Gjykata e Durrësit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg për për Xhevdet Plakun, i njohur si “Akili”, i arrestuar gjatë operacionit “Enigma”.
Gjithashtu në burg janë lënë edhe Flobens Meçja, Voltan Xhani, Jugert Xhani, Oltion Hasani dhe Fatjon Qesja. Ndërsa me masë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim dalje jashtë vendit” është lënë, Alfred Hasanaj.
Kujtojmë se Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Akili” ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi është arratisur nga burgu i Ankonës në janar të këtij viti. 45-vjeçari ishte dënuar në shtetin fqinj për trafik droge.
Ndërsa Flobens Meçja, alias Gega alias Drini nga Shkodra ishte shpallur në kërkim nga SPAK-u prej një viti, si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”. 43 -vjecari akuzohet për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.
I arrestuari tjetër, Voltan Xhani është i dyshuari kryesor për organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër në gusht 2024. Sipas policisë, 39 vjeçari, resident në Holandë, ka siguruar armët dhe makinat që u përdorën në vrasje, ndërsa i vëllai, Jugerti e ka përkrahur në krim.
- Kush është “Akili” i famshëm?
Xhevdet Plaku rezulton një person me precedentë të rëndë kriminalë në tri shtete, Shqipëri, Itali dhe Holandë.
Gjatë 25 viteve të fundit, ai është dyshuar si i përfshirë në dy vrasje, trafik droge dhe është objekt i të paktën 5 atentateve të dokumentuara, nga të cilat ka shpëtuar.
Ndër të tjera, Xhevdet Plaku është akuzuar për dy vrasje. E para ka ndodhur në vitin 2000, kur vrau Sali Rapin, vëllain e Rexhep Rapit në Borghetto Santo Spirito, në provincën e Savonës. Një ekzekutim gjakftohtë me një plumb në kokë si pjesë e një grindjeje mes bandash.
Vrasja e dytë ka ndodhur tre vjet më vonë, në Durrës, ku ishte kthyer për të jetuar. Në vitin 2019, tentuan ta vrisnin ndoshta për të hakmarrë ndaj Rapit, por sulmi nuk u realizua kurrë. Por nuk mbaron këtu.
Plaku është gjithashtu në krye të një organizate kriminale që importonte kokainë nga Holanda dhe Belgjika. Paketat e drogës kishin emra që dukeshin si nga një katalog mode: “Hermes” për cilësinë më të pastër, “PlayBoy” për atë më të ulët.
Emri i Xhevdet Plakut doli dhe në dosjen e SPAK për grupin e trafikut të drogës pjesë e së cilës ishte dhe ish-shef i krimeve të Komisariatit nr. 6 Dedan Gjoni dhe Erzen Breçani.
Zbardhja e përgjimeve të Sky ECC zbuluan se Akili, që përdorte 25 identitete, i akuzuar si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam u tentua të vritej nga i forti i Shijakut Rexhep Rapi më 17 shtator 2019.
Përgjimet zbardhën bashkëpunimin e Rapit me Gjonin për të kryer vrasjen para komisariatit të Durrësit, si hakmarrje pasi e akuzonte për vrasjen e vëllat të tij Sali Rapi të ndodhur në 2014-ën në Itali.
Ai u ka shpëtuar të paktën 5 atentateve të dokumentuara. Është ekstraduar 4 herë nga Interpoli.
Ka arritur t’i shpëtojë dënimit për vrasje në rrethana të dyshimta, herë për pushim hetimesh e herë për gabime proceduriale. Koha më e gjatë që ka qëndruar në qeli në këto 25 vjet, ka qenë pak më shumë se 4 vjet.
- 7 personat e arrestuar nga operacioni “Enigma”
Xhevdet Plaku alias Kiss, 45 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”. Ky shtetas është arratisur nga burgu i Ankonës, në muajin janar 2025 dhe për këtë arsye autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër arresti për të. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;
Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;
Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë, pasi në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. Rr., ndodhur në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantën e tij, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishkë në fole gati për qitje;
Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak;
Oltion Hasani, 38 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
Fatjon Qesja, 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
Alfred Hasanaj, 45 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.”