Nga Boldnews
Massimo D’Alema mund të konsiderohet si “pensionisti” më i famshëm i huaj në Shqipëri. Ish-kryeministri italian, i shndërruar në lobist ndërkombëtar, ka hapur prej fillimit të vitit 2024 një studio konsulence tregtare në Shqipëri. Zyra gjendet në pikën zero të vendit, në qendër të Tiranës, në “Pallatin e Kulturës”, një vend që shumë pak njerëz mund të kenë akses, për shkak të çmimit të qirasë.
Por, as pozicioni, as emri i njohur, duket se nuk kanë qenë fat-sjellës për njeriun që drejtoi Italinë në vitet 1998-2000. Ai deklaron se studioja e tij, “A&I Albania” i ka siguruar fitime në vlerën rreth 10 mijë euro për vitin 2024. Me një mesatare mujore rreth 850 euro, të ardhurat e D’Alemas janë shumë më të ulta edhe të një emigranti shqiptar me punë të rëndomtë në vendin e tij.
Në Bilancin Tregtar, të dorëzuar pak ditë më parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Massimo D’Alema deklaron se gjatë vitit të kaluar ka ofruar shërbime konsulence në vlerë totale rreth 3 milionë lekë të reja (rreth 30 mijë euro). Pjesa më e madhe e kësaj shume është përdorur për shpenzime zyre dhe administrative. Në fund, ai ka llogaritur një fitim prej 1.04 milionë lekë të reja (10 mijë euro).

Referuar shifrave të vetëdeklaruara prej tij, D’Alema është miku i huaj “më i varfër” i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Të tjerë “miq” ndërkombëtar të shefit të qeverisë shqiptare, janë shpërndarë në monopole apo investime strategjike, në sektorët e rëndësishëm të infrastrukturës, energjitikës, turizmit, dhe së fundmi edhe në monopolin e armëve, ku shfaqet emri i lobistit izraelit, Ron Yeffet.

Raporti financiar i Massimo D’Alema-s është e mbështjellë nga diskrecioni për llojin dhe natyrën e konsulencës së ofruar. Megjithatë, nisur nga të ardhurat minimale të vetëdeklaruara prej tij, ato shërbime, të çdo lloji, nuk do të përbënin aspak interes publik.
Ajo që mund të përbëjë interes është fakti se përse, një individ me një back-ground të fuqishëm politik e ndërkombëtar, do të duhej të vinte në Shqipëri, për një fitim minimal, më të vogël edhe se të një pensionisti italian. Në vijim, pyetja më e natyrshme është-a është real fitimi i deklaruar?
Lobisti D’Alema
Massimo D’Alema, tashmë 76 vjeçar, ka qenë një figurë qendrore e politikës italiane nga fundi i viteve ’90 deri në fund të dekadës së parë të viteve 2000.
Ai ishte lider i së majtës italiane, kur udhëhoqi qeverinë italiane në vitet 1998-2000. Më pas, ai ishte zv.kryeministër e Ministër i Jashtëm në qeverinë e Romano Prodit, në vitet 2006-2008.
D’Alema u largua nga politika aktive për t’u shndërruar në një ekspert dhe lobist i çështjeve ndërkombëtare. Zyra e tij qendrore, “DL&M advisor” i ka siguruar të ardhura të shumta. Vetëm për vitin 2024, D’Alema ka fituar mbi 1.5 milionë euro, sipas një raportimi të gazetës italiane “Il Giornale”.
“Shoqëria ka si objekt “konsulencën në fushën e proceseve të ndërkombëtarizimit” të tregjeve të ndryshme të huaja “për kërkimin dhe tërheqjen e investimeve nga kompani private”, thuhet në shkrimin e medias italiane, të cituar nga “Boldnews.al”. “Një biznes fitimprurës, duke qenë se bilanci i vitit 2024 është mbyllur me 1.578.170 euro fitim, në rritje krahasuar me 1.358.662 euro në 2023 dhe sidomos me 393.807 euro të vëna mënjanë në 2022”.
Rama: D’Alema, “mik pro-bono”
Lobisti Massimo D’Alema erdhi në Shqipëri si “mik” i kryeministrit Edi Rama. “Kurrë nuk kam folur për tregti me Massimo D’Aleman. Kam folur gjithnjë për politikën, kam folur gjithnjë për Shqipërinë, kam folur gjithnjë për… Pastaj, ai është i lirë të bëjë çfarë të dojë”, deklaroi shefi i qeverisë shqiptare në një mini-bisedë me gazetarët e emisionit “Report” të Rai 3”, në fillim të vitit 2024.
Rama e paraqiti D’Alema-n si një “këshilltar pro-bono”, i cili kishte dëshirën e mirë për të ndihmuar me ide falas kryeministrin shqiptar. D’Alema nuk është këshilltari i parë “pro-bono” i Ramës.

