Niko Peleshi është zgjedhur Kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, në seancën e parë të legjislaturës së re të mbajtur këtë të premte (12 shtator).
Peleshi mori mbështetjen e shumicës parlamentare, konkretisht 84 vota pro, 3 vota kundër, 0 abstenim.
Nën zhurmën e krijuar nga deputetët e opozitës, të cilët godisnin tavolinat, Niko Peleshi mbajti fjalën si kryetar i Parlamentit menjëherë sapo u zgjodh.
“Besimi që më dhatë sot, duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit, është një nder dhe përgjegjësi e madhe. Përvoja ime e punës, dijet dhe energjitë e mia do të vihen në shërbim të këtij kuvendi. Jam ftuar nga Rama dhe PS për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në një moment historik për Shqipërinë. Ndjehem mirënjohës për ta kthyer këtë në një shtysë në këtë detyrë. Do të bëjë gjithçka mundem për të siguruar fjalën në parlament bazuar në ligj. Do të doja të vendosim një standard të ri të respektimit të Kushtetutës dhe Kodit të Etikës”, tha Peleshi.
Kandidatura e Niko Peleshit për këtë post u shpall një ditë më parë nga Kryeministri Rama në Asamblenë e Përgjithshme të PS.
Kreu i grupit të PD, Bardhi deklaroi para votimit se kjo shumicë nuk ka legjitimitet, teksa lëshoi akuza dhe ndaj Niko Peleshit, duke e cilësuar atë si mik të Klodian Zotos.
“Kjo shumicë nuk ka legjitimit për të zgjedhur kreun e Kuvendit. Kjo është njësoj si të vesh Klodian Zoton. Me këtë propozim po na tregoni se filozofia juaj është krim, vjedhje, korrupsion. Ne nuk marrim pjesë në votim”, tha Bardhi.
- Opozita kundër Niko Peleshit
Deputetët e opozitës, në vend të fletëve të votimit, hodhën në kutinë e votimit pankarta ironizuese kundër qeverisë Rama.
Siç shihet në foton mëposhtë, Sali Berisha mbante në dorë pankartën me mbishkrimin “Shqipëria 2030, McGonigal Karteli Ruso-Kinez”.
Deputeti i PD-së Klevis Balliu ka publikuar një foto të Niko Peleshit me Klodian Zoton, “njeriun e inceneratorëve”, ku shprehet se shteti është i kapur nga krimi dhe korrupsioni.
“Klodian Zoto, njeriu i inceneratorëve, sot zgjidhet kryetar i Kuvendit. Simboli i kapjes së shtetit nga korrupsioni dhe krim”– shkruan Balliu.
Teksa deputetët votonin për emrin e kryetarit të ri të Kuvendit, Niko Peleshin, nuk kanë munguar as batutat dhe ironitë e demokratëve.
Kur u thirr emri i Arbian Maznikut për të votuar, nga salla u dëgjua Flamur Noka të thotë “Nesti Angoni, ky është Nesti Angoni”.
Ndërsa për deputeten e re të Elbasanit, Sara Mila, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi u dëgjuan të thoshin “Suel Çela”.
Gazment Bardhi: Mis burgu ec aty…
- Betohen 138 deputetë
Në zgjedhjet e 11 Majit, PS arriti të merrte 83 mandate, PD dhe aleatët 50 mandate, ndërsa 7 mandate u takojnë forca të reja.
138 deputetë dhanë betimin e tyre, ndërsa 2 të tjerë, Tom Doshi dhe Sabina Jorgo nga PSD, hoqën dorë nga mandati i tyre.
Seanca u drejtua nga Vasil Llajo, si deputeti më i vjetër pas Sali Berishës dhe Tritan Shehut, të cilët nuk pranuan këtë rol pasi nuk pranojnë as rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, pavarësisht se ndodheshin në seancë.
Vasil Llajo, i cili bëri disa gafa gjatë fjalës së tij, është pronari i laboratorëve “Intermedica”, njeriu që është akuzuar më së shumti publikisht se ka abuzuar në qindra mijëra euro me çmimet e testeve të Covid-it gjatë pandemisë.
- Kabineti i ri qeveritar
Belinda Balluku – Zv/Kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës
Albana Koçiu – Ministria e Punëve të Brendshme
Elisa Spiropali -Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Petrit Malaj – Ministria e Financave
Blendi Gonxhja – Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit
Sofjan Jaupaj – Ministria e Mjedisit
Mirela Kumbaro – Ministria e Arsimit
Evis Sala – Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Delina Ibrahimaj – Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit
Diella (e krijuar me inteligjencë artificiale) – Ministria e Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike;
Besfort Lamallari – Ministria e Drejtësisë
Pirro Vengu – Ministria e Mbrojtjes
Andis Salla – Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ervin Demo – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor
Majlinda Dhuka – Ministrie e Shtetit për kryenegociator;
Adea Pirdeni – Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Toni Gogu – Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin.