Tenderi për “Përmirësimin e Sistemit të Thesarit” nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka shkaktuar reagime për shkak të mënyrës së shpalljes së fituesit dhe numrit të kufizuar të pjesëmarrësve.
Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve COMMUNICATION PROGRESS (në pronësi të Gentian Likaj dhe Enkeleidi Zoraqi) dhe HORIZON (në pronësi të Ermal Beqirit), me vlerën 679,999,999 lekë pa TVSH, ose rreth 8.3 milionë euro me TVSH.
Fondi limit i tenderit ishte 750,314,460 lekë pa TVSH, pra vlera fituese përfaqëson rreth 90.6% të fondit limit.
Tenderi është zhvilluar me procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar dhe sipas dokumentacionit që disponon JOQ Albania, kanë marrë pjesë vetëm katër kompani. Dy prej tyre nuk kanë dhënë fare ofertë, duke rezultuar me vlerë zero, ndërsa fituesi ka ofruar vlerën më të lartë nga të gjithë pjesëmarrësit. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karcanaj, të shpallë fitues Ermal Beqirin dhe partnerët e tij.
Ermal Beqiri, një nga eksponentët më të fuqishëm në tregun shqiptar të teknologjisë, ka rënë së fundmi në vëmendjen e SPAK. Burime konfidenciale konfirmojnë se oficerë të BKH kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë së tij, “Soft & Solution”, për mënyrën se si janë fituar kontratat publike, përfshirë hetime mbi shkelje ligjore, favorizime apo manipulime gjatë prokurimeve.
Megjithatë, ndonëse është kontrolluar nga SPAK, kjo nuk e ka penguar Beqirin që të përfitojë plot 8.3 milionë euro nga taksat e shqiptarëve përmes AKSHI.
Detaje teknike të tenderit:
- Numri i referencës: REF-34655-12-26-2024
- Fondi limit: 750,314,460 lekë pa TVSH (~9.2 milionë euro me TVSH)
- Vlera fituese: 679,999,999 lekë pa TVSH (~8.3 milionë euro me TVSH)
- Proçedura: E hapur, mbi kufirin e lartë monetar/ JOQ Albania
Lexo edhe:
Miliarda me tenderat e AKSHI-t/ BKH ushtron kontrolle në zyrat e “Soft & Solution” të Ermal Beqirit