Eden Hazard ka folur hapur për transferimin e tij të pafat te Real Madridi.
Belgu, i cili ende njihet si një nga anësorët më të mirë në historinë e Premier League, u transferua nga Chelsea në vitin 2019 për një shumë rekord prej 89 milionë paundësh, por nuk arriti t’i përmbushte pritjet e mëdha që i ishin vendosur.
Megjithatë, aventura e tij në Madrid përfundoi me vetëm 76 paraqitje nën drejtimin e Carlo Ancelottit, gjatë të cilave shënoi shtatë gola dhe dha 12 asistime, përpara se të tërhiqej nga futbolli në moshën relativisht të re, 32 vjeç.
Lëndimet padyshim që luajtën rol vendimtar në rënien e tij. Hazard nuk arriti kurrë të rikuperonte plotësisht formën fizike gjatë kohës së tij në kryeqytetin spanjoll.
Në një intervistë të fundit, 34-vjeçari foli sinqerisht për vështirësitë që përjetoi në klubin që e kishte ëndërruar gjithmonë.
“Ishte klubi im i ëndrrave”, pranoi Hazard për Real Madridin. “Mendoj se isha pak i pafat me kohën kur mbërrita, pandemia e COVID-it nuk ndihmoi aspak.
U detyrova të udhëtoja në Dallas për një operacion dhe më pas u ktheva në Madrid, por ishte periudha e izolimit. Dy ose dy muaj e gjysmë qëndrova vetëm në shtëpi, pa fizioterapist për të bërë rehabilitimin.
Nëse do të mund të ndryshoja një gjë, do të kisha telefonuar një mjek për të vazhduar terapinë, sepse kur përfundoi pandemia, e shtyva trupin tim në limite, por kyçi im i këmbës nuk ishte më i njëjti dhe më pas gjithçka shkoi keq për të gjithë sezonin”. tha ai.
Hazard luajti 245 ndeshje në Premier League për Chelsean, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në 139 gola.
Gjatë kohës në “Stamford Bridge” fitoi dy tituj kampion dhe dy herë u shpall “Lojtari i Sezonit”, në edicionet 2014-2015 dhe 2018-2019.
Në katër sezonet e tij me “Los Blancos”, ai humbi mbi 70 ndeshje për shkak të lëndimeve. Si rezultat, ai u tërhoq nga futbolli në vitin 2023 dhe periudha e tij në Spanjë u përshkrua si një nga transferimet më të dështuara në historinë e futbollit.
Megjithatë, ata që e panë kulmin e tij në Angli do të kishin plot argumente për të mbrojtur trashëgiminë e tij si një nga lojtarët më magjepsës të epokës moderne.