Nga Boldnews.al
Në 10 Mars 2025, sipërmarrësi Arbër Veliaj, pranoi publikisht se ai kishte nënshkruar kontratën (300 mijë euro) për t’i siguruar një zyrë këshillimi ligjor amerikane vëllait të tij, Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, i cili është i arrestuar prej 10 shkurtit të këtij viti, nën akuzat e “korrupsionit”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurisë”.
Veprimi i djalit më të vogël të familjes për vëllain e tij është mëse normal, në një raport personal. Megjithatë, Arbër Veliaj nuk është aq “i huaj” në dosjen e përgatitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për vëllain e tij kryebashkiak, si edhe bashkëshorten e këtij të fundit, Ajola Xoxe.
Emri i Arbër Veliaj shfaqet në disa episode të dosjes hetimore që SPAK-u po përgatit për të dërguar në gjykatë, ku lëvizjet e tij ngrenë dyshime se edhe ai është përfshirë në raste të pastrimit të parave.
Megjithatë, deri më tani, Prokuroria e Posaçme nuk ka njoftuar për ngritjen e ndonjë akuze të mundshme ndaj Arbër Veliajt, duke dëshmuar një lloj tolerance të theksuar ndaj tij.

Duket se SPAK-u ka treguar një lloj ndjesie ndrojteje, për të shmangur komente publike se po merr të pandehur të gjithë familjen Veliaj, një “akuzë” publike e artikuluar ndaj Prokurorisë së Posaçme nga analisti Mero Baze, një zë i fortë mediatik në mbrojtje të kryebashkiakut të Tiranës.
Në një editorial të publikuar te “Tema” në 23 Korrik, kur Prokuroria e Posaçme formuloi akuzat zyrtare për të gjithë të përfshirët në dosjen “Veliaj”, Baze shkruan: “…Ky zgjerim i rrethit jo vetëm për hetime, por edhe për marrje të pandehurish, është një përpjekje për të justifikuar në opinion zbulimin e një grupi “armiqësor” të rrezikshëm. Në të vërtetë, është një formë torturimi psikologjik e social ndaj të akuzuarve, duke i futur në konflikt me gjithë fisin dhe miqtë e tyre, vetëm sepse nuk faktohen dot akuzat për korrupsion…”.
Pas “ndrojes” së SPAK-ut, Veliaj i vogël ka marrë revansh ndaj Prokurorisë së Posaçme. Në një prononcim për “The Economist”, Arbër Veliaj vëllai i kryetarit të bashkisë, thotë se “SPAK është bërë mashtrues” dhe se “po e mban atë në burg mbi baza të rreme”.
Pagesa e shtrenjtë për këshilltarët e huaj
Sipërmarrësi 40-vjeçar, Arbër Veliaj, drejton prej vitin 2009 kompaninë e prodhimeve publicitare, “Gogel”, e cila në vitin 2023 u përthith nga “Gogel Holding”.
Shoqëria, e cila kishte një aktivitet modest për disa vite pas themelimit, mori një hov të rëndësishëm financiar pas vitit 2013, kur i vëllai i tij, Erion Veliaj u emërua ministër i Mirëqenies në kabinetin qeveritar “Rama 1”, dhe sidomos pasi ky i fundit mori mandatin e kryebashkiakut të Tiranës, në vitin 2015.

Belind Këlliçi, një eksponent i Partisë Demokratike në opozitë, i cili udhëhoqi protestat disa-mujore kundër korrupsionit në Bashkinë e Tiranës gjatë vitit 2024, deklaroi në një emision televiziv: “Deri në vitin 2013 kompania që ka blerë me 1 mijë euro Arbër Veliaj kishte një xhiro normale, por çuditërisht në vitin që Erion Veliaj kandidon dhe zgjidhet kryetar i bashkisë ai nis të shumëfishojë xhiron dhe ka xhiruar në total 30 milion euro në 10 vjet. Kush është ky biznesmen kaq i rëndësishëm që bën këtë xhiro befas nga hiçi?”
Kur Erion Veliaj, 46 vjeç, u arrestua, vëllai më i vogël mori përsipër fushatën propagandistike në mbrojtje të tij, përfshirë edhe afrimin e përfaqësuesve të studios amerikane “Kasowitz Benson Torres”.
Dy përfaqësues të saj u prezantuan publikisht si “avokatët ndërkombëtarë të Erion Veliajt” dhe, madje, në këtë cilësi kërkuan edhe takim me të arrestuarin në ambjentet e paraburgimit të Durrësit. Megjithatë, ata nuk u lejuan, pasi nuk përmbushin kushtet e legjislacionit shqiptar për të qenë përfaqësues ligjor.
Studio “Kasowitz Benson Torres” ka një kosto të lartë-përfaqësuesit e saj paguhen rreth 2 mijë dollarë për orë pune, ndërkohë që pagesa e plotë e tyre në shërbim të Erion Veliajt arrinte në shifrën e afro 300 mijë dollarë.
“Unë garanti financiar për angazhimin e një studioje ligjore amerikane, e cila do të sigurojë konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen juridike të vëllait tim, dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt”, tha Arbër Veliaj në një deklaratë publike në mars 2025.
Ai theksoi se “jam një sipërmarrës me një përvojë 19-vjeçare në biznes, me të ardhura plotësisht të ligjshme, të cilat burojnë nga aktiviteti im tregtar i zhvilluar për gati dy dekada, në pavarësi të plotë nga im vëlla”.
Manovrat me “One”
Ndërkohë që Arbër Veliaj deklaron se të ardhurat e tij nuk kanë asnjë lidhje me postin e vëllait, Prokuroria e Posaçme e sheh në një optikë më ndryshe, bazuar në të dhënat e siguruara gjatë hetimit për kryebashkiakun e Tiranës dhe bashkëshorten e tij.
Një nga rastet e dyshimta, të cituara në dosjen hetimore, janë raportet e shoqërisë “Gogel” të Arbër Veliajt me kompaninë e telefonisë celulare “One”. Dy kompanitë private, së bashku me Bashkinë e Tiranës, kanë krijuar një trekëndësh, në të cilin SPAK-u sheh trafik interesash financiare, siç ka raportuar më herët edhe “Boldnews.al”.
“…Nga hetimi rezulton se klienti kryesor i ‘Gogel shpk’ është shoqëria ‘One Albania’, me një total shitjesh prej 551.639.924 lekë të reja. “Nga ana tjetër, evidentohet se kompania ‘ONE Albania’ ka marrë pjesë në disa procedura të prokurimit publik dhe ka arritur të shpallet fituese në disa prej tyre, duke bashkëpunuar kryesisht me qeverisjen vendore Tiranë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë për Erion Veliaj.

Më tej, në aktet e Prokurorisë së Posaçme thuhet se shoqëria “One” ka fituar disa procedura në Bashkinë e kryeqytetit, “përfshirë këtu tenderin me ojekt ‘Shërbimi i infrastrukturës së dedikuar optike dhe shërbimeve data’, me një fond limit prej 74.398.398 lekë. Për këtë tender, kompania është shpallur fituese në datë 15 Tetor 2024, me një vlerë kontraktuese prej 68.774.075 lekë”.
Gjithashtu, siç citohet në vendimin gjyqësor “një tjetër projekt i rendësishëm ka qenë ofrimi i shërbimeve on-line për monitorimin e trafikut urban në Bashkinë e Tiranës. Ky tender, me një fond limit prej 41.662.726 lekë, rezultoi me nënshkrimin e kontratës më 1 nëntor 2024, me një vlerë përfundimtare prej 40.383.527 lekë”.
