• Kontakt
Tuesday, May 20, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

PD duhet ti japë fund të sjellurit si parti e madhe

Më tepër se iluzioni trampist i Shqipërisë madhështore, që përkundi si përrallë gjatë fushatës, sfida e PD, nëse ka ende fuqi, është të punojë për rikthimin e një Shqipërie normale duke u shndërruar, vetë së pari, në një parti antisistem

11:42 : 20/05/2025
në AKTUALITET, KRYESORE, OP-ED, POLITIKE

Nga Andi Bushati

E tronditur nga disfata, e shushatur nga rezultati marramendës i Ramës dhe e pa përgatitur për atë çfarë do ti thotë militantëve, të cilët deri në 11 Maj i përkundi me iluzionin se ramizmit i kish ardhur fundi në Tiranë përkrah me sorosizmin në ShBA, Partia Demokratike e ka humbur Nordin.

Drejtuesit e saj janë të gatshëm të zihen në rrugë me reporterë trushpëlarë, që përsërisin tezat e regjimit; deputetët e saporizgjedhur kanë marrë si detyrë kryesore diskreditimin e çdo palaçoje që përsërit refrenin e dalë boje se “nuk u vodhën votat, por humbi Berisha”; ato pak media të kontrolluara nga opozita e shpenzojnë kohën duke i’u vërsulur flamurtarëve të relativizimit, që predikojnë se “ka pasur parregullësi, por që nuk prekin thelbin e rezultatit”.

I gjithë ky frustrim buron nga një paradoks: PD bërtet se gjendemi nën diktaturë, por ende vepron sikur të ishte në demokraci. Ekzistenca e regjimeve i merr për të mirqenë lakejtë, daullexhinjtë, tellallët, servilët. Denoncimi dhe përqeshja e tyre ka vlerë vetëm në sisteme lirie.

Lexo edhe:

PD kërkesë KQZ-së: Mos certifiko rezultatin e 11 majit, të bëhet auditim i votës së diasporës!

Padia për shpifje ndaj Albana Vokshit, shtyhet seanca në GJKKO, shkak mungesa e gjyqtares

Mjafton evidentimi i kësaj kontradikte të vogël, pra ai i shpenzimit të energjisë me shtresën me të zvjerdhur të shoqërisë, për të kuptuar kaosin ku gjendet partia më e madhe e opozitës.

E gjitha kjo sjellje dëshmon për triumfin e mllefit në vend të vënies në punë të arsyes, për dorëzimin përballë të pamundurës, si dështim ndaj përpunimit të një qasjeje të re.

Por, këtej e tutje, PD është e dënuar të mos bëjë asgjë si deri më tani. Pasi nuk e ka ndaluar dot Ramën, në tre sfida me radhë dhe me dy liderë të ndryshëm përballë, ajo duhet të ndryshojë thellësisht.

Ky transformim kalon përmes dy sakrificash kryesore. Së pari, duke i dhënë fund delirit të vetë konsideruarit si parti e madhe, po duke vepruar këtej e tutje si parti e vogël. Së dyti, duke mbyllur fabulën e të qenit një parti e sistemit, për t’u shndërruar në një forcë anti sistem. Le të shpjegojemi…

Ç’do me thënë një PD, këtej e tutje, e vogël? Natyrisht, çdokush me bonsensin minimal do të këmbëngulte se, me gjysëm milionë mbështetësit që mori, sidomos në kushte mizorisht të pabarabarta, PD mbetet e madhe. Ajo – me diferencë nga opozitat e  reja – është qartësisht forca kryesore antiqeveritare në vend. Por, problemi nuk qëndron tek numrat. Ai është tek impakti real që kanë. Tek fuqia për të influencuar përmes tyre. A nuk është raskapitur PD-ja pa arriur të ngrejë një komision hetimor? A i’a ka dalë dot ndonjë objektivi minimal, si psh të zhvillojë një interpelancë me kryeministrin? A e ka shfrytëzuar dot të drejtën për të shqyrtuar në Kushtetuese përdhosjen e mandatit nga ndonjë deputet i shumicës? A është dëgjuar, qoftë edhe ndonjëjerë në të rrallë, për ndryshimin e ndonjë neni të vetëm të buxhetit, apo për ndonjë rezolutë të përbashkët të parlamentit? Natyrisht jo, pasi në sisteme autokratike influenca e opozitave është zero.

Por, mund të thotë dikush: po a nuk pati rol presioni i gjatë i opozitës në prangosjen e Veliajt? Edhe për ata, që ndryshe nga unë nuk shohin në këtë akt një lëvizje të urdhëruar nga lart, sërish ka një përgjigje. Ç’vlerë pati ky arrestim? A nuk u rrit PS me numra në Tiranë edhe pa Lalin? A vazhdojnë pagesat për inceneratorin, a përdoret po njësoj administrata e politizuar e bashkisë, a vijojnë po të njëjtit tenderë dhe po të njëjtët klientë? A nuk tregon kjo se Veliaj qe thjeshtë ingranazhi i zëvendësueshzm, mungesa e të cilit nuk e pengoi dot asnjë ditë funksionimin e së njëjtës makineri kriminale? Pra dhe te kjo “fitore e madhe” impakti i PD ka qenë zero.

Edhe në këto zgjedhje ashtu si gjatë viteve të fundit, fuqia e saj për të ndryshuar diçka ka qenë e papërfillshme. Mundësia për të ndikuar mbi jetën e njerëzve dhe për të transformuar rrjedhën e shoqërisë ka qenë po ashtu e njëjtë.

Ajo është sot një opozitë e tredhur përballë një qeverie që ka asfiksuar gjithçka përreth saj, çdo kundër pushtet dhe çdo institucion të pavarur. PD-së i është hequr mundësia për të përmbysur pushtetin me votë. Dhe ky është fundi i iluzionit të asaj që mund të konsiderohet si parti e madhe, pra si një forcë që përmes betejave elektorale mund të prodhojë rotacion. Edhe teorikisht edhe praktikisht, nën regjimin e Ramës, ky propabilitet ka rënë. Prandaj këtej e tutje PD duhet të ndryshojë qasje dhe strategji duke u sjellë si një parti e vogël. Duke e nisur punën nga zero. Jo duke iu drejtuar shoqërisë me sloganin grandoman se boll të votoni një herë për mua dhe gjithçka ndryshon, por duke u sjellë si forcat e reja që së pari reken ta ndërgjegjësojë atë për të vërtetën e tyre.

Kjo e vërtetë është se vendi po jeton në një periudhë anti demokratike.

Por ajo nuk hedh dot rrënjë duke gënjyer në çdo sfidë elektorale se fitorja është pranë dhe ajo arrihet përmes votës. Duke u sjellë kështu PD-ja, në mënyrë sa idiote po aq edhe naive, ka bërë lojën e fasadës së regjimit. Pra, ndërsa ajo pretendon se gjërat arrihen përmes zgjedhjeve, ajo ka pranuar indirekt ekzistencën e demokracisë.

Në këtë qasje të re nuk mund të ketë më vend për parruallat delirante se Rama ka dhe pak ditë jetë, se Shqipëria do çlirohet pas 11 majit e budallallëqe të tjera të ngjashme. Në vend të tyre ajo është e dënuar të flasë për një rrugëtim të vështirë brenda një tuneli, të cilit ende nuk i shihet fundi.

Një parti e madhe e kërkon pushtetin shpejt, një e vogël e sheh atë si procesin e aderimit të shoqërisë drejt tezave të saj. Të parat duan të rikthehen në institucionet ekzistuese të dytat synojnë paraprakisht delegjitimimin e tyre.

Kjo e fundit duhet të jetë dhe sfida reale e një PD-je që kërkon ti bëjë ristart kpmpiuterit të saj. Nëse është bindur vërtet se në Shqipëri është vendosur narkodiktatura ajo duhet të rishikojë qëndrimin me çdo institucion të këtij regjimi? Fjala vjen si do të jetë qasja ndaj paralamentit të ri? A ka më kuptim që opozita të parakalojë aty me solemnitetin qesharak të katër viteve që shkuan, e bindur se në atë sallë nuk arrin dot më asgjë? Meqë bojkotin përfundimtar dhe djegjen e mandateve i kanë anatemuar për një kohët të gjatë si një gafë personale të Lulzim Bashës, a nuk do të qe më mirë ti ruanin ato pesëdhjetë vende duke u paraqitur një herë në gjashtë muaj pa qenë realisht prezent në kuvend? A mos vallë është më efikas injorimi i këtij institucioni sesa mbajtja gjallë e iluzionit se ajo është një arenë pluraliste, ku palët përleshën? A i shkon më shumë për shtat idesë së mungesës se demokracisë një sallë me karriget bosh, apo ajo ku opozita lufton por në fund përdhunohet?

