Një shqiptar është arrestuar nga autotoritetet policore italiane në Pisa, pasi i është zbuluar në depon e banesës një sasi prej 21 kilogramësh kokainë, si dhe disa armë zjarri, mes tyre dhe një automatik “kallashnikov”.
Mediat vendase raportojnë se shqiptarit i janë sekuestruar 21 pako kokaine të cilësisë së lartë, secila me peshë 1 kg. Vlera e drogës shkonte në të paktën 600 mijë euro në çmim shumice.
Operacioni filloi pas një periudhe të kujdesshme vëzhgimi të të dyshuarit, i cili po tregonte sjellje të pazakonta. Bashkë me drogën u sekuestruan edhe disa telefona celularë, që pritet të zbërthehen nga autoritetet.
Gjithashtu, në depon e banesës, shqiptarit kishte fshehur dhe një pistolet, një automatik “kallashnikov” si dhe një sasi municioni. Shqiptari jetonte në një shtëpi buzë detit, teksa lëndën narkotike e mbante në depo.
Autoritetet po hetojnë për të zbuluar edhe organizatën në të cilën i arrestuari dyshohet se bënte pjesë. Shqiptari është izoluar në Burgun e “Don Bosco”, në pritje të veprimeve të tjera hetimore.
Ky aksion vjen vetëm pak ditë pasi më 9 prill, karabinierët arrestuan një tjetër të ri shqiptar në Capannori, në provincën e Lucca. Edhe në këtë rast, iu gjet në posedim 24 kilogramë kokainë, me një vlerë të vlerësuar prej rreth 700 mijë eurosh. Droga ishte e sistemuar në një kasolle pranë shtëpisë.
Mediat italiane raportojnë se autoritetet po vazhdojnë të monitorojnë lëvizjet e trafikantëve të mundshëm të drogës dhe të forcojnë bashkëpunimin midis forcave të ndryshme policore për të luftuar në mënyrë efektive trafikimin e drogës.
“Prania e armëve në posedim të tregtarëve të drogës përfaqëson një element tjetër shqetësimi për sigurinë publike”, thanë autoritetet ligjzbatuese.