Në vitin 2014, ai prezantoi në mënyrë të ngjashme edhe Tony Blair, ish-kryeministrin britanik, të shndërruar në lobist ndërkombëtar. Deri më tani, nuk është identifikuar asnjë pagesë zyrtare e qeverisë shqiptare për Tony Blair. Por, studio “Omnia Strategy” e bashkëshortes së tij, Cherie Blair, ka përfituar mbi 2 milionë euro për të përfaqësuar qeverinë shqiptare në përballjen në Arbitrazhin Ndërkombëtar me sipërmarrësin italian, Francesco Becchetti.
A është “pro-bono” Massimo D’Alema?
Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës, ish-zv.kryeministri shqiptar, Arben Ahmetaj, në arrati prej shumë muajsh, thotë “JO”. Ahmetaj, i cili ka mbajtur poste kyçe qeveritare, si ministër i Ekonomisë dhe më pas i Financave në dy nga tre kabinetet qeveritare të Ramës, thotë se “Massimo D’Alema lobon në Shqipëri për kompani kriptovalutash”. D’Alema e mohoi këtë pretendim, sipas citimeve në median italiane.

Ndërkohë që ende nuk ka asnjë informacion për aktivitetin e Massimo D’Alema-s në Shqipëri, “Boldnews.al” ka raportuar më herët se administratorja e zyrës së tij në Shqipëri, kontabilistja Majlinda Haloçi, rezulton njëkohësisht drejtuese administrative e kompanisë së një italiani, i cili ka marrë leje nga kryeministri Edi Rama për ndërtimin e një resorti (fshati) turistik, në bregdetin e Himarës, në Jug të Shqipërisë.
Në qershor të vitit 2024, një portal informativ italian “open.online”, ngriti spekulimet se ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, është pjesë e një grupi investitorësh që kanë përfituar nga shefi i qeverisë së Tiranës, Edi Rama, leje ndërtimi për fshat turistik në zonën e Himarës.
Sipas “zërave që qarkullojnë në kryeqytetin shqiptar”, siç citohet në sitin Italian, D’Alema duket se po përdor një kompani konsulence të regjistruar në Tiranë në janar të vitit 2023, “A&I Albania”, për të avancuar interesat e tij financiare në botën e ndërtimit në bregdetin shqiptar.
Megjithatë, portali citon administratoren e kompanisë së Massimo D’Alema-s në Shqipëri, kontabilisten Majlinda Haloçi, e cila i mohon këto zëra.
“Në punën time jam ndjerë gjithmonë shumë e afërt me kompanitë italiane…Në këto kompani përfshihet edhe kompania A&I Albania, në të cilën konfirmoj se nuk kam asnjë përgjegjësi për çështjen në fjalë”, thotë ajo, lidhet me dyshimet e “Open.online” për përfshirjen e ish-kryeministri Italian në një projekt ndërtimi.

“Boldnews.al” avancoi kërkimet mbi dokumenta zyrtare, për të kuptuar më shumë se nga mund të kenë pasur burimin “zërat e përfshirjes së D’Alema-s në projekte ndërtimore”.
Bazuar në dokumentat zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ekspertja Haloçi rezulton, ndër të tjera, administratore në shoqërinë “Geosat Group”, me aktivitet projektime e ndërtime.
Shoqëria është krijuar në vitin 2002 me ortak themelues sipërmarrësin Italian, Paride Boscheti. Ndër vite, shoqëria ka ndryshuar aksionerë dhe, prej vitit 2014, Boschetti e zotëron atë 100 përqind.
Gjithashtu, Paride Boschetti rezulton pronar me 100 përqind të aksioneve në shoqërinë “Investment Group”, ku është edhe administrator i saj.
Në 13 Shtator 2021, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, me vendimin nr.15, vendosi “Miratimin me kusht të Lejes së Ndërtimit për objektin: Kompleks Turistik Vila 2 Kat”, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Investment Group” sh.p.k.”.

Sipas lejes së ndërtimit, projektues i kompleksit të vilave është shoqëria tjetër e Paride Boschetti-t, “GeoSat Group”, në të cilën kontabilistja Majlida Haloçi është administrator.
Në 25 Prill 2024, KRRT nën drejtimin e Ramës, miratoi vendimin nr. 21, me objekt “Shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit për objektin: Kompleks Turistik Vila 2 Kat”, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Investment Group” sh.p.k.”, miratuar me vendim nr. 15, dt 13.07.2021 të KRRT”.
Duket se ky mund të jetë projekti, për të cilin portali italian “Open.online” pretendon se “ka zëra në Tiranë që përfshijnë interesat e Massimo D’Alema-s në industrinë e ndërtimit në Shqipëri”.
Gjithësesi, duhet theksuar se përfaqësuesja e D’Alema-s në Shqipëri, Majlinda Haloçi, e mohoi një pretendim të tillë. Edhe zyrtarisht, zyra “A&I Albania” e ish-kryeministrit Italian, nuk ka në objektin e saj veprimtari ndërtimore, por vetëm konsulencë për investitorë të huaj në Shqipëri.