Në shkurt të këtij viti, emisioni ”Stop” trajtoi problemin e dy vajzave, Senada dhe Serena Mullaymeri, 17 dhe 19 vjeçe, të cilat jetonin në një shtëpi në Kamëz së bashku me nënën dhe babain deri kur humbën të atin në një aksident. Në atë kohë i ndjeri Lavdi Mullaymeri, kishte filluar procedurën për legalizimin e shtëpisë, por e veja së bashku me dy vajzat, u detyruan të largohen nga shtëpia e tyre.
Gjyshja dhe xhaxhai nuk i lejojnë të futen në shtëpi jetimet duke i sharë e ofenduar e duke i kërkuar të gjejnë shtëpi me qira. Gazetarja e “Stop” shkoi në atë kohë në shtëpinë e familjes Mullaymeri, ku nusja e xhaxhait, reagoi keq, kyçi derën dhe nuk lejoi vajzën të dalë.
Ndërsa xhaxhai i vajzave tregoi certifikatën e shtëpisë duke pranuar që legalizimin e ka nisur vëllai i tij dhe tokën ende nuk e ka përfituar. Pas këtij transmetimi, vajzat tregojnë se xhaxhai i la vetëm dy javë të qeta dhe më pas u kërkoi lekët për ujin dhe dritat, por ato nuk ia dhanë pasi ai nuk u lejon lavatriçen brenda.
Gazetarja: Të marr sërish për mbesat e tua. Mund ta di pse ua ke hequr energjinë elektrike dhe ujin?
Xhaxhai: Jo, nuk iu kam hequr asgjë.
Gazetarja: Po lavatriçja vazhdon të jetë ende jashtë?
Xhaxhai: Nuk e di, jo!
Gazetarja: Po si nuk e di, a nuk je ti në shtëpi dhe po i bën të gjitha veprimet?
Xhaxhai: Jo!
Gazetarja: Vajzat nuk kanë akses të plotë të shërbimeve në shtëpinë e tyre, nuk kanë lavatriçen brenda, pse?
Xhaxhai: I kanë dhe le t’i kërkojnë me gjyq e polici. Me mua s’kanë punë.
Gazetarja: Është hakmarrje kjo?
Xhaxhai: Dakord?
Gazetarja: Është hakmarrje?
Xhaxhai: Lavatricja brenda nuk hyn.
Gazetarja: Pse nuk hyn? Sa të merret vendimi i gjykatës që të vërtetohet që ti ke bërë shkelje dhe ke mashtruar nëpërmjet falsifikimit, e mira do të ishte që t‘i merrje masat paraprakisht.
Xhaxhai: Nuk kam mashtruar asgjë.
Avokati Arben Llangozi tregon veprat penale me të cilat do përballet ky shtetas dhe gjithashtu të gjitha veprimet që janë kryer. Vajzat iu drejtuan edhe drejtorisë vendore të policisë, ku kërkuan urdhër mbrojtjeje dhe më në fund gjykata ua dha urdhrin e mbrojtjes prej xhaxhait dhe bashkëshortes së tij.
Vajzat u pajisën me urdhër mbrojtjeje nga xhaxhai dhe e shoqja, dy jetimet, Senada dhe Serena Mullaymeri dhe u kthyen në shtëpi, ku u përballën me dhunën psikologjike dhe fizike nga ana e gjyshes. E moshuara po u nxirrte jashtë lavatriçen mbesave jetime duke i sharë e kërcënuar pse ato denoncuan.
Vajza: Ça po bën?
Gjyshja: Kollaj, kur më çoni andej-këtej juve.
Vajza: Lëre lavatriçen, mos e lëviz!
Gjyshja: Jo!
Vajza: Mos e lëviz lavatriçen! Mos e lëviz lavatriçen!
Gjyshja: E bëtë hesap, kur vini andej-këtej?
Vajza: Mos e lëviz lavatriçen!
Gjyshja: Po e lëviz, me mua…Jam unë këtu, s’je ti!
Në këto kushte, Senada u paraqit në komisariatin e policisë nr. 5 ku policët i thanë se nuk mund të pajiset me urdhër mbrojtjeje nga gjyshja.
