Në orët e para të shtatë korrikut, 27-vjecari, Agon Zejnullahu ka vdekur gjatë arrestimit nga pesë zyrtarë policor, që sipas pamjeve të publikuara qëndronin mbi të.
Atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji si të dyshuar për “vrasje nga pakujdesia”.
Dosja e Prokurorisë që kishte parashtruar kërkesën për masën e sigurisë përmban dëshmitë e dëshmitarëve të ngjarjes së shtatë korrikut e po ashtu edhe deklaratat e policëve të përfshirë, raporton gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami.
Dëshmitari G.B., tregon se kishte parë Agonin që ishte i afruar një veturë tjetër dhe se kishte menduar që po ziheshin, pastaj drejtuesi i mjetit i ka treguar dëshmitarit se Agoni dëshironte të hynte në mjetin e tij. Dëshmitari thotë se pas kësaj, ka marrë viktimën dhe e ka afruar tek makina e tij personale, që paraprakisht e kishte ndaluar në rrugë.
“Unë e kam marr Agonin dhe e kam afruar te vetura ime ku jam munduar ta qetësoj dhe e kam pyetur se çfarë ka, ndërsa i njëjti vetëm thoshte ‘largomni se po më ngucin, mos i le me më nguc njerëzit, rri me mu’, ku këtë fjalë e ka përsëritur disa herë”, citohet të ketë deklaruar dëshmitari.
Sipas dosjes së prokurorisë, i njëjti dëshmitar ka treguar se është munduar ta bindë viktimën ta dërgojë për ndihmë mjekësore ose në shtëpinë e tij por që nuk ka pranuar.
Dëshmitari ka treguar po ashtu se në vazhdimësi 27-vjeçari ka kërkuar të largohej, pasi sipas tij, kishte ndjesinë që e ndiqte dikush, por që dëshmitari e ka bindur të presë me idenë se do të paraqitej ndihma mjekësore.
Ai tregon se pas pak çastesh, kishte ardhur patrulla e policisë e me të parë makinën zyrtare, Agoni ka tentuar të hyjë, por është rrëzuar. “Më pas kur është ngritur është nisur në drejtim të policisë për të hyrë në veturë mirëpo zyrtarët policor nuk e kanë ditur për këtë dhe kanë përdorur sprejin lotsjellës e më pas Agoni ka hyrë në veturën time”, ka deklaruar dëshmitari, që shton se Agoni i ka kërkuar përsëri të mos i lërë ta ngacmojnë.
Ndërkohë, dëshmitari ka treguar se Agon Zejnullahut i dilte edhe shkumë nga goja.
“Gjatë qëndrimit në veturë prapë ka pasur shkumë në gojë të cilën e fshinte me bluzë tek kraharori herë pas here”, deklaron dëshmitari që shton se viktima disa herë ka tentuar të dalë nga vetura, por që nuk e ka lejuar ai.
Dëshmitari ka përshkruar edhe momentin e arrestimit të Agon Zejnullahut.
“Në një moment Agoni e ka shtyrë derën e veturës duke e hapur dhe ka dalë nga vetura, ka tentuar të largohet nga zyrtarët policorë, mirëpo këta të fundit e kanë kapur dhe e kanë shtrirë për tokë, më pas nga një veturë e tipit Audi me ngjyrë të bardhë ka dalë një qytetarë me rroba civile, i cili më duket se ka ka qenë zyrtar policor sepse i njëjti i ka ndihmuar gjatë arrestimit, unë i kam njoftuar zyrtarët policor që të mos e ngucin sepse Agoni nuk ka fuqi për të rezistuar, ndërsa e kam dëgjuar Agonin duke iu thënë policëve ‘mos më lidhni se nuk kam bërë kurrgjo’, ndërsa në momentin që zyrtarët ishin mbi trupin e Agonit ndërsa njëri nga ta i kishte vendosur gjurin në shpinë te pjesa e qafës duke e shtypur për toke, atëherë Agoni ju ka thënë ‘nuk muni me m’lidhë se unë punoj sigurim’”, citohet dëshmitari në dosjen e prokurorisë.
“Kam parë shkumë në tokë dhe u kam thënë zyrtarëve policor lereni mos e mundoni se nuk është në gjendje me ba kurrgja, mirëpo asnjë prej zyrtarëve nuk ka folur me mua”, vijon dëshmitari.
G.B., ka treguar edhe për momentin kur dyshohet se ka vdekur viktima.
“Më pas kam parë se Agonin kanë tentuar ta ngrinin në këmbë, por ka qenë pa vetëdije, aty zyrtarët policor janë munduar t’i lagin sytë me ujë dhe janë munduar ta sjellin në vete duke e goditur me shuplaka në faqe, e më pas aty ka ardhur ambulance ku menjëherë Agonin e kanë vendosur në shtratin e ambulancës ku Agoni ende i ka pasur duart e lidhura”, ka deklaruar dëshmitari.
Në vendin e ngjarjes atë natë si kalimtar rasti ishte edhe prokurori Ardian Emini dhe bashkëshortja e tij, gjyqtarja Elvira Emini të cilët janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.
Prokurori Emini ka treguar se bashkëshortja e tij është goditur nga prapa në kokë nga një person dhe në atë moment kishin parë Agon Zejnullahun, pastaj ka treguar edhe për tentimet e viktimës për të hyrë në veturat që kalonin në rrugë, për ç’ka thotë se ka njoftuar policinë që sipas tij është vonuar.
“Siç thashë, sipas njohurive që kam i njëjti ka kundërmuar në alkool dhe sipas përshkrimit tim ka qenë në gjendje të rëndë të alkoolizuar, në anën e majtë përmbi vetull ka pasur një plagë dhe ka qenë pak i gjakosur, sytë i ka pasur në gjendje të hapur jo normale, pasi patrulla policore ishte vonuar sipas vlerësimit tim, rreth 10 apo 15 minutave, unë i kam kontaktuar përsëri”, thuhet në deklaratën e prokurorit Emini.
Ndërsa bashkëshortja e tij, gjytarja Elvira Emini ka treguar për goditjen që ka marrë nga viktima.
“Për njëherë e kam vërejt hapat e atij personit dhe pasi i kam dëgju hapat jam mundu me u largu pak, por ishte e kotë sepse ai personi më goditi pas kokës dhe përnjëherë iku, e kaloi rrugën dhe doli prapë në mes të dy korsive duke vazhduar sjelljet e tij”, ka thënë ajo.
Agon Zejnullahu ka vdekur më 7 korrik gjatë arrestimit nga pesë zyrtarët policor, rreshteri Ibrahim Nela, policët Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri.
Dyshohet për forcë të tepruar gjatë arrestimit dhe efektivët ndodhen në paraburgim nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia.