, të kryera në bashkëpunim të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Në kuadër të këtij procedimi, u finalizua edhe operacioni i fundit i SPAK, që u zhvillua kryesisht në Durrës, më 2 tetor 2025. Operacion që u mbyll me ekzekutimin e 5 urdhër-arresteve, nga 9 të firmosura nga Prokuroria e Posaçme.

U zbardh një vrasje e ndodhur më 21 janar të vitit 2021, që rezultoi e urdhëruar dhe e organizuar nga një prej grupeve te Shijakut. Konkretisht nga Astrit Avdyli dhe nipi i tij, Aldo Avdyli. Bëhet fjalë për vrasjen e Edmir Bregut, i njohur edhe me emrin e Ilir Kuçit, mik i Mod Çekiçit, që u ekzekutua dy muaj pas tij në Durrës, pothuajse në të njëjtin vend.

Një vrasje që ishte hetuar për muaj të tërë nga Prokuroria e Durrësit, e orientuar në një drejtim që sot, pas operacionit të SPAK rezultoi të ketë qenë i gabuar.

Por, grupi Avdyli nuk ishte i vetmi që mori goditjen e radhës nga Prokuroria e Posaçme. Pjesë e të njëjtit procedim, por pa ndonjë lidhje mes tyre, të paktën deri tani, ishte edhe Aleksandër Laho, i njohur edhe si “Rrumi i Shijakut”, që në fakt nuk u arrit të arrestohet. Akuzat ndaj Lahos dhe vëllait të tij, që u arrestua, Vullnet Muça, lidhen me tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, një tjetër organizim kriminal, që sipas SPAK është kryer në formën e grupit të strukturuar.

Prokuroria e Posaçme

Hetimi u krye në bashkëpunim të ngushtë me Europol, Eurojust, si dhe autoritetet ligjzbatuese të Francës dhe mundësoi zbardhjen e një skeme të organizuar kriminale e përfshirë në: Vrasje me paramendim e kryer për hakmarrje, përfshirë dhe mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit; Falsifikimi i dokumenteve dhe korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kryer më shumë se një herë. Hetimet u përqendruan tek disa shtetas shqiptarë, të përfshirë në organizimin dhe realizimin e vrasjes në territorin e Republikës së Shqipërisë për qëllime hakmarrjeje. Personat e përfshirë, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin kanë arritur të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme me automjete me qira, armë zjarri, banesa, si dhe të kryejnë mbikëqyrje të vazhdueshme me qëllim realizimin e vrasjes.

Gjatë hetimeve të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është dokumentuar aktiviteti kriminal, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të dyshuar të veprës penale të vrasjes, me paramendim me qëllim hakmarrjen, në formë e grupit të strukturuar kriminal, si dhe autorëve që kanë kryer falsifikimin e dokumenteve të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

VRASJA E MIKUT TË MOND ÇEKIÇIT

Mbrëmjen e datës 21 janar 2021, 32-vjeçari Edmir Bregu, i njohur edhe me emrin Ilir Kuçi, u qëllua me breshëri kallashnikovi sapo doli nga makina e tij luksoze në lagjen nr.16 të qytetit të Durrësit. Fillimisht vrasja në atë kohë u raportua si konflikt i çastit. Madje dy muaj më vonë, pasi pothuajse në të njëjtin vend ku ai ishte vrarë, u ekzekutua edhe miku i tij, Edmond Keçi alias Mond Çekiçi, dy ngjarjet nisën të hetohen si vijim i njëra – tjetrës. Vrasje, që ashtu siç po rezulton sot, mesa duket hetimet i kishin orientuar në një krah krejt tjetër. Duke përfshirë konflikte mes grupesh kriminale që ndër vite kishin vepruar në qytetin e Durrësit e madje duke ia faturuar, ndonëse pa prova, personave që nuk ishin të përfshirë, të paktën jo në vrasjen e Edmir Bregut.

Dy ekzekutorët pritën momentin kur 32-vjeçari, me origjinë nga Hasi ka parkuar “Porsche Cayenen”, pranë shtëpisë së vjehrrit. Personi që ka qëlluar, i cili qëndronte në sediljen e pasme të makinës me ngjyrë të zezë, ka qëlluar me breshëri kallashnikovi, duke i marrë jetën.