Polici: Ça problemi ke?
Vajza: Jemi pajisur me një urdhër mbrojtje për xhaxhain dhe nusen e xhaxhait.
Polici: Do të pajisesh?
Vajza: U pajisëm.
Polici: Sot? Po!
Vajza: E morëm atë ditë, erdhëm që ta deklaronin.
Polici: Po!
Vajza: Edhe sapo shkuam te shtëpia, ata nxitën gjyshen për të ardhur poshtë dhe për të na dhunuar.
Polici: Ke paditur dy veta?
Vajza: Po!
Polici: S’ka tjetër emër.
Vajza: Jam edhe unë këtu mbrapa.
Polici: Ti je pajisur me urdhër mbrojtjeje?
Vajza: Po!
Polici 1: Ndaj xhaxhait dhe ndaj…? Nuses së xhaxhait!
Vajza: Po!
Polici: Po ça ka ndodhur?
Vajza: Sa shkova në shtëpi unë…
Polici: Tha me gjyshen? Ti tani, nuk mund të bëjmë urdhër mbrojtje dhe për gjyshen. Nuk bëhet ajo, je pajisur me të.
Vajza: Po ajo erdhi na…
Polici 3: A të tha dhe shefi, duro? Nuk bëhet urdhri i mbrojtjes se aty e ke marrë njëherë.
Polici: Ti je pajisur. Ti, si mund të bëjmë urdhër mbrojtjeje për gjyshen?
Vajza: Po unë tani kam frikë të shkoj në shtëpi, mos më bën gjë ajo.
Polici 3: Tani i bie të hedhësh poshtë atë, të marrësh ndaj gjyshes, se kështu tjetër nuk e merr dot më.
Polici: Të rrëzohet kjo o shoku, se ti je pajisur sot me urdhër mbrojtje, 31.05 je pajis. Si do t’i themi tani, hajde të bëjmë për gjyshen tani? Se s’është hë…
Vajza: Po si t’ia bëj unë tani?
Polici: Ça të them unë tani?! Po s’ke ç’t’i thuash avokatit, tashi ti je pajisur me urdhër mbrojtjeje. Tani hajde ta marrim edhe për gjyshen.
Vajza: Po ça të bëj unë? E nxisin ata gjyshen për të ardhur se ajo rri në kat të dytë…
Polici: E marr vesh, e marr vesh se e nxisin ata, po… Ti ik te shtëpia, në qoftë se të shqetësojnë, bjeri 112-ës dhe të vjen patrulla aty!
Vajza: Po ajo më shqetësoi tani. Unë kam frikë të shkoj.
Polici: Ç’ia fut kot! Më dëgjo, çfarë po të them. Më dëgjo vëllain tënd! Shko te shtëpia, në qoftë se gjyshja e sheh që ashtu, bjeri 112-ës, vjen patrulla aty, i thotë, ça ke me gocën, apo do të të çoj brenda, se goca është pajisur me urdhër mbrojtje zonjë. Mos iu afroni gocës, fare! Në qoftë se gjyshja të fillon ndonjë fjalë, bjeri 112-ës!
Polici: Shumë bukur! Po të erdhi gjyshja aty se gjyshen shihe si me stil ti, po filloi prapë, 112 dhe vij aty. Tani si të vijë patrulla, po na i solli që na i bie këtu, do i bëjmë një… do i themi gjyshes, rri urtë, lëre, se do të pajisim, do ta pajisim gocën me urdhër mbrojtje, që mos t’i afrohesh gocës fare, se është plakë e vjetër ajo.
Vajza: Mirë!
Polici: Kështu funksionon!
Vajza pretendon se nuk është lejuar të dalë nga ambientet e policisë, kur është ndjerë keq dhe ka filluar të qajë. Ajo shprehet se punonjësi i policisë i ka bërtitur duke bërë që të ndërhyjë psikologu. Pasi u kryen veprimet në polici, gjyshja është filmuar duke nxjerrë sërish lavatriçen jashtë në orën 3 të mëngjesit. Sot Serena dhe Senada iu drejtuan edhe njëherë gjykatës për pajisjen me urdhër mbrojtjeje nga gjyshja.