Nga Boldnews.al
Ndërkohë që partnerët ndërkombëtarë “shuan”, ende pa nisur, një konflikt mes anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për mënyrën e zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), një tjetër çështje e rëndësishme ka ndarë në dysh “qeverinë e prokurorëve” dhe rasti tashmë ka përfunduar në dyert e gjykatës.
Në diskutim është kohëzgjatja e mandateve të drejtuesve të Prokurorive lokale. Ligji parashikon qëndrimin e tyre tre vjet në detyrë, me të drejtë riemërimi. Ndërkohë, KLP-ja, me shumicë votash, ka vendosur një standart, i cili, për pjesën tjetër të anëtarëve, u shkurton mandatin e tyre në kundërshtim me përcaktimet ligjore.
Rasti e ka zanafillën në mbledhjen e 26 qershorit 2025. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi atë ditë vendimin “Për riemërimin e prokurores Dhorina Theodhori në pozicionin drejtues të Prokurorisë së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, Korçë”.
Përplasja për Dhorina Theodhorin në Korçë
Theodhori ishte emëruar drejtuese e prokurorisë së qytetit jug-lindor në shtator të vitit 2021, për një mandat 3-vjeçar, i cili përfundonte në të njëjtin muaj, në vitin 2024.
Në përfundim të mandatit të parë, Theodhori kandidoi sërish për pozicionin drejtues. KLP-ja vonoi tej mase procedurat për ri-verifikimin e saj dhe ajo mbajti pozicionin e drejtueses së Prokurorisë së Korçës për disa muaj tej mandatit, kësaj radhe si e komanduar përkohësisht.

Në qershor 2025, KLP-ja mbaroi procedurat e verifikimit dhe vendosi ri-emërimin e saj në detyrë.
Ligji 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në nenin 52, parashikon se drejtuesit e prokurorëve zgjidhen për një mandat 3-vjeçar, me të drejtë riemërimi. Në këtë nen parashikohet se, “kur drejtuesi në detyrë kandidon për riemërim, i nënshtrohet verifikimit të pasurisë dhe figurës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”.
Po ashtu, vetëm nëse drejtuesi që është në detyrë “jep dorëheqjen ose kur nuk i pranohet kërkesa për një mandat tjetër, Këshilli publikon shpalljen për vendin e lirë për pozicionin e kryetarit për kandidatët që i plotësojnë kriteret e ngritjes në detyrë, jo më vonë se tre muaj nga mbarimi i mandatit të kryetarit në detyrë”.
Prokurorja Theodhori u bazua në këtë parashikim ligjor dhe aplikoi për t’u ri-emëruar në postin e drejtueses së Prokurorisë së Korçës.
Ndërkohë që anëtarët e KLP-së miratuan ri-emërimin e saj, ata u ndanë në një pikë të rëndësishme.
Shumica e KLP-së, e përbërë nga 7 anëtarë, vendosën se data e fillimit të mandatit të dytë të drejtueses Theodhori ishte momenti kur ajo kishte mbaruar mandatin e parë, pra në shtator 2024. Anëtarët Mirela Bogdani, Erind Gërmenji, Zeqir Hoda, Moisi Duda, Arta Mandro, Erind Mërkuri dhe Erjon Fejzulla, janë të mendimit se drejtueses duhet t’i konsiderohet si pjesë e mandatit të ri edhe periudha kur ajo ka ushtruar funksionet si e komanduar, pas përfundimit të mandatit të parë.

Nga ana tjetër, pakica prej katër anëtarësh vlerësoi se mandati i ri 3-vjeçar i drejtueses fillonte në ditën e ri-emërimit të saj, pra në 26 qershor 2025 dhe përfundonte në të njëjtën datë, në vitin 2028. Gjithashtu, pakica vlerësoi se vendimi i shumicës cënonte rëndë ligjin, përsa i përket kohëzgjatjes së mandatit 3-vjeçar të drejtuesit, i cili nis në momentin e ri-emërimit.
Vendimi u zbardh në 16 Korrik 2025 dhe prokurorja Dhorina Theodhori e ankimoi atë në Gjykatën e Apelit Administrativ, ku kërkon që mandati i ri të nisë ditën e ri-emërimit, pra në qershor 2025.
“Ndarja” për Kreshnik Ajazin në Elbasan
Ndërkohë që gjykata ende nuk ka marrë një vendim, shumica në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me shumicë votash, aplikoi të njëjtin standard edhe për ri-emërimin e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi.
Prokurori Ajazi u emërua drejtues në prokurorinë e Elbasanit në mars të vitit 2021 dhe mandati i tij 3-vjeçar përfundonte në mars 2024. Ai, bazuar në të drejtën e tij ligjore, ri-aplikoi për postin e drejtuesit. KLP-ja u vonua shumë në ri-vlerësimin e prokurorit Ajazi dhe veproi me caktimin e tij të përkohshëm deri në momentin që do të vendosej nëse ai do të ri-emërohej ose jo.

Në 11 Shtator 2025, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që Kreshnik Ajazi të rikonfirmohej në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit. Por, sërish, shumica e KLP-së vendosi që kohëzgjatja e mandatit të tij i ri të llogaritej që në momentin e përfundimit të mandatit të parë, pra në mars 2024. Në këtë mënyrë, KLP-ja, me shumicën e votave të anëtarëve të saj, vendosi që Ajazi do të qëndrojë në postin e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit deri në 24 mars 2027.
Sërish, pakica prej katër anëtarësh votoi kundër, duke vlerësuar se mandati i tij fillonte në momentin e emërimit të ri, në 11 shtator 2025 dhe përfundon pas tre vitesh, në shtator 2028.
Rasti Arens Çela në Tiranë
Një tjetër rast pritet të përfshihet në të njëjtën vorbull përplasjeje ligjore, përsa kohë Gjykata e Apelit Administrativ nuk është shprehur për ankimin e kryeprokurores së Korçës, Dhorina Theodhori, një vendim që pritet të standardizojë praktikën e përçarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Arens Çela u emërua drejtues i Prokurorisë së Tiranës në 12 Tetor 2022 dhe mandati i tij 3-vjeçar përfundon në tetor 2025. Çela shprehu vullnetin për rikandimin si drejtues i Prokurorisë së kryeqytetit në 12 Prill të këtij viti, bazuar në përcaktimet ligjore se kryetari në detyrë mund të riaplikojë 6 muaj para përfundimit të mandatit të parë.
Aktualisht, KLP-ja është ende në fazën e verifikimit të kandidaturës së tij, bazuar në nenin 52 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ndërkohë që kanë mbetur edhe pak ditë nga përfundimi i mandatit të parë të Arens Çelës.