Katër vite nga kjo ngjarje, u zbulua se ishte një ekzekutim për hakmarrje. Konkretisht, grupi Avdyli, kishte urdhëruar vrasjen e Edmir Bregut, pasi kishte të dhëna se ai kishte tentuar të vriste nipin e Astrit Avdylit, shtetasin që vijon të jetë në kërkim që prej majit të vitit 2024, Aldo Avdyli.

SPAK ka arritur të sigurojë prova, sipas të cilave vrasja e Edmir Bregut është porosit nga Astrit Avdyli, si hakmarrje për tentativën e ekzekutimit të nipit të tij. Prokuroria e Posaçme thotë se drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë Aldo Avdyli, si ndihmës dyshohet të jetë i arrestuari Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume, ndërsa si ekzekutorë dyshohet të jenë Ermir Dedja dhe Alfred Doka. 29-vjeçari nga Shijaku, Ermir Dedja, është vrarë më 19 maj 2025. I veshur me një kostum sportiv, po lëvizte në këmbë duke iu afruar një lokali, kur ndaj tij u qëllua disa herë pas shpine.

Ngjarja ndodhi shumë pranë qendrës shëndetësore, kur atentatorë që e prisnin brenda një makine të bardhë tip “Seat”, nisën breshëritë e kallashnikovit në drejtim të tij. I riu u dërgua me shenja jete në Spitalin e Durrësit, por aty dha frymën e fundit, duke mos arritur të mbijetojë. Në atentat dyshohet se morën pjesë të paktën 3 persona. Krismat tmerruan kalimtarët që në atë moment po lëviznin në rrugë.

Policia mundi të sekuestrojë pamjet e disa prej kamerave të sigurisë në zonë, disa prej të cilave kanë fiksuar momentin kur makina e autorëve lëviz në krahun e kundërt dhe pak çaste më vonë dëgjohen të shtënat. Në pamjet filmike, që janë edhe me audio, dëgjohen krismat e kallashnikovit por edhe të bërtiturat e njerëzve, disa prej të cilëve nxitojnë të kthehen mbrapsht për t’u shpëtuar plumbave.

Grupi hetimor fillimisht nisi të gërmojë rreth të shkuarës së Ermir Dedjas, që kishte pasur disa precedentë penal, kryesisht për çështje droge dhe përkrahje të autorit të krimit.

Në vitin 2015, ai ishte arrestuar pasi i kishte lëndë narkotike një grupi që synonte ta trafikonte në Kosovës, përmes pikës kufitare të Morinës. Ndërsa dy vite më vonë ra sërish në pranga, i dyshuar për përkrahjen të autorit të krimit. Konkretisht, u akuzua se kishte ndihmuar autorin e një plagosje të ndodhur në Shijak, shtetasin Ismail Nuredin. Nga ana tjetër, grupi hetimor kishte të dhëna se ai kishte vepruar edhe si pjesë e grupit të Avdylajve në Shijak, pasi kishte miqësi me njërin prej tyre, Aldo Avdylajn. Ermir Dedja, kohët e fundit kishte jetuar në Gjermani, ku dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale.

Nga verifikimi i pamjeve filmike rezulton se autorët kanë mbikëqyrur zonën për orë me radhë dhe më pas i kanë zënë pritë në rrugicën ku ai lëvizte më shpesh. Pasi realizuan vrasjen, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me automjetin “Seat”, që pak orë më vonë u gjet i djegur nga Policia e Vorës, në afërsi të fshatit Gërdec. Në makinë u gjet e djegur edhe një kallashnikov, që sipas Policisë është arma e përdorur në krim.

Policia e Durrësit, tri ditë pas ngjarjes, zbuloi se automjeti i përdorur në këtë atentat, ka hyrë në territorin shqiptar më datë 18 maj, pra një ditë para vrasjes. Makina është sjellë nga Porti i Durrësit nga një shtetas maroken, i cili është larguar nga Shqipëria ditën pas ngjarjes. Autoritetet shqiptare kanë shpallur në kërkim shtetasin maroken dhe kanë kërkuar ndihmën e partnerëve për të bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij. Po ashtu, në lidhje me këtë ngjarje është identifikuar edhe një person tjetër i dyshuar, shtetas shqiptar, i cili është shpallur në kërkim.

Si pistë kryesore e ngritur nga grupi hetimor është ajo e vrasjes me motive hakmarrje, por pa përjashtuar edhe pista të tjera hetimore.

