Qeveria i jep statusin e investitorit strategjik një biznesmeni italian me lidhje në Tiranë për të ndërtuar një resort turistik në një zonë me mbrojtje ligjore të trefishtë në Gjirin e Vlorës, duke rrezikuar trashëgiminë kulturore, atë natyrore dhe bazën e Forcës Detare në Pashaliman.
Parku arkeologjik i Orikumit në Gjirin e Vlorës ofron një peizazh unik nga kodra e gjelbëruar, i rrethuar nga deti Jon, laguna e Pashalimanit dhe gadishulli i Karaburunit.
I ngritur në shekullin e VI para Lindjes së Krishtit, qyteti antik ka lënë gjurmë në histori gjatë luftës civile romake në mesin e shekullit I p.e.s, si një destinacion që shërbeu për ngjitjen e gjeneralit Jul Cesar drejt pushtetit absolut në Romë.
Për shkak të pozicionit gjeografik, gjiri buzë Karaburunit mendohet se është përdorur si bazë detare që nga antikiteti e deri në ditët e sotme.
Por tani, qeveria shqiptare synon që të ndërtojë aty një kompleks masiv turistik, i cili do të futet si ‘elefanti në dyqanin e qelqurinave’ në mesin e një zone me mbrojtje të trefishtë për shkak të vlerave të trashëgimisë kulturore, habitatit natyror dhe bazës ushtarake detare aktive të Pashalimanit.
Së fundmi, Komiteti i Investimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama i ka dhënë statusin e “investitorit strategjik” një sipërmarrësi italian për të zhvilluar projektin e një resorti turistik mbi 25 hektarë tokë publike në kufi me bazën ushtarake të Pashalimanit – një pikë kyçe për Forcën Detare shqiptare.
Sipas vendimit, gjurma e projektit i mbivendoset qytetit antik të Orikut, monument kulture i kategorisë së parë dhe lagunës në juglindje të tij, ndërsa stacionet e plazhit për klientët e resortit janë parashikuar të ndërtohen disa kilometra më tej në skajin perëndimor të gadishullit të Karaburunit – në Kepin e Shëngjergjit – gjithashtu zonë e mbrojtur si Rezervat Natyror i Menaxhuar i kategorisë IV.
“Ky projekt shkel me këmbë të gjitha ligjet e trashëgimisë natyrore dhe trashëgimisë kulturore. I shkel me këmbë të gjitha,” tha për BIRN Taulant Bino, aktivist mjedisor dhe drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë, AOS. “I bie që investimi strategjik është mbi çdo ligj tjetër në Shqipëri,” shtoi ai i irrituar.
Projekti “Pashaliman Laguna Eko Resort” po zhvillohet nga kompania “Meta Resorts Albania” në pronësinë e Dante Mazzitelli, një ndërtues dhe pronar i një televizioni lokal në Bari me një histori të trazuar përballjeje me prokurorinë italiane gjatë viteve të fundit. Ai është hetuar për dyshime që lidhen me korrupsionin apo me procedura mashtruese falimenti, por në të dyja rastet, gjykata i ka hedhur poshtë akuzat.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se për ngritjen e biznesit të tij në Shqipëri, Mazzitelli është asistuar nga Laura Plaku (Saro) – drejtuese prej shtatorit të vitit 2023 e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, AIDA.
Në cilësinë e drejtoreshës së AIDA, Plaku drejton edhe Sekretariatit Teknik të Komitetit të Investimeve Strategjike. E pyetur nga BIRN, Plaku pretendoi se nuk kishte pasur marrëdhënie financiare me kompaninë e Mazzitellit dhe se nuk gjendej në konflikt interesi për pozicionin që mbante aktualisht.
Kryeministria nuk iu përgjgj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi. Mazzitelli ishte i paaritshëm, ndërsa pyetjet e dërguara përmes studios përfaqësuese në Tiranë nuk morën përgjigje deri në publikimin e shkrimit.
Cënimi i bazës së Pashalimanit

Baza e Pashalimanit u ndërtua në vitet ’50 në Shqipërinë komuniste, kur Bashkimi Sovjetik solli 12 nëndetëse dhe e ktheu atë në bazën e vetme detare që kontrollonte në Mesdhe. Pas prishjes së marrëdhënieve mes Tiranës dhe Moskës në vitin 1961, Pashalimani mbeti si një bazë detare ushtarake që strehonte katër nëndetëset e mbetura dhe anije të tjera të vogla.
Baza u plaçkit gjatë trazirave të vitit 1997 dhe tre nga nëndetëset u shitën për skrap. Por territori i saj mbeti i paprekur dhe pjesë e Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura për më shumë se dy dekada – një status që i mbron pronat e inventarit të Ministrisë së Brendshme nga tjetërsimi.
