Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka dhënë sot porositë deputetëve të PD-së gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, duke theksuar se ka ardhur koha për të kaluar nga fjalët te veprimet. Ai e konsideron situatën aktuale në Parlament si të jashtëligjshme dhe kritikoi ashpër vendimet e shumicës për miratimin e programit dhe kabinetit qeverisës.
Ai kritikoi gjithashtu presidentin Bajram Begaj, duke thënë se ai, sipas tij, ka dhënë “levën” për veprimet e Ramës. Berisha e paraqiti këtë si një moment vendimtar, ku opozita duhet të mobilizohet për të mbrojtur institucionet dhe të drejtat e qytetarëve, ndërsa qeveria vepron në mënyrë autoritare.
Berisha: Ndaj të nderuar deputetë, ne duhet të kalojmë në veprime, veprime dhe vetëm veprime.
Ai nuk humbi kohë ndaj nesh, ai tregoi fytyrën e tij, ne do tregojmë betejën tonë për të drejtën, për Kushtetutën, për parlamentin, për qytetarin.
Kjo mbledhje sigurisht që është emergjente, e jashtëzakonshme sepse situata është e jashtëzakonshme.
Asnjëri nga ne, asnjë shqiptar nuk do përfytyronte se ky bastard i xhelatëve komunistë, mund të sillej ndaj Kushtetutës dhe parlamentit në këtë mënyrë.
Kështu që unë u ftoj ju të diskutojmë, të vendosim bashkërisht për përgjigjen që do t’i japim këtij akti të pashembullt.
Këtij akti që tejkalon edhe imagjinatën më të sëmurë, përveç imagjinatës së tij, i cili këtë e kishte të përgatitur, sepse e paralajmëroi disa herë që do votojmë po nuk dëgjuat Diellën.
Këtu kemi të bëjmë me një kompleks, me një konglomerat.
Në bashkëfajësi të plotë me të është presidenti i Republikës që i dha levën për këtë qëllim.
Droga është kryefjala e këtij regjimi në çdo anë, por ne duhet të marrim vendimet tona.
Ne jemi para një fakti të paprecedent dhe ne duhet t’i përgjigjemi me çdo kusht në mënyrën më të fuqishme, me veprime, këtij akti të sotëm.