Nga Boldnews.al
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) përfundoi, në 4 shtator 2025, procedurën për vlerësimin e kandidatëve që synojnë të plotësojnë vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese pas mbarimit të mandatit të gjyqtares, njëkohësisht edhe kryetare, Holta Zaçaj, pasi aplikanti i fundit në radhë, Denar Biba, dha dorëheqjen nga gara.
“Boldnews.al” e kishte paralajmëruar më herët se Biba nuk do të ishte pjesë zyrtare e garës, në një artikull të publikuar në 2 shtator 2025, dy ditë para mbledhjes së KED-it.
Një informacion konfidencial dhe deri diku i besueshëm mbërriti në redaksi, ku jepeshin të dhëna se ndaj Denar Bibës po ushtrohej një “presion pozitiv” për t’u larguar nga gara denjësisht, pasi ai nuk mund ta kalonte me sukses kriterin e pasurisë.
Denar Biba ishte rrëzuar edhe më herët familjarisht në një procedurë të ngjashme kontrolli. Në vitin 2020, bashkëshortja e tij, Elona Kana, e cila në atë kohë mbante pozicionin këshilltares ligjore në Gjykatën e Lartë, u tërhoq nga procesi i Vetingut, sapo Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) i dërgoi raportin paraprak të verifikimit.

Biba nuk ishte pjesë e listës së kandidatëve më të kuotuar për postin e gjyqtarit kushtetues, vakancë për të cilën kishin kandiduar edhe 12 juristë të tjerë. Megjithatë, ai duket se ka synuar që të marrë një “çertifikatë pastërtie” nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për ta përdorur me shumë mundësi në një procedurë të ngjashme konkurimi, sidomos tashmë që është në fund të mandatit si kryetar i Autoritetit të Konkurencës.
Por, kjo dëshirë e Denar Bibës për “çertifikatë pastërtie” binte ndesh me interesat e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili drejton Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025.
Sadushi, prej disa muajsh është fytyra më e dukshme e një operacioni kirurgjikal për “rrëmbimin” e më së paku tre mandateve kushtetuese. Në fokus janë mandatet e Holta Zaçaj, gjyqtares së dorëhequr Elsa Toska, si edhe gjyqtares në detyrë, Sonila Bejtja.
Denari “plangprishës”
Procedura për verifikimin e kandidaturës së Denar Bibës, i cili ishte e fundit në radhë, zgjati më shumë se sa duhej. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, gjatë muajit korrik 2025, shtyu tre herë mbledhjen për të diskutuar gjetjet e pasurisë, profesionalizmit dhe integritetit të tij, në pritje të “dorëzimit të dokumentave sqaruese”.
Biba po shndërrohej në një pengesë për “vrullin” e Sokol Sadushit për të mbyllur sa më shpejt procesin për zëvendësimin e Holta Zaçaj, me të cilën kishte pasur më herët edhe një debat të fortë publik dhe institucional.

Me shumë mundësi, Denar Biba duhet të ketë marrë “këshilla miqësore” për t’u tërhequr nga gara, pasi po bllokonte një proces që duhej të shkonte në “rrugën e duhur”. Por ai, nuk e ka pranuar këtë sugjerim, të paktën deri në fillim të shtatorit 2025.
“Mesazhi”
“Kokëfortësia” e Denar Bibës mund të jetë shkaku kryesor që Sokol Sadushi, me një ndërhyrje “in extremis”, i përcolli mesazh publik kandidatit plangprishës për t’u tërhequr nga gara. Natyrisht, mesazhi nuk ishte i drejtpërdrejtë.
Në 2 shtator, Sadushi, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, shpërndau një deklaratë-prononcim në media, ku “justifikohej” se vonesa në plotësimin e vakancës së Holta Zaçaj ishte pasojë e procesit të ndërlikuar verifikues dhe nevoja për përfshirjen e disa institucioneve.
Ndër të tjera, në atë deklaratë të Sadushit, e cila u shpërnda vetëm dy ditë para mbledhjes për verifikimin e kandidaturës së Denar Bibës, thuhej:
“Aktualisht, Këshilli ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit të kandidaturave dhe më 4 shtator 2025 do të zhvillojë mbledhjen për përmbylljen e verifikimit të kandidaturës së fundit për vakancën që i takon Gjykatës së Lartë”, thuhej në prononcimin e datës 2 shtator. Pra, duket se Sokol Sadushi ia tha qartësisht Denar Bibës se ai kishte vendosur përfundimisht që do të “lante duart” me kandidatin plangrishës në 4 shtator, megjithëse, formalisht, vendimmarrja nuk i takonte atij si kryetar, por të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Ligji parashikon që kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në rastin konkret Sokol Sadushi është “i pari ndër të barabartët” (primus inter pares) në një strukturë prej 9 anëtarësh. Gjë që do të thotë se ai ka vetëm një votë. Por, qëndrimi publik i shpërndarë nga zyra e Sadushit “për përmbylljen e verifikimit të kandidaturës së Denar Bibës në 4 shtator” tingëllonte si një lloj paragjykimi apo edhe paravendosje për vendimmarrjen e trupës së KED-it.