Prokuroria e Posaçme ka bërë një përmbledhje të këtij raporti: “…Rezulton se qendra ‘Harabel’ (e drejtuar nga Ajola Xoxe) financohet nga shoqëria ‘One’, e cila përfiton fonde publike nga Bashkia e Tiranës. Nga ana tjetër, kompania ‘One’ është kliente, pra paguan për shërbime marketingu shoqërinë ‘Gogel’, në pronësi të Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj”.

Po ashtu, SPAK-u thotë se ka provuar se edhe shoqëria e telefonisë fikse, “Albtelekom”, e cila është e bashkuar me shoqërinë “One”, ka kryer pagesa në favor të organizatave të kontrolluara “de facto” nga Ajola Xoxe.
Pagesa “fiktive” Ajola-Arbër Veliaj
Arbër Veliaj dhe kunata e tij, Ajola Xoxe, kanë pasur edhe raporte të drejtëpërdrejta financiare. Prokuroria e Posaçme ka përmendur disa episode në dosjen hetimore dhe, në secilin prej këtyre rasteve, prokurorët kanë shënuar termin “fatura fiktive”, duke argumentuar se qarkullimi i parave mes “Harabel” të Ajolës dhe “Gogel” të Veliajt është veprim i rremë, me qëllim mbulimin e vërtetë të burimit të parave.
“…Evidentohet vijimësia e marrëdhënies fiktive financiare ndërmjet ‘Harabel’ dhe ‘Gogel’, së cilës Ajola Xoxe i faturon një shërbim 2 milionë lekë të reja. Fiktiviteti në lëshimin e faturës për kompaninë ‘Gogel’ provohet nga fakti që Ajola i kërkon financieres së saj që të prodhojë një faturë me datë të mëvonshme…”.

Një episod tjetër që evidentohet në dosjen e Prokurorisë është edhe një pagesë e dyshuar fiktive që “Gogel” e Arbër Veliajt ka bërë për organizatën “Ava Studio”, të drejtuar formalisht nga Valbona Xoxe, por që SPAK-u ka provuar se kontrollohet plotësisht nga e bija, Ajola Xoxe.
“Në total, shuma e kaluar në llogarinë e ‘Ava Studio’ nga ‘Gogel’ është 7.468.692 lekë të reja. Në një rast, ndërsa lëshohet një faturë për vlerën 15 mijë euro për ‘Gogel’ nga ‘Ava Studio’, duket i çuditshëm përshkrimi i bërë në të, për ‘produksion video’. Pra, ‘Gogel’, e cila është një shoqëri e mirëfilltë marketingu, paguan ‘Ava Studio’, e cila nuk ka as kapacitet teknik, as njerëzor për të prodhuar video…”, thuhet ndër të tjera në Prokurorinë e Posaçme.
Episode të tjerë me natyrë të ngjashme, të cilat kanë krijuar bindjen për raporte financiare fiktive mes Ajola Xoxes dhe Arbër Veliajt, janë shpërndarë në pjesë të tjera të dokumentit hetimor.
Blerje te “Agi Kons” e Gent Sulës
Biznesmeni i ndërtimit, Gentian Sula, është bashkë i pandehur me Erion Veliajn në dosjen e SPAK-ut, i dyshuar për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.
Prokuroria e Posaçme ka krijuar dyshime të arsyeshme se ndërtuesi Sula ka kryer shërbime financiare në favor të Ajola Xoxes, në këmbim të lejeve të ndërtimit që shoqëria e tij, “AgiKons” merrte në Bashkinë e Tiranës, të drejtuar nga Erion Veliaj.
Në kuadër të këtij raporti, SPAK-u ka kryer verifikime mbi raportet financiare mes “AgiKons” dhe pronarit të saj, Gentian Sula, me Veliajn dhe familjarët e tij.
Në këto verifikime ka rezultuar se Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, zotëron dy pasuri të paluajtshme dhe, ndoshta për rastësi, të dyja lidhen me “AgiKons-in” e Gent Sulës.

