Për të vetmin Qark ku po vazhdon ende numërimi i votave të diasporës për subjektet politike është Korça, ku sa i përket votave të ardhura nga Greqia ka një avantazh të frikshëm të socialistëve.
Deri më tani në Qarkun e Korçës PS në total ka marrë 10 323 vota, ndërsa PD vetëm 3 245 vota. Drejtuesi politik i PD-së në Korçë, Ivi Kaso, teksa ndodhej në parkun Olimpik, në një prononcim për mediat
Kaso tha se votat e diasporës ishin të manipuluara, duke e cilësuar si proces të “frikshëm”, sidomos zarfet e ardhura nga Greqia, duke shtuar se turpëron edhe bastionet e thekura socialiste. Ai shtoi se procesi i votimit të diasporës është minuar nga parregullsi të shumta, çka sipas tij e bën atë të pavlefshëm.
“Kemi parë rezultat që kanë dalë nga votat e Greqisë, që do turpëronin edhe bastionet më të thekura socialiste. Rezultate të cilat janë për Partinë Socialiste në çdo qark, në çdo kuti votimi, me një maxhorancë solide prej 90% preferencash minimalisht. Në raste të caktuara kemi patur majën si në qarkun e Beratit e Gjirokastrës me rezultate 98% të kutisë në favor të PS dhe pjesa tjetër për gjithë faktorët opozitarë. Rezultate që do turpëronin edhe në kohën e diktaturës. Shqiptarët po e shohin ditë pas dite se çfarë ka ndodhur. Për fat të keq, vota e diasporës, për të cilën u luftua aq shumë, për të cilin u investua aq shumë, për të cilin PD ka bërë një betejë të jashtëzakonshme deri sa e konkretizoi, për fat të keq është besuar, e veçanërisht sa i përket rastit të Greqisë, është manipuluar në mënyrë të frikshme. Një proces tërësisht të përçudnuar që nuk përfaqëson vullnetin e bashkëkombësve tanë, veçanërisht në Greqi”, tha Kaso.
Demokrati shtoi se në Greqi votat e diasporës nuk janë dorëzuar në dorë të emigrantëve, duke ngritur kështu dyshime mbi procesin e votimit në këtë shtet.
“Jemi njohur edhe me shoqata të Diasporës që kanë kallëzuar procesin në SPAK, kanë kallëzuar me emër dhe mbiemër drejtues të Partisë Socialiste. Kemi pasur mijëra denoncime që para se të mbyllej procesi. Është denoncuar fakti që zarfet nuk u kanë mbërritur në shtëpi dhe kur kanë shkuar në zyrat postare për t’i marrë i gjenin zarfet sikur ishin plotësuar. Kemi pasur dhjetëra raste të dokumentuara të shkeljes së kontratës nga operatorët postarë të nënkontraktuar nga DHL, të cilët kanë bërë gjithçka në kundërshtim me garancinë bazë të procesit. I gjithë procesi i Greqisë është nul dhe bie poshtë” – tha demokrati.