E njëjta gjë vlen edhe për qëndrimet ndaj drejtësisë së re dhe sidomos SPAK-ut? A mund të ketë më iluzione ndaj tyre kur faktet e pakundërshtueshme dëshmojnë se pikërisht në kohën e Dumanit, Rama u bë politikisht më i fortë se kurrë? Po, në këtë situatë të re, a kanë më kuptim thirrjet debile të deputetëve opozitarë ndaj rivaleve të tyre se “shumë shpejt do të përfundoni në dyert e SPAK-ut”? A duhet mbajtur më publiku i dyzuar në këtë ëndërr mashtruese? A ka më kuptim që opozita të vijojë me denoncime në Prokurorinë e Posaçme vetëm se kjo e fundit prangos herë pas here ndonjë politikan të lartë si keqbërës ordiner, por nuk pengon të për asnjë çast funksionimin e sistemit kriminal?

Këto dy shembuj, që mund të pasohen edhe nga shumë të tjerë kanë vlerë për të treguar se PD-ja duhet ti japë fund dilemës që me gojë denoncon diktaturën por me veprime sillet sikur jeton në një sistem lirish. Që të bëhet e besueshme në pretendimet e saj ajo duhet të tentojë të shkallmojë edhe atë fare pak fasadë demokratike që i ka mbetur këtij regjimi.

Pikërisht ky objektiv na çon tek pika e dytë. Nëse ajo duhet ti jap fund të sjellurit si parti e madhe për të vepruar si e vogël, bashkë me të, ajo duhet të hapë edhe kapitullin e shndërrimit në një forcë anti sistem. Për gati tre dekada ajo ka qenë një nga dy kolonat e ,këtij sistemi. Ai ka edhe fytyrën e saj. Një pjesë e madhe e superstrukturës, e institucioneve, oligarkëve bizneseve, mediave madje pse jo dhe bandave mbajnë vulën e saj. Për të marrë një shembull flagrant: Pavarësisht se Reforma në Drejësi degradoi në një armë kundër opoziës, ajo as nuk mund të koncepohej as nuk mund të merrte formë pa pasur, qoftë edhe me pahir, miratimin e PD-së.

Por sot impakti i kësaj partie tek prokurorët apo gjykatësit, aksesi në financime nga oligarkët në raport me rivalët, dashamirësia e televizioneve të mëdha të fuqizuar në kohën e saj dhe mbështetja e demokratëve të fortë të Laçit apo Mamurrasit, që dikur pretendonin se mund të rrëzonin edhe qeveritë është pothuajse zero. Atëherë ç’vlerë ka poza qesharake e të hequrit si pjesë e sistemit kur të gjithë elementët e tij, përfshirë edhe banditët të kanë lënë në baltë?

Ndërgjegjësimi për këtë realitet të ri do e çlironte PD-në. Sado i dhimbshëm të duket paraprakisht, pranimi i faktit se nuk është më një parti e sistemit, do e detyronte të shkëpuste edhe lidhjet e fundit nostalgjike, skrupujt miqësorë dhe interesat e mbetura financiare me ish shërbëtorët e saj që sot kanë ndryshuar padron.

Fjala vjen pse i duhet Berishës të tregohet i kujdesshëm me disa oligarkë, që nëse dikur kanë qenë yjet e modelit të qeverisjes së tij, sot janë shëndërruar në financuesit e armikut që e kërkon të zhdukur? Se ndoshta i pikon ende diçka? Po a ka vlerë kjo pikë uji në oqean përpara lumejve që derdhen tek Rama me qëllim masakrimin e opozitës?

Një shëmbull tjetër: Ç’kuptim ka toleranca ndaj një televizioni si Klan që i shërbeu si makineri poropogande për sa kohe ishte si kryeministër, duke prodhuar madje dhe alibi për vrasjet e 21 janarit? A ia vlen më inercia e ruajtjes së kësaj lidhje, përballë denoncimit të besueshëm të një sistemi mediatik të ngjashëm me Rusinë putiniane?

Eshtë koha që opozita të ndërgjegjësohet që edhe nëse nuk e ka pasur si zgjedhje të saj është vetë sistemi ai që e ka nxjerrë atë jashtë. Transformimi nga një model oligarkiko- pluralist tek një tjetër, oligarkiko-autokratik kërkonte me patjetër një flijim. Dhe ky fat i qëlloi partisë numerikisht të dytë në vend.