Prokuroria e Posaçme

Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për hakmarrje të shtetasit, Edmir Bregu më datë 21 janar 2021, në qytetin e Durrësit. Veprimet e kundraligjshme të vrasjes me paramendim për hakmarrje, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për hakmarrje dyshohet të jetë shtetasi Astrit Avdyli alias Astrit Balliu, në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, Elidon Avdyli alias Aldo Avdyli. Gjithashtu si drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë shtetasi, Aldo Avdyli, si ndihmës dyshohet të jetë shtetasi Enea Kume, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë shtetasit, E.D dhe A.D. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.

Në lidhje me këtë episod kriminal, janë ekzekutuar tri masa sigurie, ndërsa tre persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim. Astrit Avdyli, si drejtues i grupit, prej qershorit të vitit 2024, ndodhet në paraburgim, pasi u arrestua gjatë një operacioni të forcave speciale RENEA, në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Për një muaj, 51-vjeçari Avdyli qëndroi në arrati, derisa më 29 qershor, u organizua aksioni nga forcat speciale dhe ato operacionale e ai u arrit të arrestohej në banesën e tij në Shijak. Në momentin e arrestimit, ai ishte i armatosur, me një pistoletë më fishek në fole. Në atë kohë ai ishte një ndër personat më të kërkuar, me një masë arresti nga Gjykata e Kundër Korrupsionit të Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK, i akuzuar për “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, Grup i strukuruar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.” Nga hetimet, bazuar edhe nga të dhënat e përftuara nga platforma SKY, rezultonte se Astrit Avdyli bashkëpunonte me Arben Ndokën dhe Ervis Martinajn, për vrasjen e Durim Bamit.

Aleancat për vrasjen e Durim Bamit

Nga intrigat që zbulohen përmes bisedave, që dhjetëra persona kanë zhvilluar përmes aplikacionit SKY, kuptuam se disa njerëz jetonin vetëm për të vrarë dhe ishin gati të paguanin miliona euro që dikush të mos jetonte më. Gjithçka u zbulua në operacionin “Revanshi” të SPAK, në maj të vitit 2024, që zgjati 20 orë dhe u shtri brenda dhe jashtë Shqipërisë. U kërkua arrestimi i 51 personave dhe u zbulua bashkëpunimi i 7 grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak e Rrëshen.

Por si nisi ky hetim i SPAK?

Aleks Ndreka (Deda), i njohur si “Leksi i Druve”, është mes personave të shpallur në kërkim nga SPAK gjatë operacionit të koduar “Metamorfoza”, ku u lëshuan 15 urdhër-arreste.  “Leksi i Druve” ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Sipas dosjes hetimore të SPAK, Aleks Dedën kanë tentuar që ta vrisnin me dron.

Ndreka ka bërë kallëzim në SPAK më 8 mars 2022 dhe më 15 mars është regjistruar procedim penal. Më 18 mars 2022, Prokuroria e Lezhës ka regjistruar procedim penal për vrasje me paramendim, pasi më 7 mars 2022, në orën 13:45, në Lezhë, persona të paidentifikuar që po lëviznin me një “Audi A8”, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Aleks Ndrekës. Prokuroria e Lezhës ka shpallur moskompetencë dhe i ka kaluar aktet në SPAK.

Më 19 shkurt 2024, hetuesit e BKH kanë referuar informacion se në kuadër të bashkëpunimit me Europol, kanë administruar informacion lidhur me disa shtetas shqiptarë dhe të huaj që bashkëpunojnë mes tyre në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj jetës. Informacioni i dërguar bën fjalë për trafikimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike në vendet e BE, si dhe vendet e Amerikës së Jugut. Informacioni i BKH bën fjalë në lidhje me kontraktimin e personave për kryerjen e veprës penale të vrasjes në territorin e Shqipërisë. Disa anëtarë të këtij grupi kriminal, të dyshuar si funksionarë publik, janë të angazhuar njëkohësisht në aktivitete të lidhura me korrupsionin. Këta anëtarë ndajnë në mënyrë të paligjshme me kontaktet e tyre, informacione të siguruara për shkak të detyrës që ushtrojnë.