Megjithatë, zyra e Sadushit e mohoi këtë qasje paragjykuese, në një komunikim me “Boldnews.al”.
“Këshilli ka zhvilluar tre mbledhje të njëpasnjëshme (në datat 10.07.2025; 21.07.2025; 30.07.2025) për shqyrtimin e dokumentacionit dhe për sqarimin e çështjeve të lidhura me këtë kandidaturë (Denar Biba, shën.red). Ky proces, që do të vijojë me mbledhjen e datës 4.09.2025, tregon vëmendjen dhe seriozitetin me të cilin Këshilli po e trajton këtë proces për të përmbyllur sipas ligjit fazën e verifikimit të kandidaturës dhe për të kaluar më pas në vendimmarrjen përfundimtare”, thuhet në një mesazh, përcjellë me e-mail paraditen e 4 shtatorit 2025.
“Mashtrimi”
Deklarata publike e shpërndarë nga zyra e Sadushit në 2 shtator 2025, krahas asaj që mund të lexohet si një “mesazh” ndaj Denar Bibës për t’u dorëhequr, shoqërohej edhe me një element tërësisht të rremë dhe mashtrues.
Duke argumentuar “vonesat” në procedurat për zëvendësimin e gjyqtares kushtetuese, Holta Zaçaj, Sadushi shprehej ndër të tjera:
“Sa i përket procesit për zëvendësimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, i hapur në dhjetor 2024, procedura nuk është përmbyllur ende për shkak të natyrës së fazës së parë të verifikimit, e cila është më e gjatë dhe komplekse. Kjo fazë përfshin:…. procedurat gjyqësore për kundërshtimin e disa vendimeve të KED në Gjykatën Administrative të Apelit…;”.
“Boldnews.al”, i cili më herët ka konstatuar se për vakancën e Holta Zaçajt nuk ka pasur asnjë ankimim dhe se procedura është shoqëruar me një rezultat thuajse perfekt, gjithësesi, pyeti sërish Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për të mësuar më shumë mbi kandidatët për vakancën e Zaçajt, që kanë ankimuar vendimmarrjen e KED-it.
Me këtë kërkesë për sqarim, redaksia kërkoi të kuptonte nëse qëndrimi paraprak i kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi mund të ishte një lapsus. Por, nuk rezultoi kështu.
Sokol Sadushi, në përgjigjen për “Boldnews.al” e ritheksoi faktin se “vonesat” në procedurën për vakancën e Holta Zaçaj kanë ardhur edhe si rrjedhojë e ankimimeve në Gjykatën e Apelit Administrativ.
“Gjatë vitit 2025 janë paraqitur ankime në Gjykatën Administrative për vendimmarrje të KED-it, si për vakancën e Gjykatës së Lartë, ashtu edhe për vakancën e Kuvendit. Për vakancën e krijuar nga përfundimi i mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj kanë aplikuar 13 kandidatë. Vendimmarrja e Këshillit për këtë vakancë është kundërshtuar në Gjykatën Administrative të Apelit nga zj. Nertila Sadedini, dhe gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë”, thotë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në përgjigjen e tij.
“Boldnews.al” kreu verifikimet në burime zyrtare dhe rezultoi se juristja Nertila Sadedini nuk ka aplikuar për vakancën e krijuar nga përfundimi i mandatit të gjyqtares kushtetuese, Holta Zaçaj.
Kjo vërehet qartësisht edhe në njoftimin e Gjykatës së Lartë, dt.13 janar 2025, ku renditen emrat e 13 aplikantëve për atë vend vakant.

Juristja Sadedini nuk është pjesë e asaj liste. Ajo ka kandiduar për vakancën e krijuar nga dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska dhe është ndaluar të vijojë garën.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e ka shumë të qartë që gjyqtarja Sadedini nuk ka aplikuar për vakancën e Holta Zaçaj, por, për arsye të paqartë, ka vendosur të mashtrojë publikisht, duke e përmendur si një nga pengueset e procesit për zëvendësimin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese.
Garë e nisur me sherr
Në dhjetor 2024, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u përfshi në një kurs përplasje publike dhe institucionale me kreun e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, për kohën se kur përfundonte mandati i kësaj të fundit.
Sadushi e justifikoi qëndrimin e tij luftarak me të drejtën si drejtues i Gjykatës së Lartë, insititucioni që kishte zgjedhur Zaçajn dhe që kishte për detyrë të caktonte edhe zëvendësin e saj.
Megjithatë, zhvillime të mëvonshme ngritën dyshime se “sherrnaja” e nisur nga Sadushi nuk ishte edhe aq parimore. Në sfond u dallua dëshira e tij ekstreme që të kontrollonte emërimin e të paktën 3 gjyqtarëve kushtetues gjatë vitit 2025, kohë kur ai u shortua për të drejtuar edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Në “lojën” e Sadushit u vendosën në objektiv, krahas mandatit të Holta Zaçaj, edhe ato të gjyqtareve kushtetuese Elsa Toska (e dorëhequr) dhe Sonila Bejtja, dy të fundit të emëruara për mandat të plotë 9-vjeçar dhe që u mbaron në vitin 2028.

