Një qytetar është ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë festimeve për Ditën e Vidovdanit, që u zhvilluan më 28 qershor pranë monumentit të Gazimestanit, në afërsi të Prishtinës.
Serbët pjesëmarrës në ceremoni janë penguar të futen brenda rrethojave të monumentit me flamuj serbë, ndërsa gjatë grumbullimit kanë nisur thirrjet në kor “Kosova është Serbi” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”.
Policia ka ndërhyrë për të ruajtur rendin dhe ka bërë thirrje për manifestim të qetë, duke apeluar që të shmangen provokimet. Në njoftimin zyrtar, autoritetet kanë theksuar se janë të pranishme me njësi të posaçme për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar çdo veprim të jashtëligjshëm.
“Apelojmë te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangin çdo provokim të mundshëm dhe të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi për mundësinë e incidenteve të qëllimshme gjatë tubimit në Gazimestan, të nxitura sipas tij nga autoritetet serbe për të zhvendosur vëmendjen nga protestat në Beograd.
Sipas tij, shërbimet e inteligjencës kanë sinjalizuar se grupe nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë organizuar për të ardhur në Kosovë në kuadër të festimeve, shpesh të shoqëruara me simbole nacionaliste që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe me vlerat evropiane.
Vidovdani festohet çdo 28 qershor nga serbët si përkujtim i Betejës së Kosovës të vitit 1389. Ceremonitë nisin me një meshë në Manastirin e Graçanicës dhe më pas vijojnë në Gazimestan, vetëm pak kilometra larg kryeqytetit.