Dy zyrtarë të Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI) janë vënë nën masën e sigurisë arrest me burg me urdhër të Gjykatës së Posaçme, pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për inspektorin Olsi Jarazi dhe ‘arrest shtëpie’ për inspektorin Luan Sadikaj, të cilët dyshohet se kanë marrë shumat monetare 900.000 lekë dhe 10.000 dollarë një biznesmeni në Korçë me inicialet J. S.
Ata akuzohen për korrupsion në bashkëpunim dhe marrje ryshfeti, me qëllim mbulimin e një aktiviteti tregtar të paregjistruar në qytetin e Korçës.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, më 23 shtator 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka miratuar kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj dy personave:
“Arrest në burg” për shtetasin O.J., me detyrë inspektor pranë ISHTI-t; “Arrest në shtëpi” për shtetasin L.S., ish-inspektor në të njëjtin institucion ndërsa masat u ekzekutuan më 27 shtator 2025,
Nga hetimet e kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, dyshohet se më 1 nëntor 2021, dy inspektorët kanë marrë një shumë totale prej 900 mijë lekësh dhe 10 mijë dollarësh amerikanë nga një subjekt privat me inicialet J.S., i cili ushtronte aktivitet tregtar në Korçë pa dokumentacion ligjor dhe licencë teknike.
Në këmbim të shumës së përfituar, O.J. dhe L.S. nuk morën masa administrative, duke lejuar subjektin të vazhdonte aktivitetin në shkelje të ligjit.
Procedimi penal është regjistruar më 5 mars 2025, për veprat penale të “Korrupsionit aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244/2, 259/2 dhe 25 të Kodit Penal.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve të një çështjeje penale të regjistruar për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”*, kryer në bashkëpunim, ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj dy shtetasve.
Në datën 23.09.2025, me vendimin nr. 95, Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit personal:
“Arrest në burg”, ndaj shtetasit O.J., me detyrë inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale;
“Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit L.S., ish-inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), bazuar në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale.
Masat e sigurimit janë ekzekutuar më 27.9.2025, me ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Procedimi penal
Në datën 5.3.2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.44të vitit 2025, mbi bazën e akteve të procedimit penal nr. 385/1 të vitit 2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parëtë Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244, paragrafi 2 dhe 259, paragrafi 2 e 25 te Kodit Penal, i cili u dërgua për kompetencë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Hetimet dhe gjetjet
Nga hetimet proaktive dhe metodat speciale të hetimit, të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ka rezultuar se në datën 1.11.2021, të hetuarit O.L. dhe L.S., kanë marrë shumat monetare 900.000 (nëntëqind mijë) lekë dhe 10.000 (dhjetë mijë) dollarë.
Hetimet kanë provuar se kjo shumë është marrë nga dy inspektorët e ISHTI-t, të caktuar për inspektim tek subjekti privat J.S. me vendndodhje në Korçë, me qëllim për të mos e ndëshkuar me masë administrative, subjektin privat J.S., i cili ushtronte aktivitet tregtar pa dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor dhe licensën përkatëse.