Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi e ka konsideruar zjarrin në fushën e mbetjeve në Elbasan, si një pasojë të drejtpërdrejtë të keqqeverisjes dhe korrupsionit të thellë në të gjitha nivelet e pushtetit.
Ai theksoi se ky nuk është një zjarr i rastësishëm apo i papritur, por një zjarr i përsëritur, ku kritikoi ashpër edhe SPAK-un për mosveprim përballë fakteve të qarta dhe presionit publik.
Boçi vijoi duke thënë se ky zjarr nuk është vetëm një tragjedi ekologjike, por edhe një sinjal alarmi për thellësinë e korrupsionit që, sipas tij, ka kapur për fyti institucionet shqiptare.
“Ne jemi duke përjetuar pasojat e një qeverisje të stërzgjatur dhe të efekteve të korrupsionit që ka kapluar atë në çdo kapilar të institucioneve dhe të mënyrës së qeverisjes, përfshirë qeverisjen qendrore po aq sa dhe dukshëm qeverisjen lokale, sepse të gjitha gjërat janë të lidhura me koordinimin e mënyrës së qeverisjes.
Nëse përqendrohemi tek Elbasani dhe te çështja e inceneratorëve, nuk është zjarri i parë, nuk është rrufe në qiell të pastër, është një zjarr i përsëritur herë pas here, i cili duket qartazi që nuk është i rastësishëm por është i qëllimshëm dhe lidhet pikërisht me atë tymin jo thjesht kancerogjen që mbulon Elbasanin por tymin mbi tymin kancerogjen për të mbuluar korrupsionin galopant të lidhur me inceneratorët, të lidhur sidomos në mënyrë specifike dhe me Bashkinë e Elbasanit por dhe me bashkitë e tjera ku janë tentuar të ndërtohen inceneratorë.
Flas për Tiranën ose ku ka incenerator që nuk është marrë në dorëzim sepse është një strukturë financiare dhe jo efikase teknologjikisht dhe këtu e kam fjalën për Fierin.
Por qëndrojmë në Elbasan sepse këtu ka qenë pikënisja edhe e hapjes së kutisë së Pandorës për çështjen e inceneratorëve dhe kujtoj këtu vendimet e famshme brenda një dite të datës 16 dhjetor, diku tek 17 vendime të tjera të qeverisë brenda një dite për t’i hapur rrugë ndërtimit të kësaj karrakatine që sot e ka dhuratë Elbasani dhe ndot në mënyrë masive.
Ajo që është shqetësuese në të gjithë këtë situatë është se Prokuroria e Posaçme me gjithë kërkesën e PD, e gjithë faktet e ndodhura para syve të publikut, para institucioneve, ende nuk vepron, sepse nuk mund të kalojë perimetrin e këtij institucioni… Unë dikur e kam thënë, është si Alkatrazi ai incenerator, është si burg i sigurisë së lartë, është shumë e vështirë që të depërtohet në territorin e tij dhe të shkosh me sy faktet“, tha Boçi.