Pas ndarjes nga jeta të stilistit Giorgio Armani në moshën 91-vjeçare, e ardhmja e perandorisë së modës që ai ndërtoi po shihet me shumë interes. Armani e themeloi shtëpinë e tij të modës në vitet ’70, duke ruajtur deri në fund kontroll absolut mbi krijimtarinë dhe administrimin. Për të siguruar që kompania të mbetej e pavarur dhe në linjë me parimet e tij, ai krijoi më 2016 Fondacionin Giorgio Armani, i cili ka për detyrë të mbrojë trashëgiminë dhe qeverisjen e markës. Pas vdekjes së tij, drejtimi i kompanisë pritet të ndahet mes fondacionit, anëtarëve të ngushtë të familjes dhe bashkëpunëtorëve të besuar.
Motra e tij Rosanna, mbesat Silvana e Roberta, nipi Andrea Camerana, si dhe bashkëpunëtori i afërt Leo Dell’Orco, i cili ka qenë figura kyçe kreative në linjën e meshkujve, do të jenë mes emrave më të rëndësishëm në këtë tranzicion. Po ashtu, drejtues si Giuseppe Marsocci, Daniele Ballestrazzi dhe Federico Marchetti përmenden si pjesë e udhëheqjes ekzekutive dhe bordit.
Armani kishte parashikuar gjithçka me statutet e kompanisë, që përfshijnë rregulla për ndarjen e aksioneve, kufizimin e riskut në investime të mëdha dhe shtyrjen e listimit në bursë për të paktën pesë vjet. Grupi, i cili në vitin 2024 regjistroi të ardhura prej 2.3 miliardë euro, ndodhet në një moment të vështirë për shkak të krizës në industrinë e luksit, veçanërisht në tregje si Kina, por gjithsesi shihet si një prej markave më tërheqëse në treg. Ekspertët theksojnë se struktura e ndërtuar nga Armani e bën kompaninë të aftë të ruajë pavarësinë, edhe pse nuk përjashtohet interesi i investitorëve të mëdhenj ndërkombëtarë.
Në intervistën e tij të fundit, stilisti pranoi se i vetmi pendim ishte fakti se i kishte kushtuar më shumë kohë punës sesa familjes. Megjithatë, ai kishte lënë të qartë se dëshironte një tranzicion organik, pa ndërprerje, duke besuar se familja dhe bashkëpunëtorët më të afërt do të vijonin vizionin e tij. Në këtë mënyrë, perandoria Armani pritet të mbetet një prej emrave më të fuqishëm të modës botërore, duke ruajtur stilin e saj unik dhe autenticitetin që Giorgio Armani e konsideronte thelbësore.