Një 39-vjeçar, i identifikuar si Arben Leka, i cili po qarkullonte i armatosur me një armë zjarri automatike dhe municion luftarak, është arrestuar nga policia.
Sipas policisë, efektivët ndërhynë menjëherë pas marrjes së një informacioni se një shtetas po lëvizte me motomjet pa targa dhe i armatosur, me qëllim kryerjen e një akti kriminal të mundshëm, për shkak të një konflikti të mëparshëm.
Efektivët lokalizuan motomjetin dhe neutralizuan drejtuesin e tij, i cili tentoi të largohej nga vendngjarja. Gjatë kontrollit, në motomjet u gjet një armë zjarri automatike me fishek në fole (gati për qitje), një sasi municioni luftarak si dhe vetë motomjeti pa targa.
“Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, pas marrjes së një informacioni në rrugë operative, se një shtetas i armatosur po lëvizte me motomjet në fshatin Dajç, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje kriminale për shkak të një konflikti të mëparshëm, organizuan punën dhe ndërhynë menjëherë për neutralizimin e situatës.
Shërbimet e Policisë lokalizuan motomjetin pa targa ku drejtuesi i tij tentoi të largohej, por u neutralizua me profesionalizëm nga efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në motomjet, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike, me fishek në fole gati për qitje, një sasi municioni luftarak dhe motomjeti pa targa me të cilin lëvizte shtetasi.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. L., 39 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal“, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore.