Edi Rama nuk i caktoi Erion Braçes drejtimin e asnjë komisioni parlamentar, edhe pse në zgjedhjet e 11 Majit ai rezultoi një ndër deputetët më të votuar në Tiranë.
Ai u caktua në postin e nënkryetarit tek Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, e duket se kjo gjë nuk i ka pëlqyer Erion Braçe, i cili nuk mori pjesë në votim dhe sot ka reaguar kundër shefit të tij, për mënyrën se si e ndau strukturën e re parlamentare.
Gjithsesi, ai thotë se nuk kishte asnjë pretendim personal dhe nuk i ka kërkuar asgjë askujt për drejtimin e ndonjë prej komisioneve.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Braçe së pari thotë se nuk ishte dakord me mungesën e ngritjes së komisionit për çështjet e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, që ishte pjesë e strategjisë së miratuar nga legjislatura e kaluar.
Ai theksoi se ky komision ishte parashikuar qartë në dokument, por tani ishte lënë jashtë listës së komisioneve të reja, pavarësisht rëndësisë së çështjes për sigurinë dhe integritetin e vendit. Së dyti, Braçe kritikoi përzgjedhjen e komisioneve, të cilat sipas tij ishin të personalizuara dhe klienteliste.
“Lidhet me atë punë që u bë në vitin e fundit të legjislaturës së shkuar këtu në Kuvend për çështjet e dezinformimit, keqinformimit, ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri dhe në ekonomi. Kjo këtu është strategjia, dokumenti më i mirë që Kuvendi mund të ketë miratuar gjatë legjislaturës së shkuar. Një strategji e hartuar jo vetëm me ekspertë vendas, por edhe me asistencën e plotë të Komisionit Europian, të Bashkimit Europian, të OSBE edhe të shumë faktorëve të tjerë të rëndësishëm që e kanë prioritet çështjet e dezinformimit, keqinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse. Për një periudhë kohe e kishim dhe ne, u mor me vrull të madh, u thirra unë, duhet ta bësh ti këtë gjë se ti di ta bësh. Pastaj as ndihmoi kush, as foli kush, as e lexoi kush dhe as e vlerësoi kush punën që u bë dhe dokumentin që u miratua. Por në udhërrëfyesin që shoqëron dokumentin, thuhet qartë dhe është votuar në Kuvend që do të ketë një komision parlamentar pikërisht për këtë çështje. Tani që gjithë puna e bërë, dokumenti po vlejnë si shembull edhe për vende rreth e qark nesh, tani zhduket propozimi, zhduket komisioni”, shprehet Braçe.
Deputeti i PS-së thotë se nuk është dakord as me komisionet e reja të ngritura nga Rama, për të cilat thotë se i duken të jenë klienteliste.
“Arsyeja e dytë, patjetër që isha kundër asaj liste komisionesh që m’u duk thuajse e personalizuar dhe klienteliste në kushtet kur parimisht një komision i vlerësuar si i domosdoshëm zhduket nga ajo listë. Unë nuk kisha absolutisht asnjë pretendim personal. Nuk i kërkova kujt, për më tepër atij që vendos për të tilla gjëra që të isha unë kryetari i këtij komisioni apo i ndonjë komisioni tjetër. Unë mendoj që çështja e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në shoqëri, ekonomi e zgjedhje, është një çështje që nuk ka ndryshuar. Kjo ishte arsyeja”, thotë deputeti.