Në kuadër të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.9 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme, mes të tjerash kanë identifikuar dhe analizuar përdoruesit e SKY. Nga veprimet hetimore janë evidentuar edhe përdorues të tjerë të SKY që dyshohet se janë përfshirë në vepra të rënda penale dhe trafik narkotikësh. Më 30 qershor 2023, SPAK i ka përcjellë një shkresë Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkon ndihmë juridike drejtuar autoriteteve gjyqësore franceze, ku kërkohen të gjitha komunikimet e kryera në SKY nga disa përdorues. Më 23 nëntor 2023, Eurojust ka përcjellë me anë të postës elektronike zyrtare përgjigjet dhe të dhënat e kërkuara nga autoritet gjyqësore franceze.

SPAK ka bashkuar 3 procedime në një të vetëm dhe më 7 maj 2024 janë regjistruar emrat e 51 personave në hetim.

Gjithçka nis një mëngjes dhjetori të vitit 2017 në Lezhë. Plumbat e kallashnikovit i marrin jetën Aleksandër Ndokës, brenda makinës, kur sapo kishte parkuar para shtëpisë. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe kryeinspektori i IKMT-së për Veriun, u qëllua me breshëri  në makinën e tij “Mitsubishi”. Aleksandri ishte vëllai i Arben Ndokës, në atë kohë deputet i Partisë Socialiste. Për shumë kohë ai i besoi drejtësisë. Por nga ana tjetër nisi hetimet vetë për të zbuluar autorët.

E atëherë kur nuk ishte më deputet, për shkak se e humbi mandatin, Arben Ndoka nisi të punojë vetëm në këtë drejtim. Të zbulojë se kush i kishte vrarë vëllain. I bindur se pas kësaj ngjarje ishte Durim Bami, një personazh që drejtonte grupin në zonën e Niklës në Fushë-Krujë, Ndoka nis bashkëpunimin me grupe të tjera për eliminimin e tij.

Bashkëpunimin kryesor për realizimin e vrasjes së Durim Bamit, Arben Ndoka e ka me Ervis Martinajn, që ka financuar për këtë qëllim, ka kontraktuar persona që të angazhohen në vrasje, si dhe ka siguruar automjete për vëzhgimin. Gjithashtu, Ndoka lidh aleancë edhe me Astrit Avdylin, me qëllim vrasjen e Durim Bamit dhe marrjen peng të vëllait të tij, Valter Bami.

Më datë 10 gusht 2020, Arben Ndoka komunikon me Astrit Avdylin dhe ky i fundit e instrukton që të marrë peng atë që ka qëlluar tek ngjarja e “Rrumit”, Aleksandër Lahos, i cili dyshohet të jetë Valter Bami. Gjithashtu i tregon se nipin i tij, Aldo Avdyli dhe shokun e tij, Arben Mërkuri i ka gati për çdo gjë për t’i angazhuar në vrasjen e Durim Bamit. Në vazhdimësi e instrukton për mënyrën e organizmit, evitimin e kamerave të sigurisë dhe përdorimin e maskave plastike. I kërkon që nipin, Aldo Avdylin ta marrë që ta mbajë aty derisa të vritet Durim Bami.

Astrit Avdyli: Shiko, përgatit atë që ka gjujt te Rrumi, ta merrni peng. Ajo na intereson. Aldo është gati me “Tërmetin” (Arben Mërkuri), se kam folur. Tani merr Aldon dhe të rri aty te tu se do vijë këto ditë aty te ti. I kam thënë, jepi gaz. Po kam folur. Jepini drejtim. Po s’jena jashtë vetë, se e din ti, kishte mbaruar çdo gjë. Kamerat shumë kujdes, çdo rrugë. Shoferi gjithmonë i maskuar, ose të rrinë 3 mbrapa. Maskën në makinë me pasagjer. Shoferi duhet të jetë i maskuar, duhet kujdes. Kaq.

Edhe më datë 11 gusht 2020, Arben Ndoka komunikon sërish me Astrit Avdylin, i cili vazhdon ta instruktojë në lidhje me organizimin e vrasjes së Durim Bamit dhe për faktin që të angazhojë Arben Mërkurin dhe Aldo Avdylin, të cilin duhet ta mbajë në Lezhë derisa të mbarojnë hallin.