Veliaj i vogël ka blerë në vitin 2022 dy apartamente, të bashkuar në një të vetëm, me sipërfaqe totale 123 m2, dhe me një vlerë totale 97.4 mijë euro, në zonën e njohur në Tiranë si “Kodra e Diellit”, e ndërtuar nga shoqëria “AgiKons” e Gent Sulës.
Gjithashtu, Arbër Veliaj rezulton pronar i një trualli dhe një vile të ndërtuar mbi të në zonën e Qerretit në Kavajë, në një kompleks rezidencial të ndërtuar nga “AgiKons” e Gent Sulës.
Arbëri e ka blerë këtë pronë për një total prej 164 mijë euro, ndërsa blerësi ishte një çift bashkëshortësh, të cilët e kishin blerë më herët pasurinë tek shoqëria ndërtuese e Gent Sulës.
Ndërkohë, në hetimet e Prokurorisë evidentohet edhe një fakt tjetër, ku Arbër Veliaj rezulton se kishte porositur një objekt në godinën “Bookbuilding” pranë Sahatit te Tiranës, të ndërtuar nga kompania TDT & Partners.
“Kontrata për ketë objekt është lidhur para një viti, por Arbëri nuk ka kryer ende asnjë pagesë”, thotë Gledi Abdi, një nga pronarët e kompanisë së ndërtimit.
SPAK ka kqyrur të gjitha kontrat e porosisë në lidhje me objektet e ndërtura nga shoqëria “Invest Society Shpk”, e më konkretisht objekti “Rainbow” me Leje Zhvillimore “Godinë Polifunksionale Europiane – Blloku” dhe objekti “Godinë Polifunksionale West Residence”.
Nga kqyrja e materialit të administruar, rezulton se në lidhje me objektin “Rainbow”, Arbër Veliaj, nëpërmjet kompanisë të tij, ka porositur njësi dhe garazhe.
Për ndërtimin e këtij objekti, leja është dhënë nga kryetari i bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj. Sipas letrave, nga shoqëria “Gogël” Shpk eshtë porositur Njësia/Zyra me sipërfaqe ndërtimore 451.9 m2, kati i 3-të i objektit.
Sipërfaqja neto e objektit të porositur është 379.75 m2, ndërsa sipërfaqja e perbashkët është 72.15 m2. Çmimi i blerjes është përcaktuar 1,800 euro/m2, në shumën totale prej 813,420 euro, e cila duhet të paguhet me tre keste.
“Porositë” nga burgu për Arbërin
Arrestimi i Erion Veliajt ishte një goditje e fortë për të gjithë familjen. Data 10 Shkurt 2025 shënoi tronditje për bashkëshorten dhe vëllain e tij, të cilët, sipas dyshimeve të SPAK-ut, ndërtuan pushtetin e tyre ekonomik, nën hijen e pushtetit politik të kryebashkiakut të Tiranës.
Në ditët pas arrestimit, Arbëri u angazhua maksimalisht në mbështetjen e Erioni. Kjo mbështetje nuk ishte thjesht ajo e “vëllait për vëllain”. Ajo i kalonte kufijtë e shqetësimit familjar. Raportet mes Arbërit e Erionit u shndërruan, papritur në një marrëdhënie vartës-epror, ku Veliaj i madh i jepte porosi nga burgu Veliajt të vogël, për të menaxhuar propagandën mediatike.
Pas arrestimit, Prokuroria e Posaçme vendosi në përgjim komunimiket e Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit. Në bisedat e regjistruara, veçohen disa telefonata mes tij dhe të vëllait.
