Nga Boldnews.al
Për herë të parë në historinë e “Drejtësisës ë Re”, thuajse të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për një post vakant në Gjykatën Kushtetuese, janë kualifikuar.
Kjo po ndodh së fundmi me garën e shpallur nga Gjykata e Lartë, për plotësimin e vakancës së krijuar pas përfundimit të mandatit të anëtares dhe njëkohësisht kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Megjithatë, ku rezultat thuajse perfekt duket se fsheh një skemë të hollë, e cila do t’i lejojë kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, të krijojë një grup të gatshëm prej 3 emrash, për t’i emëruar në Gjykatën Kushtetuese përgjatë mandatit të tij një-vjeçar si kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), që mbaron në fund të vitit 2025.

Skenari duket i hollë dhe po kryhet në një moment që politika, sidomos ajo parlamentare, vijon të jetë e përfshirë në ethet zgjedhore dhe post-elektorale.
“Rutina” e skualifikimeve
Pas miratimit të Reformës në Drejtësi, në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese thuajse u boshatis plotësisht, për shkak të efekteve të Vetingut, si edhe vonesave të gjata për krijimin dhe funksionin e institucioneve që do të kryenin verifikimin e kandidaturave për plotësimin e vakancave.
Kushtetuta parashikon se gjyqtarët kushtetues zgjidhen nëpërmjet skemës: 3 anëtarë nga Presidenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë, pas verifikimit të kandidaturave prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Gjyqtarët e rinj kushtetues nisën të merrnin mandatet, duke filluar nga viti 2019. Për shkak të parashikimeve të ndërlikuara kushtetuese, disa prej gjyqtarëve të rinj qëndruan në detyrë për një periudhë kohore të shkurtër.
Në vitin 2022, Gjykata Kushtetuese u plotësua me 9 anëtarë. Por, prej shtatorit të vitit 2024, trupa është me një gjyqtar më pak, për shkak të dorëheqjes “për arsye personale” të Elsa Toskës, e emëruar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në një verifikim të kryer nga “Boldneës.al” në procedurat e kandidimit për gjyqtar kushtetues, rezulton se, thuajse në çdo rast, të paktën 60 përqind e listës së aplikantëve është skualifikuar.
Ka raste, kur procedurat për plotësimin e vakancave janë anuluar, pasi të gjithë kandidatët për një post në Gjykatën Kushtetuese janë skualifikuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Pak javë më parë, në 29 maj 2025, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, vendosi pezullimin e procedurës e nisur nga Kuvendi për plotësimin e vakancës së krijuar nga dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska, pikërisht për faktin se 8 nga 10 aplikantët ishin skualifikuar.
Pra, në çdo rast të deritanishëm, listë e kandidatëve nuk ka qenë asnjë perfekte, pasi ka pasur gjithnjë më shumë se gjysma e aplikantëve që nuk plotësonin kriteret strikte për të qenë gjyqtar kushtetues.
Por kjo “rutinë” duket se ka ndryshuar pikërisht me procedurën e shpallur nga Gjykata e Lartë për zëvendësimin e gjyqtares kushtetuese, Holta Zaçaj.
Lista “përfekte” e Sadushit
Në janar të vitit 2025, Gjykata e Lartë, e drejtuar nga Sokol Sadushi, njoftoi se kishin aplikuar 13 kandidatë për postin vakant të Zaçaj në Gjykatën Kushtetuese.
Emrat e tyre janë në fazë verifikimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), i kryesuar po nga Sokol Sadushi.
Deri më tani, janë skualifikuar vetëm tre kandidatë. Ndërkohë, 8 prej tyre janë kualifikuar dhe dy të fundit, me shumë mundësi, kualifikohen në mbledhjen e radhës së KED-it, planifikuar për në 21 korrik 2025.
Pra, nga 13 kandidatë, 10 prej tyre kalojnë filtrat e verifikimit, duke shënuar një “rekord thuajse absolut” të të kualifikuarve, krahasuar me çdo procedurë të ngjashme të zhvilluar më parë.
Teorikisht, mund të ndodh që shumica dërrmuese e kandidatëve të plotësojnë kushtet ligjore.
Por, praktikisht, duke parë disa prej emrave të lejuar për të vijuar garën, ka vend për të ngritur dyshime publike. Dhe jo vetëm publike, pasi “dyshime” të tilla ka edhe vetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili duket se e ka pasur të vështirë të bindet për kandidatët.
Në listën e të kualifikuarve për një vend në Gjykatën Kushtetuese gjendet Naureda Llagami, ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Llagami, referuar të dhënave publike të mëparshme, rezulton një mikeshë e ngushtë e Ajola Xoxas, bashkëshorte e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Veliaj dhe Sokol Sadushi njihen gjerësisht në rrethet politike dhe juridike si “klani i Fatmir Xhafajt” në sistemin e drejtësisë. Ekzistenca e kësaj “tresheje” dhe miqësia me Ajolën, duket se e ka joshur që më herët Llagamin për të qenë gjyqtare kushtetuese.
Në disa komunikimeve të zbuluara në janar të këtij viti në media, por gjithësesi të mohuara nga Llagami, ajo rezulton të ketë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Kushtueses dhe këtë qëllim synonte ta realizonte nëpërmjet lidhjeve me Ajola Xoxën dhe ndikimin e bashkëshortit të kësaj të fundit në strukturat e larta të sistemit të drejtësisë.
Përtej faktit nëse ato komunikime ishin të vërteta apo jo, tashmë rezulton se Naureda Llagami është kualifikuar për garën në Gjykatën e Lartë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i kryesuar nga Sokol Sadushi.
Lista e të kualifikuarve në garën e shpallur nga Sadushi për në Gjykatën Kushtetuese përfshin ish-anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Alban Toro. Pikëpyetjet e forta mbi pasurinë e tij vunë në dyshim karrierën e bashkëshortes së tij, gjyqtares së Apelit, Elona Toro, e cila e kaloi me shumë vështirësi procesin e Vetingut.