Astrit Avdyli: Do vijë Aldo nëse andej nga ti. I thashë që të rri Aldo te ti, të mos rrijë në Durrës. Po aty mos ma lër të dalë, vetëm te halli juaj. Fol pak se të dëgjon ty dhe thuaji më ka thënë vëllai im Astriti, nuk do ikësh më në Durrës, pikë. Do vijë të mbarojë halli juaj aty me ju, me “Tërmetin”. Mbaje në shtëpi. Nesër do vijë Aldo. Dëgjohemi. Jepi drejtim. Mos e ler të ikë në Durrës se po na fusin nëpër intriga, kupton, po bëhemi viktima kot pa pasë punë, pa pasë shokë e miq. Dëgjohemi nesër. Jepi drejtim. Merr peng atë, organizoji, i ke kamikazë.

Në ditët në vazhdim Arben Ndoka ka komunikuar edhe me Arben Mërkurin, të cilit Astrit Avdyli i referohet me emrin “Tërmeti” dhe e informon se Durim Bami kishte shkuar në plazh në Ksamil. Më pas diskutojnë edhe se si të marrin armët dhe makinën që do të përdorin dhe të organizohen për vrasjen e Bamit ose në Durrës ose në Sukth, kur të jetë duke u kthyer.

Arben Mërkuri: Jam te shtëpia ime. Sa takova Gencin. Për pak të them për ta sjellë makinën këtu. Bëni gjërat gati.

Arben Ndoka: Shko merre makinën dhe këto të tjerat i sjellim ne dhe na prit diku.

Arben Mërkuri: Jeni të sigurt që është nisur? A e keni parë dhe a është nisur me makinën “Golf? Sa kohë duhet që të vijë?

Arben Ndoka: Po. Ju duhen 3 ose 4 orë.

Arben Mërkuri: OK. Merrni armët dhe ço ndonjë që të marrë makinën. Thuaj Aldos, Samuelit dhe Gjonit në timon të nisen urgjent të vijnë.

Arben Ndoka: Armët po shoh si mund të t’i sjell. Këta të dy dhe F po nisen, nuk i marrin dot këta.

Më vonë Arben Ndoka komunikon edhe me nipin e Astrit Avdylin, Aldo Avdylin, ku diskutojnë në lidhje me organizimin, ku Aldo ka marrë një automjet që do ta përdorë për vrasje dhe po afrohet tek Arben Mërkuri. Aldo Avdyli i kërkon që të mbajë në kontakt me personat që po bëjnë vëzhgimin dhe ta lajmërojnë kur të jenë në Rrogozhinë. Të sigurohen që është Durim Bami në Makinë që të mos qëllojnë persona të tjerë që s’kanë lidhje.

Aldo Avdyli: E morëm makinën dhe jemi rrugës për të shkuar tek “Tërmeti”.

Arben Ndoka: Thuaji “Tërmetit” që t’i marrë ato, se janë aty, i kam sjellë.

Aldo Avdyli: Po presim telefonatën tënde kur të kalojë Rrogozhinën. Gati jemi ne, o zot e konfirmon ai, vetëm këtë duam.

Arben Ndoka: Nëse shikoni Polici tërhiquni, mos rrezikoni.

Aldo Avdyli: Deri tani s’kemi parë Polici dhe ishalla na e konfirmon se i ka ardhë ora. Na thuaj ta shikojë mirë ai robi, mos t’ja fusim miletit kot. T’i vihet nga mbrapa sa ta shohë e të shkruajë në çdo moment.

Arben Ndoka: Shikoni, nxirrni dikë ju se nuk po më përgjigjet ai që kam nxjerrë.

Aldo Avdyli: O shok njerëzit në Ksamil mos i hiq dy ditë se ata mund të jenë në Dhërmi ose Sarandë, lëvizin turist. Ato dy ditë mos i luaj se gjynah me na ik ky rast.

Aldo Avdyli, 37 vjeç. i cili as kësaj here, në operacionin e fundit nuk u arrestua, duke u shpallur në kërkim, në hetimet e dosjes “Revanshi”, shfaqet si pjesë e aleancës që xhaxhai i tij, Astrit Avdyli kishte thurur me Arben Ndokën dhe Ervis Martinajn. SPAK e akuzon Aldo Avdylin për “Sigurim të kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Durim Bami.

Në një episod të dosjes hetimore, Aldo Avdyli ndihmohet nga grupi i ish-deputetit Arben Ndoka për të hyrë në Shqipëri. Më 3 korrik të vitit 2020, Aldo Avdyli ka dalë jashtë Shqipërisë dhe ka kërkuar që të futet sërish, por kësaj herë përmes doganës së Malit të Zi dhe pa lënë gjurmë në sistemin TIMS, në mënyrë që të figurojë zyrtarisht jashtë vendit.

