Aktualisht është duke u zhvilluar diskutimi mbi ndryshimet e Kodit Penal, ku po trajtohen çështje me rëndësi të veçantë për rolin e avokatit, të drejtat e qytetarëve dhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor.
Ky debat është dëshmi e angazhimit të trupës së avokatisë për të kontribuar në përmirësimin e sistemit tonë penal dhe përafrimin me standardet demokratike e europiane.
Zëri i avokatëve është i domosdoshëm për të ndërtuar një drejtësi më të drejtë, më të barabartë dhe më transparente.
Avokati Arenc Berati thekson se ky projekt-Kod Penal është një kërcënim për qytetarët dhe drejtësinë.
Avokati shton se ky projekt-Kod Penal po kthen Shqipërinë në një burg të madh dhe liston më tej pasojat e drejtpërdrejta të tij.
“Ky projekt i ri i Kodit Penal nuk është një reformë ligjore, por një kthesë e rrezikshme drejt centralizimit dhe kontrollit të procesit penal. Ai ka pasoja të drejtpërdrejta për avokatët, qytetarët dhe sistemin e drejtësisë në tërësi:
Sulm ndaj avokatëve – Dispozitat e reja dobësojnë pozicionin e mbrojtjes, kufizojnë mundësitë për ndërhyrje dhe për të ushtruar profesionin në mënyrë të pavarur. Në praktikë, avokatët ndëshkohen për veprimet e tyre në mbrojtje të klientëve, duke e kthyer mbrojtjen e ligjshme në një aktivitet të rrezikshëm.
Lënia e qytetarëve pa mbrojtje efektive – Me dobësimin e mekanizmave të mbrojtjes, qytetarët ekspozohen ndaj abuzimeve të pushtetit, hetimeve arbitrare dhe proceseve të pabarabarta. Kodi nuk garanton më barazi armësh mes akuzës dhe mbrojtjes, duke e kthyer procesin penal në një instrument represioni, jo drejtësie.
Kriminalizim i panevojshëm dhe dënime disproporcionale – Shumë dispozita krijojnë krime të reja pa bazë reale, rrisin penalizimin e veprave të vogla dhe nuk respektojnë parimin e proporcionalitetit. Kjo jo vetëm që dëmton qytetarët, por e bën sistemin e drejtësisë më të shtrenjtë dhe më të pabarabartë.
Pasiguria juridike – Kodi është i paqartë dhe i hapur për interpretime arbitrare, duke i dhënë pushtet të madh prokurorisë dhe gjykatësve në mënyrë selektive. Ky fakt rrezikon shkeljen e të drejtave themelore dhe humbjen e besimit të publikut tek drejtësia.
Politizimi i drejtësisë – Ndryshimet duken të nxitura nga interesat politike të momentit dhe jo nga nevoja reale për një sistem më të drejtë. Një Kod Penal i tillë i jep mundësi abuzimi pushtetit dhe nënkupton cenim të parimeve të shtetit të së drejtës.
Në vend që të forcojë drejtësinë, ky projekt e cenon thelbin e saj: mbrojtjen e qytetarëve, pavarësinë e avokatit dhe sigurinë juridike. Miratimi i tij në këtë formë do të krijojë një sistem penal represiv, të padrejtë dhe politikisht të kontrolluar, duke dëmtuar themelet e shtetit të së drejtës në Shqipëri.”– tha avokati.