Emisioni “Fiks Fare” denoncoi veprimet e Zyrës së Rindërtimit në Bashkinë e Durrësit, e cila në bashkëpunim me një firmë private, i kanë lënë shtëpinë përgjysmë një familje.
Madje, firma që iu “servir” qytetarit nga zyra e shtetit, ka marrë të gjitha paratë dhe zvarrit punimet. Por, ajo ka ndryshuar edhe projektin, duke e bërë më të vogël dhe tashmë qytetari e ka shumë të vështirë për t’a certifikuar.
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua Yllson Pengu, i cili thotë se ka pasur një banesë në Durrës. Tërmeti i viti 2019 ia ka shkatërruar dhe prej vitesh ka qenë në negociata me Bashkinë e Durrësit për rindërtimin e banesës. Ai thotë se atje kanë jetuar 3 kurora dhe kanë dashur dy banesa. Por, bashkia u ka thënë se shtëpia ishte në pronësi të një individi (denoncuesi Yllson Pengu) dhe të tjerët nuk përfitonin.
Më pas ka pranuar që të bëhet një shtëpi. “E pranova se s’kisha çfarë të bëja. Shkova te zyra e rindërtimit në Bashkinë e Durrës dhe më thanë se përfiton rreth 3.5 milionë lekë. Duhet të gjeja vetë një firmë të licencuar. S’kisha asnjë firmë dhe ai punonjësi më tha se t’a gjej unë një firmë. Ma gjeti ai dhe lidha kontratë” thotë denoncuesi.
Ai shton se firma quhet “Energji Dizajn Konstruksion”, përfaqësuar nga Eduart Kasa. Qytetari Yllson Pengu bëri kontratë me këtë firmë, por firma ia ka zvarritur shumë herë. Duhet t’ia përfundonte në dhjetor 2024, por edhe deri në fund të muajit maj 2025 s’ia ka përfunduar dhe i ka fikur telefonin.
“I kanë zvarritur punimet dhe vijnë dhe punojnë me hope. Na thotë janë rritur çmimet, s’kam punëtor. Dhe sot ka sjellë dy punëtorë për pllaka, por sporadike” thotë ai. Madje, qytetari thotë se ka edhe ndryshim projekti. Në dokumente del projekt tjetër dhe në zbatim projekt tjetër.
“Ai donte ta bënte sa më të vogël, ndërkohë unë këmbëngula ta bëja sa ishte projekti. I ka bërë dhomat shumë të vogla” thotë qytetari. Ai shton se paratë i kanë kaluar të gjitha firmës, nga bashkia te ai vetë dhe nga ai vetë te firma. Ai e merr në telefon pronarin e firmës, por në telefon nuk lidhet dot!
Qytetari shkoi te zyra e rindërtimit në Bashkinë e Durrësit. Punonjësi i thotë se shtëpinë duhet ta bëjë firma pasi ka lidhur kontratë me të. Qytetari i thotë se nuk po lidhet dot me firmën dhe se ai punonjës ia ka gjetur më parë. Më pas punonjësi e merr në telefon dhe te zyra ai e hap telefonin dhe i thotë se do t’a marrë në telefon dhe se do t’a zgjidhin.
Qytetari tentoi disa herë të kontaktonte me pronarin e firmës. Por, telefonin s’ia hapte. Ai nuk ishte as në adresën në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Me lehtësinë më të madhe, përgjegjësi i Rindërtimit në Bashkinë e Durrësit kontaktoi me pronarin. Ky përgjegjës është personi që ka bërë ndërmjetësin mes qytetarit dhe pronarit të firmës!
Familja Pengu i vuri në dispozicion Fiks Fare projektin e rindërtimit, të miratuar edhe nga Bashkia e Durrësit. Në të thuhet se sipërfaqja e ndërtimit në tokë është 105 metra. Ka një verandë të hapur, më pas një korridor, 3 dhoma gjumi dhe dhomë dite me kuzhinë. Projekti i shtëpisë është në formë U-je. Në dokumente janë edhe skicat.
Ndërkohë, nga ajo që konstatoi kamera e Fiksit, ndërtimi nuk është bërë sipas projektit. Nuk është e njëjta fasadë. Nuk ka verandë. Hyn direkt në dhomën e ditës. Nuk është bërë ndërtimi në formë U-je, por katror.
Familja dhe Fiksi tentojnë që të kontaktojnë me firmën e ndërtimit, për afatet e ndërtimit dhe ndryshimin e projektit. Por, në asnjë prej 2 numrave, pronarët dhe administratorët nuk u përgjigjën. Ditën që grupi i Fiks Fare shkoi në Durrës, në banesën e ankuesit kishin shkuar dy punëtorë./TCH