Arben Ndoka, Arian Tuku, Miri Bruli dhe persona të tjerë të paidentifikuar rezultojnë ta kenë ndihmuar që të futej në territorin shqiptar në këtë formë që ai donte. Transportin e ka bërë Miri Bruli, duke përdorur një varkë, nga e cila ka zbritur në zonën e Pulajt, në Shkodër. Ai e kaloi kufirin, por zyrtarisht në TIMS, Aldo Avdyli për herë të fundit ka hyrë në Shqipëri më datë 25 shkurt 2016. Një alibi e përkryer për të nëse ndonjëherë do të dyshohej për ndonjë ngjarje kriminale.

Dosja hetimore

Më datë 26 qershor 2020 shtetasi Astrit Avdyli komunikon me shtetasin Arben Ndoka, të cilit i tregon që do të të shkruajë Aldo, pasi do që të futet nga Mali i Zi për në Shqipëri. Më datë 27 qershor 2020 Astrit Avdyli komunikon me Arben Ndokën, e pyet nëse ka komunikuar me Aldon dhe i tregon që do t’i shkruajë. Gjithashtu i tregon që ai kërkon të futet nga Mali i Zi pa regjistruar. Më datë 30 qershor 2020 Arian Tuku komunikon me Arben Ndokën dhe ndër të tjera i shkruan që e kishte rregulluar që të kalonte me varkë. Arian Tuku komunikon me Miri Brulin, të cilit i tregon në lidhje me faktin që shoku i tij (i referohet Aldo Avdylit) është në Mal të Zi dhe e pyet se kur do ta kalojnë. I tregon që ai është duke mbërritur në Mal të Zi dhe i kërkon që nesër t’i tregojë për orën dhe vendin ku t’i thotë ai. Arian Tuku komunikon me Aldo Avdylin, të cilit i dërgon si chat attachment bisedën që ka kryer me Miri Brulin ku dallohet fakti që takimi do të bëhej në qytetin e Ulqinit.

Në këtë formë, jo vetëm Aldo Avdyli, por dhe persona të tjerë të përfshirë në krime në Shqipëri, mund të kenë krijuar alibinë e nevojshme, që të “figurojnë” jashtë vendit, në kohën që mund të kenë realizuar ngjarje kriminale. Fakti që Aldo Avdyli, figuron person në kërkim që prej majit 2024 kur u zhvillua operacioni “Revanshi” dhe as sot nuk është arritur të arrestohet, nuk e përjashton mundësinë që në të njëjtën mënyrë ai të ketë shmangur edhe në dalje regjistrimin në kufi.

TJETËRSIMI I PRONAVE

Në operacionin e datës 2 tetor 2025, grupi Avdyli nuk ishte i vetmi që u godit në zonën e Shijakut. Pjesë e të njëjtit procedim, por me të tjera akuza ishte edhe grupi i Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut.

Në këtë fraksion të procedimit, nuk bëhet fjalë për vrasje, por për falsifikim dokumentesh e tjetërsim pronash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga provat e administruara rezulton se Aleksandër Laho, në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, me synimin kryerjen e veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar janë  edhe vëllai i tij, Vullnet Muça, Agron Bejdolli, Vlash Brahja, por edhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.

Sipas SPAK, këta persona dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj, si dhe të ish-Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi, falsifikimin e pjesshëm të akteve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuar dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish-Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës. Ato më pas i paraqisnin si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës. Gjithashtu arrinin të hiqnin fletët e regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut” dhe zëvendësimin e tyre me fletë të reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral “Arë”. Në këtë formë ata bënin prodhimin e dokumenteve tërësisht të falsifikuar të praktikës së rivlerësimit të pasurisë, me qëllim hapjen e rrugës për të kaluar në fazën tjetër që ishte transferimi i pronësisë përmes aktit të shitjes apo aktit të dhurimit, etj.