Gjithësesi, problemet e pasurisë së kandidatit Alban Toro gjatë Vetingut, u “shuan” nga verifikimi i përciptas që kreu ndaj tij së fundmi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Në listën e të kualifikuarve për garën në Gjykatën Kushtetuese gjenden, ndër të tjerë, edhe ish-anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Alma Faskaj dhe ish-komisioneri Publik i Vetingut, Florjan Ballhysa, të dy pjesë e strukturave që janë akuzuar më së shumti për zbrazjen e sistemit të drejtësisë me “urdhëra politikë”.
Dy të fundit që presin kualifikimin me firmën e Sokol Sadushit janë ish-kryetarja e Komisionit të Vetingut, Genta Bungo Tafa dhe Denar Biba, kryetar në detyrë i Autoritetit të Konkurencës dhe ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i emëruar në atë post nga kryeministri Edi Rama.

Për këta dy emra, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shtyrë nga dy herë seancën për shpalljen e rezultateve, nën argumentin se kërkohen argumenta shtesë.
E para, Genta Bungo Tafa, ka qenë në qendër të kritikave të forta të opozitës, si “zbatuesja e porosive të Edi Ramës” për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prukurorëve që nuk kishin dashamirësi me pushtetin e socialistëve.
I dyti, Denar Biba, rezulton se ka probleme të theksuara me pasurinë. Pikëpyetjet e forta mbi burimin e pasurisë së Bibës u shfaqën gjatë procesit të rivlerësimit të bashkëshortes së tij, ndihmëses-ligjore, Elona Kana.

Problemet e Denar Bibës besohet se ishin aq të forta, sa bashkëshortja e tij u detyrua të japë dorëheqjen nga funksionet në sistemin e drejtësisë, para se trupa e Vetingut të shpallte gjetjet e tij.
Tashmë, Biba, ashtu si edhe Genta Bungo, duket se pret një çertifikatë pastërtie nga Sokol Sadushi, në vendimin që pritet të merret nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në 21 korrik 2025.
Skenari i Sadushit
Me një listë gati perfekte, ku thuajse të gjitha kandidatët janë kualifikuar dhe nuk kanë arsye të ankimojnë në gjykatë, Sokol Sadushi fiton kohë të vlefshme për të emëruar gjyqtarin e ri kushtetues, i cili është emërtese e Gjyatës së Lartë, pra e tij personalisht, brenda korrikut 2025.
Tre kandidatët e skualifikuar nga 13 që ishin në garë, Nurihan Seiti, Rezana Balla dhe Sinan Tafaj, tashmë e kanë kaluar fazën e ankimimeve dhe nuk e cënojnë vrapin e garës për zgjedhjen e gjyqtarit të ri kushtetues.
Natyrisht, lista e të kualifikuarve për zëvendësimin e Holta Zaçajt është e gjatë dhe Sadushi nuk ka mundësi të plotësojë dëshirën e të gjithëve.
Spekulimet në korridoret e drejtësisë, por edhe të politikës, flasin për një emër të preferuar nga Sokol Sadushi-Asim Vokshi, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Lartë dhe pjesë e listës së kandidatëve të kualifikuar për pozicionin e Zaçajt.
Emrat “e gatshëm”
Me zgjedhjen, e pritshme, të Asim Vokshit, emrat e tjerë nga lista e Sadushit do të mbeten të zhgënjyer. Por, kreu i Gjykatës së Lartë, njëkohësisht edhe i KED-it, duke se ka menduar edhe për “të mërziturit” e mundshëm.
Skema e ndërtuar hollë prej tij synon që të sistemojë të paktën edhe dy emra të tjerë në Gjykatën Kushtetuese.
Siç u citua më lart, në fund të majit 2025, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pezulloi procedurën për plotësimin e vakancës së krijuar nga dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska dhe propozimi i Kuvendit për ta rihapur garën.
Vendimi i KED-it, nën drejtimin e Sokol Sadushit, nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Pezullimi u argumentua me faktin që numri i kandidatëve ka rënë poshtë numrit 3 të tillë.
Në fakt, Kushtetuta parashikon që KED-i bën vetëm vlerësimin e kandidatëve, ndërsa pezullimi apo vijimi i procedurës së plotësimit të vakancës është tagër i institucionit të emërtesës, që në rastin konkret është Kuvendi.

Në rast se Kuvendi do të pranojë “sugjerimin” e Sadushit, gara rihapet sërish. Në këtë mënyrë, kandidatët e kualifikuar nga “lista e gatshme” e kryetarit të Gjykatës së Lartë, i kanë të gjitha kartat për të kandiduar dhe, me shumë mundësi, njëri prej tyre të emërohet.
Pra, “skenari” i Sadushit krijon premisat që ai, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të diktojë edhe emrin e gjyqtarit kushtetues që do të zgjedhë Parlamenti, në rast se procedura aktuale do të pezullohet përfundimisht dhe do të rihapet tjetra.
Ndërkohë, paralelisht me këto zhvillime, falë edhe një këmbënguljeje publike të Sokol Sadushit, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i drejtoi në kërkesë Gjykatës Kushtetuese në janar 2025, në të cilën kërkohej “interpretimi i kohëzgjatjes së mandave të gjyqtarëve kushtetues”.
Në fakt, qëllimi i vërtetë i kësaj kërkese është “ndërprerja e mandatit të gjyqtarit kushtetues”, siç e citon vetë Begaj në shkresën e tij drejtuar Kushtetueses. Në brendësi të kërkesës, kreu i Shtetit e bën tërësisht të qartë se synon ndërprerjen e parakohshme të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, e emëruar nga paraardhësi i Begajt, Presidenti Ilir Meta.
Begaj kërkon largimin e Bejtjas, nën justifikimin e “skemës së ripërtëritjes 3-vjeçare të gjyqtarëve kushtetues”, megjithëse gjyqtarja nuk përfshihet në këtë parashikim kushtetues.
Gjykata Kushtetuese, me shumë mundësi, pritet ta shqyrtojë kërkesën e Begaj brenda vitit 2025. Në rast se shumica e gjyqtarëve kushtetues do t’i binden “kërkesës së Bajram Begajt”, por që qartësisht është e nxitur nga Sokol Sadushi, atëherë tek Kushtetuesja krijohet vendi i tretë bosh brenda këtij viti.
Një vend bosh, i cili duhet të mbushet nga kandidatët që do të verifikohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar nga Sokol Sadushi.
Tashmë, Sadushi ka “kandidatë të gatshëm”, të verifikuar e të kualifikuar dhe që presin dhe shpresojnë vetëm në “dashamirësinë” e tij.
Pra, e gjithë historia zbërthehet në një skenar të tillë- Sokol Sadushi (1) ka në dorë vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçaj; (2) po mundohet të kontrollojë procedurat e Kuvendit për emrin zëvendësues të gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska; dhe (3) po luan të gjithë fijet, duke përdorur presidentin Bajram Begaj, që të ndërpresë mandatin e gjyqtares Sonila Bejtja.
Synimi është që të gjithë këto lëvizje të bëhen brenda vitit 2025, kohë kur Sokol Sadushi kontrollon Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Pra, as më shumë, as më pak, se sa Sadushi synon të godasë një gur e të “rrëmbejë” tre mandate në Gjykatën Kushtetuese.