Megjithatë, kjo nuk zgjati përgjithmonë.
Vetëm shtatë muaj më parë, një pjesë e zonës prej 25 hektarësh ku parashikohet të shtrihet projekti “Pashaliman Laguna Eko Resort” u la jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së forcave të ushtrisë, përmes një dekreti të presidentit Bajram Begaj që mbahet “sekret”.
Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, gjurma e projektit prek pronën me nr.1314 të Ministrisë së Mbrojtjes, të njohur si ish-Flotilja Detare Jugore në Pashaliman, i nxjerrë nga Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes me dekretin nr. 24 të datës 3 shkurt 2025.
Projekti turistik prek edhe objekte të tjera ushtarake, të rëndësishme për funksionimin e bazës detare të Pashalimanit.
“Brenda zonës së synuar për investim ndodhet objekti nr. 25, që përdoret nga Komanda e Forcës Tokësore, N/Stacioni dhe Kabina Elektrike, nga e cila furnizohet me energji elektrike Baza Detare e Pashalimanit si dhe është në përdorim të përbashkët rrugëkalimi kryesor për në Kantierin e Ndërtimit dhe Riparimit të Anijeve (KNRA), Distriktin Detar Jugor (DDJ) dhe tek subjektet private që kryejnë aktivitete të ndryshme në gadishullin e Karaburunit,” thuhet në vendimin e KIS.
Duke e vlerësuar Pashalimanin si bazën kryesore të Forcës Detare dhe një hapësirë strategjike për mbrojtjen e Shqipërisë, ish-kreu i Forcës Detare, Artur Meçollari i tha BIRN se ky vendim cënon sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me NATO-n.
Meçollari kujton se prej vitit 2019, Ministria e Mbrojtjes i ka ofruar Komandës Supreme të NATO bazën detare të Pashalimanit dhe Gjirin e Vlorës si bazë detare të NATO, ofertë e cila është përsëritur më pas publikisht nga kryeministri Edi Rama në vitin 2022.
“Por në shkurt 2025, Bajram Begaj nxorri nga Plani i Veprimit dhe Përhapjes së bazës detare të Pashalimanit 80 ha, duke e lënë bazën vetëm me 14 ha. Në atë periudhë ndoshta shpresonin se NATO do t’i hidhte sytë nga Porto Romano,” tha Meçollari.
“Pyetja shtrohet: po tani që baza e Pashalimanit u katandis në 14 ha, çfarë do të bëjë NATO,” shtoi ai, duke theksuar se “korrupsioni po cënon operacionalitetin e Forcës Detare, por edhe marrëdhëniet me NATO-n”.
Lidhjet në Tiranë

Dante Mazzitelli, 70 vjeç, është ndër të paktët sipërmarrës të huaj që kanë fituar statusin e “investitorit strategjik” nga qeveria Rama përmes kompanisë së tij Meta Resorts Albania. E themeluar në qershor të vitit 2021 me objekt investimet në fushën e turizmit, kompania me kapital 100 lekë nuk duket të ketë kryer ndonjë aktivitet deri më tani.
Përtej Adriatikut, Mazzitelli dhe familja e tij janë të njohur si ndërtues në jugun e Italisë, si pronarë të rrjetit të hoteleve Metaresorts dhe televizionit Telebari. Megjithatë, kompania e tyre, Construzioni Generali u përball së fundmi me një proces gjyqësor pas një hetimi të Prokurorisë së Barit që ngrinte dyshime për falimentim të qëllimshëm me zhvendosje asetesh.
Akuzat u rrëzuan në korrik 2024 nga Gjykata e Bari-t, por kjo e fundit po ashtu e detyron kompaninë e Mazzitellit të garantojë financiarisht shlyerjen e borxheve ndaj palëve të treta, pas vendimit për ristrukturimin e borxheve.
Më herët, Mazzitelli është lakuar nga mediat italiane për ndërtimet prej betoni në bregdetin e Amalfit, një proces gjyqësor lidhur me strehimin publik prej nga doli i pafajshëm si dhe për mikpritjen në vitin 2011 në hotelin e tij në Zvicër të ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Italisë, Massimo D’Alema.
Mazzitelli e ka vizituar edhe më herët Shqipërinë, por gjurmët e përfshirjes së tij në biznes datojnë në vitin 2021. Sipas ekstraktit të QKB, Meta Resorts Albania është asistuar nga drejtoresha aktuale e AIDA, Laura Plaku (Saro) dhe kompania e saj e konsulencës ligjore, PCG deri në nëntor të vitit 2023, kur emri i saj është hequr si person kontakti nga kompania e Mazzitellit.