I gjithë procesi për gjetjen e zëvendësuesit të Holta Zaçaj u zhvillua me një lloj vrulli ekstrem nga ana e Sokol Sadushit, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”.
Për shumë muaj, Sadushi është shfaqur si “violina e parë” në një proces të dyshimtë, të rrëmujshëm dhe me qëllim përfundimtar “rrëmbimin në tavolinë” dhe në mënyrë anti-kushtetuese, të tre mandave të Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, Sadushi mund të jetë vetëm krahu operativ dhe fytyra e dukshme e një grupi që synon krijimin e një sistemi “korporativ” në krye të pushtetit gjyqësor
Kandidatët post-Zaçaj
Denar Biba, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe aktualisht drejtues i Autoritetit të Konkurencës, ishte një ndër 13 kandidatët që aplikoi për të zëvendësuar gjyqtaren kushtetuese Holta Zaçaj, të cilës i përfundoi mandati në mars 2025.
Zaçaj ishte emëruar për një mandat të pjesshëm nga Gjykata e Lartë dhe ishte ky institucion që shpalli procedurën për zëvendësimin e saj në janar të këtij viti.
Përgjatë periudhës qershor-korrik, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar gjatë mandatit 1-vjeçar 2025 nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, lejoi kandidimin e 6 kandidatëve; Alban Toro, Alma Faskaj, Asim Vokshi, Florjan Ballhysa, Naureda Llagami dhe Genta Bungo (Tafa).
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shpalli përfundimin e verifikimit pa një vendim përfundimtar për 4 aplikantë që paraqitën dorëheqjen nga gara: Klodian Rado, Irena Nino, Rezana Balla dhe Lulzim Hamitaj.
Ndërkohë, dy kandidatë të tjerë, Nurihan Seiti dhe Sinan Tafaj, u ndaluan të kandidonin, për shkak se nuk plotësonin kriteret ligjore.
Për kandidatin e 13-të dhe të fundit, Denar Biba, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shtyu tre herë rresht mbledhjen për vendimmarje gjatë muajit korrik 2025, pasi anëtarët vlerësuan se kishin nevojë për sqarime mbi sqarime lidhur me të dhënat personale dhe pasurore të tij.
Në 4 Shtator 2025, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi përfundimin e procesit të verifikimit të kandidatit Biba, për shkak të dorëheqjes.
Një garë, e nisur keq dhe e përfunduar akoma më keq.
Emrat më të “kuotuar”
Tashmë që janë konfirmuar 6 kandidatët përfundimtarë për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) pritet të kryejë pikëzimin e tyre dhe, më pas, lista do t’i dërgohet Gjykatës së Lartë, e cila do të emërojë gjyqtarin/en që do të zëvendësojë Hola Zaçaj.
Megjithëse procesi, si rregull, është diskret, në korridoret e drejtësisë së lartë, por, natyrisht, edhe politikës, janë të paktën 3 kandidatët më të kuotuar.
Asim Vokshi, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Lartë, shpreson që të marrë votat e kolegëve të tij për t’u zhvendosur me zyrë në Gjykatën Kushtetuese.

Naureda Llagami, ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, është një ndër emrat e preferuar të “polit” politik brenda maxhorancën, që përfaqësohet nga dyshja Fatmir Xhafaj-Erion Veliaj, megjithëse ky i fundit i dobësuar fuqishëm pas arrestimit, në shkurt 2025. Pjesë e këtij “poli” është edhe Sokol Sadushi, i njohur për lidhjet e ngushta me Fatmir Xhafaj.

Genta Bungo (Tafa), ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), megjithëse është kualifikuar në mënyrë tejet të dyshimtë për shkak të problemeve me pasurisë, shihet gjithashtu si një kandidate potenciale për të zëvendësuar Holta Zaçaj. Pikëpyetjet mbi pasurinë e saj mund të “tolerohen” përballë “qokave politike” të shumta që ajo ka kryer gjatë drejtimit të procesit të Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në foto: Kandidatja Genta Bungo (Tafa), ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (Vetingut)
Gjithësesi, gara ka arritur në metrat e fundit të finishit dhe emri i ri gjyqtarit kushtetues pritet të zbulohet brenda pak ditëve. Sokol Sadushi nuk ka kohë më kohë që të vonohet në procedurat administrative finale.
LEXO EDHE:
“Rrëmbimi” i mandateve kushtetuese/ Sokol Sadushi “lan duart” me Denar Bibën në 4 shtator
Skandali në KED/ Genta Bungo probleme me pasurinë, Sokol Sadushi e kualifikoi për në Kushtetuese
Kandidate për në Gjykatë Kushtetuese, Naureda Llagami “fsheh” punësimin tek Soros