Banorët e zonës “Pallati me Shigjeta” në kryeqytet ankohen çdo ditë për mungesën e ujit të pijshëm, ndërkohë që shqetësimet e tyre duket se bien në vesh të shurdhër nga autoritetet përkatëse.
Ata tregojnë se furnizimi nga UKT (Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë) bëhet vetëm një herë në ditë dhe jo më shumë se një orë, duke detyruar familjet të blejnë ujë nga operatorë privatë me autobote.
“Një ndërhyrje e fundit është bërë më 4 shtator, kur UKT priti linjën e vjetër dhe la linjën e re të ndërtuar në 2014, e cila nuk funksionon. Rreth 100 shtëpi vuajnë mungesën e ujit dhe shpesh duhet të përdorin pompa për të pasur presion,” tha një banor për TV Klan.
Banorët dyshojnë se ndërprerjet e ujit stimulojnë tregtinë private me ujë, një aktivitet që po zgjerohet çdo ditë e më shumë, duke krijuar kosto shtesë për familjet për energjinë elektrike dhe blerjen e ujit. Ata kërkojnë nga UKT të vendosë të paktën një orar fiks furnizimi.