Gjykata e Lartë shqyrtoi rekursin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Sipas vendimit të gjykatës, rekursi i Veliajt u refuzua, dhe ai do të vazhdojë të qëndrojë në burg.
“Vendosi: Mospranimin e rekursit te paraqitur nga personi nën hetim Erion Veliaj, kundër vendimit nr. 130 (87- 025-191), datë 09.06.2025, te Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.
Veliaj u shkarkua nga detyra e kryetarit të Bashkisë, ndërsa Presidenti i Republikës vendosi të hapë rrugë për zgjedhjet e reja vendore më 9 nëntor, pavarësisht se ish-kryebashkiaku ka kundërshtuar shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.
Veliaj akuzohet për një sërë veprash penale, si korrupsioni, fshehja e pasurisë, apo edhe favorizim i biznesmenëve në tenderat dhe lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia e Tiranës.
Aktualisht Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e burgut të Durrësit. Ai u arrestua mesditën e 10 Shkurtit në Bashkinë e Tiranës me urdhër të SPAK.