Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka ngritur akuza të forta nga zv.kryeministres Belinda Balluku, lidhur me një videoregjistrim, ku ajo kërkon një përqindje të madhe për një tender nga një biznesmen.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi ngre dyshimet se ky videoregjistrim, sipas tij, mund të jetë edhe arsyeja e shantazhit dhe sulmeve ndaj prokurorit të SPAK, Dritan Prençi.
“A është ky videoregjistrim arsyeja e shantazhit dhe sulmeve ndaj prokurorit të posaçëm Dritan Prençi, siç bëjnë me dije burime të mirëinformuara? Kush po e pengon dhënien rrugë të një hetimi të përfunduar për Belinda Ballukut dhe përgjegjësinë e saj për disa afera korruptive?”, shkruan ai duke iu drejtuar SPAK.
Ndër të tjera, ai thekson se Belinda Balluku është zyrtari më i korruptuar në këto 35 vite i shtetit shqiptar, me kg prova të depozituara në SPAK.
Kujtojmë se ishte Berisha ai i cili në një konferencë me gazetarët foli për një bisedë të Ballukut me një biznesmen, ku zv.kryeministrja, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë “ka kërkuar një përqindje të majme për një tender”.
Po ashtu, ish kryeministri tha se biseda e regjistruar mes Ballukut dhe biznesmenit i është dërguar edhe kryeministrit Edi Rama, përmes Ergys Agasit.
“Qytetari dixhital informon se Lubi Balluku lakohet shumë në bisedën telefonike të një biznesmeni me një person tjetër. Lakohet për një tender në të cilën Lubi Balluku, sipas biznesmenit ka kërkuar një përqindje të majme për të akorduar tenderin”, tha Berisha.
Postimi i plotë:
Belinda Balluku është zyrtari më i korruptuar në këto 35 vite i shtetit shqiptar, me kg prova të depozituara në SPAK. Për fat të keq deri më tani SPAK na ka provuar se nuk ka guxim për të hetuar me profesionalizëm dhe paanësi aferat ku është e përfshirë Belinda Balluku.
Pas denoncimit të Kryetarit të Opozitës, pyetja ime për SPAK është:
– A është ky videoregjistrim arsyeja e shantazhit dhe sulmeve ndaj prokurorit të posaçëm Dritan Prençi, siç bëjnë me dije burime të mirëinformuara?
– Kush po e pengon dhënien rrugë të një hetimi të përfunduar për Belinda Ballukut dhe përgjegjësinë e saj për disa afera korruptive?
Përgjegjësia për aferat korruptive mund të zvarriten, mund të vonohen, mund të pengohen për pak kohë, por kurrë nuk mund të fshihen.