Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur gjatë mbledhjes së sotme (17 Shtator) të çelë garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, pasi mandati i drejtuesit aktual Altin Dumani përfundon më 18 Dhjetor.
KPL propozoi që kandidatëve t’u lihet një afat prej 3 javësh për të shprehur interesin e tyre për postin e kreut të SPAK.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është caktuar data 8 tetor, ndërsa kandidatët duhet të paraqesin në platformën e tyre disa pika kyçe që do të jenë vendimtare në procesin e përzgjedhjes:
- Eksperienca në çështje sensitive, sidomos ato që lidhen me hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit;
- Aftësitë drejtuese dhe organizative, të domosdoshme për menaxhimin e një strukture të posaçme si SPAK;
- Përvoja në hartimin dhe miratimin e rregulloreve administrative, që sigurojnë funksionimin institucional;
- Eksperienca në çështje me jehonë të lartë publike dhe ndërveprimi me median në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente;
- Aftësi në menaxhimin e burimeve njerëzore, me fokus në drejtim efektiv dhe motivim profesional;
- Vizioni strategjik për organizimin dhe funksionimin e SPAK, që garanton një institucion të pavarur dhe efikas;
- Imazhi publik dhe integriteti profesional përgjatë karrierës si prokuror.
Në mbledhje kanë marrë pjesë dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe OPDAT.