Prokuroria e Posaçme

Pasuritë e regjistruara në kundërshtim me ligjin, regjistroheshin në emrin e banorëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive. Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimin e përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit). Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me anë të vendimit nr.97, më datë 1 tetor 2025, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj shtetasve Aleksandër Laho, Vullnet Muça, Vlash Brahja, Agron Bejdolli, për veprat penale: “Falsifikimi i dokumenteve”, me shume se një herë, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit te strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Një nga personat e arrestuar bashkë me vëllain e Aleksandër Lahos, është edhe 34-vjeçari Agron Bejdolli, që në fakt njihet si krahu i djathtë i tij. Bejdolli ishte arrestuar edhe më herët, më 16 prill të vitit 2024, pasi ndaj tij kishte një masë sigurie “arrest me burg”, të dhënë nga Gjykata e Durrësit, më 2 maj të vitit 2023, për heqje të paligjshme lirie. Ai akuzohej se në bashkëpunim me Aleksandër Lahon, më 2 tetor të vitit 2022 kishin marrë peng dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj, teksa ata po udhëtonin nga Durrësi në Drejtim të Tiranës. Pranë mbikalimit të Maminasit, një automjet u preu rrugën dhe Indrit Beqiraj u mbajt peng për disa minuta dhe pas rreth bënë rreth 500 metra rrugë e lëshuan. Dy vëllezërit Beqiraj denoncuan ngjarjen në Komisariatin e Durrësit.

Ditën që ndodhi pengmarrja, dy vëllezërit ishin nisur të vrisnin dy persona, me porosi të një efektivi burgjesh, i cili kishte konflikt me ta. Polici i burgjeve kishte parapaguar 3500 euro, ndërsa vëllezërit Beqiraj kishin siguruar mjetet për realizimin e ngjarjes, konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat u gjetën dhe sekuestruan gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e policisë, më 3 tetor 2022. Dëshmia e dy vëllezërve Beqiraj zbuloi rrjetin e vrasësve me pagesë dhe disa ngjarje, ndërsa 15 persona ranë në pranga në tetor të atij viti. Pas dëshmisë së tyre, u zbardh edhe atentati në “Don Bosko”, i ndodhur më 4 janar 2022, ku u vra gabimisht Erion Çela, i cili po pinte kafe me vëllain e tij dhe disa të afërm, kur breshëritë e kallashnikovit e lanë të vdekur në vend. Përveç tij, mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë, mes të cilëve edhe vëllai i viktimës, Blerim Çela, 28 vjeç. Personat e tjerë të plagosur ishin Arben Dani, 46 vjeç, Azbi Selimaj, 19 vjeç dhe Edmond Crroj, 41 vjeç.

Pasi kanë qëlluar, atentatorët, janë larguar me një makinë tip “Mercedes Benz” me targa AA 125 UK. Kur kaluan 9 muaj nga ajo ngjarje, Policia e Tiranës njoftoi se Erion Çela nuk kishte bërë asnjë faj dhe se autorët kishin ngatërruar objektiv duke qëlluar ndaj disa personave që nuk kishin lidhje me problemet e tyre.

Pas një aksioni të madh që çoi në arrestimin e 14 personave, Policia tha se dy prej tyre, vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj, në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga Kevin Zeneli alias Kevin Suçi dhe Ilirian Feçi, për llogari të shtetasit Kasandër Noga, kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës.

Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit. Ata kishin planifikuar që vrasja të bëhej në zonën e Don Boskos, pasi kishin informacione se personi që do të eliminonin frekuentonte një lokal në atë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit Gentian dhe Indrit Beqiraj nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje. Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë u vra Erion Çela.

Nga ana tjetër, vetë Aleksandër Laho, përveç faktit që ka qenë i skeduar më parë nga Policia, mbeti edhe i plagosur në atentatin e ndodhur më 1 nëntor të vitit 2019.  Ngjarja ndodhi afër mbikalimit të Shkozetit në Durrës, ku mbetën të plagosur, ish-prokurori Arjan Ndoja, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, miku i tij Aleksandër Laho dhe humbi jetën shoferi, Andi Maloku. Në një operacion të gjerë policor të koduar “Komploti” u arrestuan Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, i cili i ka shpëtuar një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, Marsel Deçka, agjent doganor, i afërm i Plaurent Dervishajt, Endrit Sinani, Julian Pjetri, dhe Bashkim Haxhija. SPAK shpalli në kërkim atë që e konsideron organizator të ngjarjes, Plarent Dervishaj. Ky i fundit u ekstradua nga Dubai më 14 gusht të vitit 2024, bashkë me Julian Meçajn, i cili dyshohej si një nga personat që kishte qëlluar. Më 20 qershor 2019, Dervishaj i shpëtoi breshërisë së plumbave që u lëshuan ndaj makinës së tij, ku ndodhej bashkë me Bashkim Haxhijan, i arrestuar në operacionin “Komploti” dhe me Julian Meçen.

