Nga Boldnews.al
Në 8 Shtator të këtij viti, kompania “Ergi” shpk fitoi një tender me fond limit 1.4 milionë euro për rikonstruksionin e rrjetit elektrik të periferisë së Elbasanit, një procedurë e zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, i drejtuar nga Blendian Dalipi.
Tenderi i radhës është pjesë e “traditës” së krijuar tashmë nga shoqëria private në pronësi të Nuri Ballës, i cili fiton procedurat në mungesë të një gare reale.
Në tenderin 1.4 milionë euro, “Ergi” shpk kishte ofertën e tretë më të lartë, mes katër operatorëve ekonomikë pjesëmarrës. Nuri Balla fitoi procedurën, pasi Operatori i Sistemit të Shpërndarjes skualifikoi dy kompani me ofertën më të ulët.

Procedura e OSSH-së shënoi “rikthimin” e “Ergi” shpk në listën e fituesve të tenderave mbi 1 milionë euro, vetëm dy muaj pasi zyrat e saj ishin objekt i kontrollit nga Prokuroria e Elbasanit, në vijim të një hetimi të nisur për abuzime të mundshme financiare në kompaninë publike të menaxhimit të mbetjeve, “Eco-Elb”.
Shoqëria e Nuri Ballës ka pasur një raport shumë të ngushtë financiar me “Eco-Elb”-in e administruar nga Leli Kaja. Bashkëpunimi i tyre është përfshirë në listën e dyshimeve të prokurorëve. Këto dyshime nuk janë pa bazë.
Binomi multimilionësh “Ergi-Eco Elb”
Shoqëria publike e menaxhimit të mbletjeve në Elbasan, “Eco-Elb” u krijua në fund të vitit 2021, me aksionerë shtatë bashkitë e qarkut, pasi landfilli u mor nën administrim nga kompania koncesionare “Albtek Energy” e Stela Gugalljas.
Kompania e re kishte nevojë për shërbime të kontraktuara, me qëllim përpunimin e mbetjeve me makineri të rënda.
Në tre vjet rresht, 2022-2024, “Eco-Elb” e drejtuar nga Kaja, shpalli fitues shoqërinë “Ergi” shpk të Nuri Ballës. Në secilin rast, fondi limit i tenderit ishte rreth 500 mijë dhe, po në secilin rast, kompania e Nuri Ballës u shpall fituese pa garë.

Situata me elementë monopoli ra në sytë e prokurorëve të Elbasanit. Në objektin e hetimit, të nisur në vitin 2023 për “ndotje të ambjentit”, ata shtuan edhe “shpërdorimin e detyrës”, rreth pranverës së vitit 2025.
Ky zhvillim nga Prokuroria duket se ka shqetësuar binomin “Ergi-Eco Elb”. Të paktën, kjo ide krijohet, referuar zhvillimeve të mëvonshme mes kompanisë publike dhe asaj private.
Si u “nda” binomi Kaja-Balla
Në Prill 2025, kompania publike “Eco-Elb” zhvillon tenderin e radhës “Shërbim Menaxhim Mbetjesh Urbane me Mjete të Rënda”, me fond limit mbi 500 mijë euro. Ishte koha kur Prokuroria e Elbasanit ende nuk kishte zbuluar publikisht se po hetonte edhe mbi dyshimet për abuzime financiare tek shoqëria menaxhuese e landfillit.
Këto të dhëna hetimore u zbuluan rreth muajit Maj të këtij viti, ndërkohë që tenderi i “Eco-Elb” ende ishte në zhvillim.

Në 2 qershor 2025, “Eco-Elb” publikun rezultatet e tenderit. Në garë kishin marrë pjesë 3 operatorë ekonomikë, mes të cilëve edhe “Ergi” shpk. Për herë të parë në katër vitet e ekzistencës së “Eco-Elb”, tenderi për menaxhimin e mbetjeve me makineri të rënda nuk u fitua nga kompania private e Nuri Ballës.
Ndërkohë që rezultati mund të konsiderohej edhe si një rutinë në procedurat tenderuese, ku fitues u shpall një kompani me ofertën më të ulët, ajo që ngre dyshimet mbi raportet “Ergi-Eco Elb” është një detaj, jo pak i rëndësishëm.
Shoqëria private e Nuri Ballës është skualifikuar nga ky tender, pasi, sipas autoritetit kontraktor, ajo nuk plotësonte kriteret e paracaktuara.
“Boldnews.al” verifikoi dokumentat e tenderit. Nga shqyrtimi rezultoi se “Ergi” shpk nuk ka plotësuar kushtin që “të paraqesë dëshmi për shërbimet e mëparshme të ngjashme, të kryera gjatë tre viteve të fundit, në një vlerë jo më të vogël se vogël se 50 % të vlerës së përllogaritur të kontratës”.
Sipas “Eco-Elb” të Leli Kajës, kompania private e Nuri Ballës duhej që “për përvojën e mëparshme të realizuar me ente publike, Operatori ekonomik duhet të paraqesë Kontratën e nënshkruar me entin, të shoqëruar me vërtetimin e lëshuar nga Enti Publik për përmbushjen me sukses të kontratës, ku të shënohen vlera dhe afati i përfundimit të kontratës”.

“Ergi” shpk e Nuri Ballës e ka pasur shumë të thjeshtë që të plotësoj këtë kriter, pasi mjaftonte të dërgonte kontratat e tre viteve të fundit me “Eco-Elb” për të provuar punë të ngjashme.
Nga ana tjetër, “Eco-Elb” e ka pasur shumë të thjeshtë që të provojë aftësitë profesionale të “Ergi” shpk, mjaftonte që të nxirrte nga sirtarët e saj kontratat e tre viteve të fundit (2022-2024) për shërbimin e menaxhimit të mbetjeve me makineri të rënda, të nënshkruara me kompaninë e Nuri Ballës.
Por, “harresa” e Ballës për të dorëzuar dokumenta dhe “neglizhenca” e Leli Kajës për të kontrolluar dosjet në zyrën e tij, shkon në favor të dyshimit se “binomi” ka gjetur një mënyrë “formale-ligjore” për të shkëputur raportet mes tyre, nën dritën e hetimeve të nisura nga Prokuroria e Elbasanit.