Plaku u zgjodh në krye të AIDA në shtator 2023, duke e çuar për likujdim kompaninë e saj të konsulencës, PCG. Emri i saj si person kontakti në kompaninë Meta Resorts Albania të Mazzitellit u zëvendësua me studion Haloçi të Majlinda Haloçit, një kontabiliste që shërben edhe si administratore e kompanisë së konsulencës që ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema ka themeluar në Tiranë.
Plaku mohoi që të kishte rol në dhënien e statusit “investitor strategjik” për kompaninë Meta Resorts Albania përmes një komunikimi me mesazhe me BIRN.
“Asnjë marrëdhënie që përbën konflikt interesi për pozicionin që aktualisht kam,” shkroi ajo.
E pyetur nga BIRN nëse biznesi i Mazzitellës kishte lidhje me D’Alemën në Shqipëri, Haloçi tha se ishte konsulente dhe merrej vetëm me procedurat e detyrimeve fiskale të kompanive.
“Nuk kam status dhe as dijeni që t’ju ndihmoj me informacione të tipit kush është para apo pas,” tha ajo.
“Rast unikal”

I miratuar në vitin 2015 nga qeveria “Rama”, ligji për “Investimet Strategjike” ka kontribuar përgjatë një dekade në betonizimin e bregdetit të jugut me resorte rezidenciale dhe turistike nga një grup biznesmenësh të afërt me qeverinë, pa kursyer ekosistemin dhe habitatet e mbrojtura. Por impakti i “Pashaliman Laguna Eko Resort” i tejkalon projektet e mëparshme.
Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, shteti parashikon pjesmarrje në këtë investim, ndërkohë që vlerësohet se nuk do të ketë ndikim mjedisor. Projekti i studios Archea Associati i arkitektit Marco Casamonti parashikon sipas vendimit restaurim dhe rinovim të strukturave ekzistuese dhe ndërtimin e strukturave akomoduese prej druri, që do të vendosen “mbi platforma lundruese (palafitte) në Lagunën e Pashalimanit.
Por ekspertët e fushës dhe aktivistët mjedisorë i thanë BIRN se dëmi do të jetë i pashmangshëm.
“Për mendimin tim, një projekt i tillë nuk duhet realizuar, sepse do të prishte të gjithë peizazhin historik të sitit, ku ndërthuren trashëgimia arkeologjike, mjedisore dhe ushtarake,” i tha BIRN arkeologu Saimir Shpuza, bashkëdrejtues i misionit arkeologjik në Orik.
“Sipas dokumentit, duket se ndërtimet me shtëpi druri në lagunë nuk do të interferojnë me kodrën ku gjendet siti, po të mos harrojmë se në anën tjetër të lagunës gjendet nekropoli i qytetit. Plus kësaj, ndërtesat ushtarake që kërkohet të rijetëzohen janë ngjitur me murin rrethues të qytetit dhe rrethojnë pjesën më të madhe të sitit, i cili në vetvete është një pasuri publike,” shtoi ai, duke theksuar se edhe në lagunë janë dokumentuar shumë struktura arkeologjike.
Për arkitekten dhe planifikuesen urbane, Doriana Musai, projekti është shembulli më ekstrem i konfliktit mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së pasurive publike. Musai thekson se projekti turistik luksoz futet në një zonë të trefishtë në mbrojtje, duke krijuar sipas saj një precedent të rrezikshëm të përzierjes së turizmit komercial me infrastrukturën e sigurisë.
“Koncepti i “rijetëzimit” të trashëgimisë rrezikon të kthehet në komodifikim të arkeologjisë, duke zhdukur autencitetin e Orikumit si qytet antik dhe duke e përdorur si dekor për klientelën e resortit,” tha Musai.
“Është rast unikal në botë kjo lloj ndërhyrje, ku turizmi futet me struktura në tre zona të mbrojtura, duke i aneksuar jo vetëm territor, por edhe duke dëmtuar,” tha Musai.
Edhe drejtuesi i AOS, Taulant Bino është i shqetësuar për projektin, që sipas tij bie ndesh me ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe rrezikon që ta kthejë njërën prej “lagunave më të veçanta në Shqipëri” në një mjedis urban.
“Dëmi është i pamatshëm dhe për fat të keq, me miratimin e ligjit të ri për zonat e mbrojtura nuk ka më asnjë pengesë,” tha Bino. “Nëqoftëse do të kishte një mekanizëm ndalimi, mbrojtjeje, do të ishte përpara se të jepej vendimi i KIS, se po u dha asnjë nuk i del kundër,” përfundoi ai./BIRN
LEXO EDHE:
Hija e D’Alemas/ Rama i fal Pashalimanin biznesmenit italian që hetohet për mashtrim 20 mln euro