“Në orën 20:08, data 3 mars 2025, Erion Veliaj bisedon me Ajolën, por në një moment të komunikimit të tyre, ndërhyn Arbri. Erioni i kërkon Arbrit që të flasë me Klevisin e Burgjeve, numrin e të cilit duhet ta ketë Admiri, e t’i thuhet që në takim me Erionin mund të shkojë Mero, Ylli Manjani, Mondi, Ton Gogu, Admiri, mund të shkojë në takim edhe Sara, çdokush tjetër, por thjesht t’i thuhet Klevisit dhe ai do të japë Okej. I thotë se ka porosi për të dhënë, dhe se në takim mund të shkojnë edhe përfaqësues të feve”, thuhet ndër të tjera në materialin që Prokuroria e Posaçme paraqiti në Gjykatën e Apelit, kur po shqyrtohej masa e sigurimit për Erion Veliaj, në 13 mars të këtij viti.

Në vijim, në materialin hetimor thuhet: “Në komunikim, Erioni i thotë Arbrit nëse po merren me ‘gjërat’ apo e kanë harruar fare. Arbri e vë në dijeni se çdo ditë po merren. Erion Veliaj i kërkon Arbrit që të merret me median, pasi duhet mbajtur ai presioni (duke nënkuptuar fushatën mediatike). Në fund të komunikimit, Erion Veliaj i kërkon që t’i dërgojë për të lexuar materialin e Ilir Yzeirit, lajme të tjera të portaleve, ato që janë pikante”, thuhet në përgjimet.
Gjithashtu, në dosjen hetimore ka edhe episode të tjera të “porosive” që Erion Veliaj i jep vëllait të tij nga paraburgimi.
“Në orën 18:36, Erion Veliaj bisedon me vëllain e tij, Arbrin, ku diskutojnë në lidhje me rubrikën pyetje-përgjigje. Sipas komunikimit, diçka ka ndodhur dhe nuk arritën në kohë që ta bënin. Po kështu, Arbri i tregon se sot në darkë do të shfaqen te Grida ku do të jenë me pyetje-përgjigje. Arbri i kërkon Erionit që të bëjë pyetje-përgjigje të tjera, që të mos vonohen nesër. Sipas bisedës, përpara publikimit të ‘pyetje-përgjigje’ Arbri merr edhe një konfirmim nga dikush, i cili nuk përmendet në bisedë. Erion Veliaj bisedon me Arbrin dhe e pyet se çfarë kishte ndodhur me ‘Top Channel’ që nuk ka dalë artikulli për të. Arbri i thotë se ka qenë neglizhencë. Erion Veliaj i shprehet se: “Po lihet njëherë porosia dhe nuk shkelet”, thuhet në dosjen hetimore.
Ndërmjet dy vëllezërve ka pasur biseda telefonike shumë intensive në ditët para se Veliaj të shfaqej në Gjykatën e Apelit.
“Në orën 16:21, Erion Veliaj bisedon me vëllain e tij Arbrin, të cilit i kërkon që të pyesë Karlon nëse i ka marrë përgjigjet e tij për emisionin që do të zhvillohet sot në darkë…Në orën 18:05, Erion Veliaj bisedon me Ajolën dhe i kërkon që të flasë me Albin e “Ditës”, sepse Geri Kokalari ka bërë një superintervistë te “Report TV”, e kërkon që t’i japë prioritet intervistës së tij. Erioni i tregon se intervistën e tij do ta publikojnë dy-tri gazeta, edhe “Tema” ndoshta. I kërkon që për këtë të bisedojë me Meron dhe Albin. Në orën 18:07, Erion Veliaj bisedon me Arbrin, ku ky i fundit i tregon se “shokët tanë” i kanë thënë që intervistën (konferencën) ta bëjnë me të gjithë gazetarët, dhe për pyetjet që nuk duan të përgjigjen, do të thotë se nuk flasin dot në këto momente”.
Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme tregon se Arbër Veliaj nuk është thjesht në rolin e një njeriu që shqetësohet për fatin e keq të vëllait të tij më të madh. Emri ‘Arbër Veliaj” përmendet në dosjen hetimore në kënde të ndryshme, ku në shumicën e rasteve përmenden shuma qindra mijëra euro dhe “fatura fiktive”.