Prandaj, sa më shpejt që PD-ja të kthjellohet se e kanë shtyrë përdhunshëm në pozitën e një partie anti sistem, aq më të lehtë do e ketë ti shkëpusë vargonjtë që e mbajnë lidhur me të shkuarën. E për rrjedhojë aq më potencial do të ketë për të qenë e besueshme në denoncimin e regjimit.

Natyrisht, ashtu sikurse çdo trup që detyrohet ti nënshtrohet një operacioni traumatik edhe ky transformim mund të shpjerë deri tek vdekja e pacientit. Po a ia vlen edhe ky risk, sado i lartë, për një parti që vazhdon të na kujtojë përditë se koha e solli në skenë enkas për tu përballur me diktaturat? A nuk e tradhëton PD-ja edhe atë pak gjë që i ka mbetur nga miti i dikurshëm, po nuk guxoi së paku edhe njëherë?

Natyrisht që po, pasi rruga tjetër është një agoni më e gjatë, por ama me fund të pakthyeshëm. Pikërisht për të shmangur këtë ajo duhet të sakrifikojë detyrimish dy gjëra: së pari të vetëndjerit si parti e madhe që ka në dorë rotacionin dhe së dyti si forcë brenda sistemit. Duke u sjellë kështu ajo s’bën gjë tjetër veçse mban gjallë atë fasadë demokracie që Rama po mundohet ta ruajë me thonj.

Nërsa PD-ja është e dënuar ta shkallmojë atë. Jo si deri më tani duke luajtur me  iluzionin trampist të Shqipërisë madhështore, që përkundi si përrallë gjatë fushatës, por nëse ka ende fuqi, duke punuar për rikthimin e një Shqipërie normale. Dhe kjo vjen duke këputur çdo urë me këtë anormalitet.

Etiketa: Andi BushatiPDSali Berisha

Lajme të lidhura

AKTUALITET

PD kërkesë KQZ-së: Mos certifiko rezultatin e 11 majit, të bëhet auditim i votës së diasporës!

18:53 : 20/05/2025
AKTUALITET

Padia për shpifje ndaj Albana Vokshit, shtyhet seanca në GJKKO, shkak mungesa e gjyqtares

14:06 : 20/05/2025
AKTUALITET

“Nga influenca deri tek kërcënimet dhe revolja në ballë”/ Berisha: Zgjedhjet e 11 majit, farsë!

12:29 : 20/05/2025
AKTUALITET

Mbeti jashtë parlamentit me mbi 18 mijë vota, Alimehmeti: Rezultati nuk është fundi…

09:10 : 20/05/2025
AKTUALITET

“Gara është e pabarabartë”/ Zgjedhjet, Shehaj: Rotacioni politik është bërë i vështirë

21:54 : 19/05/2025
AKTUALITET

Zgjedhjet/ Ironia e Sokos: Disa fituan më shumë vota nga sa ndjekës kanë në rrjetet sociale

20:01 : 19/05/2025
Para

100 vjetori i KLSH/ Shehu: Misioni ynë, mbikëqyrja e përdorimit të drejtë të fondeve publike

TË GJITHA

Interi gjen akordin, braziliani do t’i bashkohet për Botërorin e Klubeve

20:46 : 20/05/2025

Miliarda euro kredi për avionët Rafale, Serbia po armatoset kundër NATO me paratë europiane

20:38 : 20/05/2025

FOTO/ Zgjerohet dyfish “pika e voçkël” e Kumbaros në plazhin e Manastirit për resortin e “AlbStar”

20:31 : 20/05/2025

Spanja urdhëron Airbnb-në të heqë 66 mijë prona me qira për të zbutur krizën e strehimit

20:20 : 20/05/2025

Europiani U17/ Barazim me gola, Anglia dhe Belgjika bëjnë paqe në Rrogozhinë

20:16 : 20/05/2025

Çollaku: SPAK t’i shkojë hetimit në Dibër deri tek ato që ka bërë Balluku në vitin 2023

20:06 : 20/05/2025

Akuzat e Maduros për mafien shqiptare, ironia e analistit: Po mësojnë venazuelsit si fitohen zgjedhjet

19:53 : 20/05/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com