Edhe operacioni i fundit i SPAK, që vuri edhe një herë në shënjestër grupet e Shijakut, duket se erdhi sa falë hetimeve, sa falë mesazheve në platformën SKY.

Bisedat që bënin nën iluzionin e fshehtësisë, por që pas vitit 2021 nisën të dilnin në sipërfaqe, ishin një panoramë jo vetëm aktivitetit kriminal, por dëshmonin edhe se sa informacione kishin personazhet e botës së krimit. Ata për të cilët nuk kishte nevojë për prova shkencore që të marrin vendimin e të dënonin kundërshtarin.

Sot, pas këtyre indicieve të fundit, dalë nga bisedat e botës së errët të krimit të organizuar në SKY, SPAK po hedh dritë mbi shumë krime të rënda.

Të paktën për ato që kanë ndodhur deri në fund të muajit shkurt të vitit 2021, kohë kur SKY u çkodua e më pas doli nga funksioni. Siç ishte edhe vrasja e Edmir Bregut. Por vrasja e mikut të tij, Mond Çekiçi, ndonëse ndodhi dy muaj më vonë, vijon të mbetet ende pa autor.

Ndoshta edhe për shkak se urdhri për eliminimin e tij nuk ishte dhënë më në SKY, pasi ishte mbyllur.

E njësoj si vrasja e tij, edhe shumë krime të tjera që kanë ndodhur pasi autoritetet ndërkombëtare zbërthyen platformën e enkriptuar, vazhdojnë të jetë të rrethuara nga misteri.

E duket se shpresa e vetme, për krime të sofistikuara që nuk është gjetur asnjë provë e asnjë dëshmi, mund të jetë “Matrix”. Një platformë që ka vepruar paralelisht me SKY, por edhe deri më 3 dhjetor 2024, kohë kur edhe “Matrix” i erdhi fundi.

/Emisioni “Gjërat Tona“

Etiketa: aleksander lahoAstrit AvdylajDurrespronarrumishijakshijakutjetersim pronashuratvrasje

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Ekzekutohen armë zjarri dy persona jashtë një lokali në Greqi, njëri prej tyre është shqiptar

21:48 : 05/10/2025
AKTUALITET

“Duhet të vdesin njerëz ti zej paniku”, si Avdylajt vendosnin gjoba e terrorizonin durrsakët

15:23 : 05/10/2025
AKTUALITET

Atentati me tritol në Sarandë ku u vra Isuf Jaçaj, shoqërohen 10 persona (Detaje)

15:04 : 05/10/2025
AKTUALITET

Si “Rrumi i Shijakut” ndiqte “këmba-këmbës” Plarent Dervishajn: Duhet goditja, janë bërë të fortë

14:45 : 05/10/2025
AKTUALITET

“Duhen 10 viktima mrena vitit”/ Përgjimet në SkyECC për grupin e “Rrumit”: Të parin elimino…

12:34 : 05/10/2025
Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut)
AKTUALITET

Tjetërsim pronash/ Zbardhet biseda mes “Rrumit” dhe vëllait të tij: Do i tregoj rërën e bardhë…

08:52 : 05/10/2025
Para

Macron emëron kabinetin e ri francez

TË GJITHA

Horoskopi, e hënë, 6 Tetor 2025/ Lexoni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

22:57 : 05/10/2025

Stuhia e dëborës bllokon mbi një mijë alpinistë në Everest

22:47 : 05/10/2025

Flet shqiptarja e vetme në flotiljen drejt Gazës: Jemi 100 mjekë dhe gazetarë

22:37 : 05/10/2025

Hamasi dhe përçarjet mes udhëheqësve/ Pse militantët e rinj refuzojnë paqen?

22:25 : 05/10/2025

Krime nga të miturit/ Shifra shqetësuese për vitin 2025, droga dhe plagosjet veprat më të shpeshta

22:13 : 05/10/2025

Rusia ndihmë Kinës në përgatitjet për pushtimin e Tajvanit

22:02 : 05/10/2025

Ekzekutohen armë zjarri dy persona jashtë një lokali në Greqi, njëri prej tyre është shqiptar

21:48 : 05/10/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com